SHBA-ja mirëpret vendimin për kalim nga patentat ilegale të shoferëve në RKS
Foto: Zëri

SHBA-ja mirëpret vendimin për kalim nga patentat ilegale të shoferëve në RKS

Aktuale May 08, 2024 - 15:27

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mundëson kalimin nga patentat e shoferit të lëshuara nga institucionet ilegale serbe në Kosovë në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Hovenieri në një postim në “X” ka shkruar se SHBA-ja mbështet përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, shkroi Hovenieri.

Ndryshe, MPB-ja ka njoftuar se kalimi në patentë shoferi të RKS-së mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve.

Vendimi hyn në fuqi më 9 maj dhe është valid deri më 9 gusht 2024.