Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Ministria e Integrimeve: Heqjen e vizave po e vonon Franca e Holanda

Ministria e Integrimeve: Heqjen e vizave po e vonon Franca e Holanda

Aktuale December 06, 2019 - 10:23
Detajet

Liberalizmi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë as këtë vit. Pavarësisht deklarimeve të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje, një gjë e tillë po konsiderohet e pamundur të ndodhë. Nga Ministria e Integrimit Evropian pohojnë se janë shuar gjasat që për këto katër javë sa kanë mbetur qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen. Sipas tyre, shkak i vonesës së heqjes së vizave është bërë qasja e Francës dhe e Holandës ndaj kësaj çështjeje, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: As sivjet s’hiqen vizat

Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, në një prononcim për "Zërin" ka theksuar se edhe këtë vit nuk do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen. Ndonëse deklaron se janë përmbushur të gjitha kushtet, Çelaj pohon se liberalizimi do të vonohet për shkak të qasjes së Francës dhe Holandës ndaj kësaj çështjeje. "Vetë fakti që ka mbetur më pak se një muaj, nuk besoj që sivjet qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, që i kërkon ky proces dhe kjo është thënë jo vetëm prej institucioneve të Kosovës, por edhe prej atyre relevante të Bashkimit Evropian. Por ne e dimë situatën e krijuar me pozicionimin e Francës dhe edhe të Holandës jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit, prandaj mendoj se ky është shkaktari kryesor i vonesës së liberalizimit të vizave", ka potencuar ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt se liberalizimi mund të ndodhë këtë vit, Çelaj nuk e kundërshton, por thotë se sipas informacioneve që ka do të jetë e vështirë deri në fund të vitit të merret së paku edhe data për liberalizim. “Kryeministri në detyrë mund të ketë informacione më të sakta, pozicioni i tij ofron mundësi dhe qasje në burime më të sakta të informtave dhe nuk mund të paragjykohet. Por me njohuritë që i kam unë prej kontakteve të cilat i kam pasur nuk pres që sivjet do të ketë heqje të vizave. Në rastin më të mirë sivjet mund të merret ndonjë vendim ose të caktohet data se kur do të liberalizohen, edhe pse edhe për këtë gjë i kam rezervat e mia”, ka shtuar ai. //ZERI