Gjendja kaotike në arsim, do të kemi suficit enorm të ngelaqëve në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Gjendja kaotike në arsim, do të kemi suficit enorm të ngelaqëve në Kosovë

Aktuale December 11, 2019 - 08:15
Detaje
Image

Gjendja e arsimit në Kosovë edhe këtë vit lë shumë për të dëshiruar. Problemet e kamotshme me tekstet shkollore e kushtet joadekuate për mësim po vlerësohen si probleme serioze në mësimnxënie. Njohësit e rrethanave në arsimin e Kosovës për gjendjen kaotike në arsimin kosovar përgjegjësinë e adresojnë te MASHT-i, shkruan sot gazeta Zeri

Dështimet e Kosovës në testet ndërkombëtare për arsim tregojnë se gjendja e sistemit arsimor edhe më tej nuk është në nivel të duhur.Pavarësisht që të gjitha subjektet politike në fushatat zgjedhore kanë thënë se arsimi do të jetë prioritet për ta, ende nuk janë marrë veprime konkrete, të cilat do të sillnin edhe rezultate pozitive në këtë fushë. Tekstet joadekuate për nxënësit, mungesa e mjeteve bashkëkohore e mungesa e llogaridhënies nga ana e Ministrisë së Arsimit konsiderohen disa nga problematikat kryesore në arsim.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, ka thënë për “Zërin” se qeveritë e deritanishme nuk kanë treguar se e kanë si prioritet arsimin, ndonëse kjo fushë është përdorur për fushata. 

Sipas tij, është dashur të ndahet më shumë buxhet për arsim, t’u ofrohen nxënësve tekstet e duhura shkollore e kushte më të mira për mësim. “Unë konsideroj që punëtorët e arsimit në Kosovë janë të përkushtuar, por e keqja është se në këto 20 vjetët e pasluftës vazhdimisht janë bërë eksperimente në arsimin e Kosovës.

Partitë që kanë ardhur në pushtet kanë deklaruar se e kanë prioritet arsimin, por këtë nuk e kanë treguar edhe me vepra. Ata është dashur të ndajnë më shumë mjete buxhetore për t’i furnizuar shkollat tona me mjete bashkëkohore të mësimit e jo t’i lënë mësuesit në luftën për dije të reja me shkumës e shpuzë, me tekste të cilat nuk janë të mira dhe me një kurrikulë e cila është e vështirë e që tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kërkesat e kurikulës”, ka thënë ai.

Për ta pasur një arsim edhe më të mirë në Kosovë Jashari vlerëson se Akademia e Shkencave të Kosovës, Ministria e Arsimit, profesorët më të mirë të Kosovës, SBASHK-u e prindërit duhet së bashku ta vlerësojnë gjendjen aktuale e të krijojnë një platformë, përmes së cilës do të fuqizohej sektori i arsimit. “Mendoj që duhet ta kemi një platformë tonën, t’i furnizojmë shkollat me mjete bashkëkohore të mësimit, ta fuqizojmë sektorin e inspektorëve të arsimit në Kosovë, të cilët do t’i vizitonin kolegët nëpër orë e do të shihnim se çfarë është e mirë te puna e tyre e çfarë është dobësi. Pastaj bashkërisht do të punonim që t’i tejkalojnë ato dobësi, shkuan tutje Zeri

Kështu do të krijonim edhe vlerësim të saktë se për cilat lloje të trajnimeve do të kishte nevojë të shkonte secili prej mësimdhënësve. Unë kam frikë që edhe kësaj here ne do të harxhojmë kohën duke bërë me gisht nga njëri-tjetri, duke kërkuar fajtorin”. Ai është shprehur se shpreson që në Ministrinë e Arsimit të vijë një person, i cili është njohës i mirë i çështjeve të kësaj fushe.

Problemet me tekstet shkollore, metodat e mësimdhënies e kushtet infrastrukturore

Njohësi i çështjeve të arsimit në vend, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “Zërin” se problemi kryesor i sistemit të arsimit në vend është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies nga Ministria e Arsimit e nga shkollat.

Sipas tij, në sistemin tonë të arsimit nuk ka pothuajse asnjë mbështetje për mësimdhënie cilësore në formë të udhëzimit e të materialeve mësimore, të cilat kanë qenë edhe me gabime. “PISA jep informacion për gjendjen në fushën e arsimit, por jo edhe për shkaqet e kësaj gjendjeje. Suksesi i nxënësit në test është kombinacion i shumë faktorëve, duke filluar nga programi që zhvillohet në shkollë, tekstet mësimore, metodat e mësimdhënies, kushtet infrastrukturore e deri te gjendja sociale dhe mbështetja e familjes. Unë mendoj se problemi kryesor i sistemit të arsimit në Kosovë është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke filluar nga shkolla e deri te Ministria. Prej kësaj burojnë të gjitha”, ka thënë ai.

Edhe pse janë identifikuar problemet në fushën e arsimit, sipas Pupovcit, Kosova ka probleme me zbatimin e politikave për adresimin e këtyre problemeve. “Kosova ka probleme serioze me zbatimin e këtyre politikave. Për shembull, duhet të respektohen standardet për tekste shkollore, duke mos lejuar që në vitin 2019 të publikohen libra me gabime serioze, siç ka ndodhur para pak muajsh. Pastaj duhet të depolitizohet punësimi i drejtorëve dhe i mësimdhënësve, me qëllim që të sigurohet cilësia, por edhe llogaridhënia në shkolla. Sigurisht që ka edhe gjëra të reja që dalin nga testi PISA, siç është niveli i ulët i shkathtësive të leximit, që pastaj ka efekt zinxhiror në të gjitha lëndët”. Ai më tutje ka përmendur edhe pagat e mësimdhënësve, me ç’rast ka thënë se rritja e pagave për të gjithë njësoj është demotivuese.

Rishikimi i Ligjit për Arsim Parauniversitar, pikënisje e ndryshimeve pozitive

Edhe Rinor Qehaja, drejtor i institutit për arsim “EdGuard”, shkaktare të problemeve të shumta në arsim e ka parë mungesën e llogaridhënies për dështimet.

Ai po ashtu ka përmendur tekstet shkollore, të cilat nuk janë në nivel të grupmoshave të nxënësve e të cilat paraqesin pengesë në mësimnxënie. “Burimi i shumë problemeve në arsim është ekskluzivisht i ndërlidhur me mungesë të llogaridhënies, pra askush nuk ofron përgjegjësi për dështimin, duke filluar nga vetë MASHT-i. Një kurrikulë e dështuar në zbatim vjen jo pse dokumenti është jo i mirë, po sepse askush nuk përkrah ose nuk monitoron zbatimin e tij. Në situatë të tillë nuk mund të presësh cilësi në mësimdhënie e as interesim të fëmijëve për mësimnxënie, pra sistemi është i destinuar në improvizim”.

Qehaja ka thënë se rishikimi i Ligjit për Arsim Parauniversitar do të ishte pikënisje e ndryshimit. “Rritja e cilësisë është e ndërlidhur me instalim të mekanizmave llogaridhënës te të gjitha nivelet dhe institucionet arsimore në vend. Nuk besoj që ndokush do të kishte guxim të fuste në shkollat tona tekste të tilla po të kishte përgjegjësi të definuar në vlerësim. Improvizimet e shumta në arsim kanë sjellë në situata, në të cilat askush më nuk mbahet përgjegjës për asgjë. Dështimi në decentralizim të arsimit parauniversitar mundëson që përgjegjësia të bartet nga Ministria te drejtoritë e Arsimit dhe anasjelltas. Pra një rishikim i Ligjit për Arsimin Parauniversitar është i domosdoshëm dhe pikënisje e ndryshimit”, ka thënë ai./ZERI