As sivjet s’hiqen vizat
Foto: Laura Hasani

As sivjet s’hiqen vizat

Aktuale December 06, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Edhe 2019-a do të përmbyllet pa liberalizim të vizave. Kështu kanë deklaruar nga Ministria e Integrimit Evropian, të cilët theksojnë se aktualisht janë shuar gjasat që qytetarët të lëvizin lirshëm nëpër Evropë deri në fund të këtij viti. Njëjtë pohojnë edhe njohësit e çështjeve integruese, të cilët, pavarësisht deklarimeve, shtojnë se kanë mbetur edhe disa hapa për t’u plotësuar deri në liberalizim, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: LDK-ja kërkon kompromis të dhimbshëm nga Vetëvendosja

Liberalizmi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë as këtë vit. Pavarësisht deklarimeve të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje, një gjë e tillë po konsiderohet e pamundur të ndodhë. Nga Ministria e Integrimit Evropian pohojnë se janë shuar gjasat që për këto katër javë sa kanë mbetur qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen. Sipas tyre, shkak i vonesës së heqjes së vizave është bërë qasja e Francës dhe e Holandës ndaj kësaj çështjeje. Kësisoj ata konstatojnë se shpresat për lëvizje të lirë kanë mbetur për vitin tjetër. Edhe njohësit e çështjeve integruese kanë theksuar se deri në fund të këtij viti nuk do të ketë mundësi të liberalizimit. Sipas tyre, pavarësisht deklarimeve të përmbushjes së kritereve, Kosova ende ka punë për ta përmbyllur kapitullin e detyrave për heqjen e vizave dhe mungesa e institucioneve të Kosovës mund ta vonojë edhe më shumë këtë proces. Gjatë një vizite që të mërkurën pati në Kosovë kryetari i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, shprehu keqardhje që qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin pa viza në Evropë dhe shtoi se janë duke u përpjekur që t’i vijnë në fund këtij procesi. “Ne e dimë që kosovarët janë të zhgënjyer nga vizat, jemi penduar që fatkeqësisht kosovarët ende nuk mund të lëvizin pa viza. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Weberi.

Ministria e Integrimeve: Heqjen e vizave po e vonon Franca e Holanda

Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, në një prononcim për "Zërin" ka theksuar se edhe këtë vit nuk do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen. Ndonëse deklaron se janë përmbushur të gjitha kushtet, Çelaj pohon se liberalizimi do të vonohet për shkak të qasjes së Francës dhe Holandës ndaj kësaj çështjeje. "Vetë fakti që ka mbetur më pak se një muaj, nuk besoj që sivjet qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, që i kërkon ky proces dhe kjo është thënë jo vetëm prej institucioneve të Kosovës, por edhe prej atyre relevante të Bashkimit Evropian. Por ne e dimë situatën e krijuar me pozicionimin e Francës dhe edhe të Holandës jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit, prandaj mendoj se ky është shkaktari kryesor i vonesës së liberalizimit të vizave", ka potencuar ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt se liberalizimi mund të ndodhë këtë vit, Çelaj nuk e kundërshton, por thotë se sipas informacioneve që ka do të jetë e vështirë deri në fund të vitit të merret së paku edhe data për liberalizim. “Kryeministri në detyrë mund të ketë informacione më të sakta, pozicioni i tij ofron mundësi dhe qasje në burime më të sakta të informtave dhe nuk mund të paragjykohet. Por me njohuritë që i kam unë prej kontakteve të cilat i kam pasur nuk pres që sivjet do të ketë heqje të vizave. Në rastin më të mirë sivjet mund të merret ndonjë vendim ose të caktohet data se kur do të liberalizohen, edhe pse edhe për këtë gjë i kam rezervat e mia”, ka shtuar ai.

EPIK: Viti 2020 mund të jetë më pozitiv për heqjen e vizave

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha, ka deklaruar për “Zërin” se zhvillimi i fundit sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndodhur më 24 shtator 2019 me votimin për rinisjen e negociatave teknike për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian (LIBE). Pas këtij votimi, Shasha thotë se kanë mbetur edhe 6 hapa, që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave. “Përfundimi i negociatave për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme për ndryshimin e saj. Votimi për plotësim-ndryshimin e rregullores LIBE (Parlament) dhe aprovimi në COREPER (Këshill). Votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores në seancë plenare të Parlamentit. Votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores nga Këshilli i BE-së. Ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti. Hyrja në fuqi e Rregullores dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Shasha.

Gjasat që kjo procedurë të konsumohet brenda këtij viti janë zero, sepse, siç përmend ai, në rastin e dy vendeve të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave (Gjeorgjia dhe Ukraina) u është dashur 7-9 muaj për të konsumuar procedurën e lartcekur. “Rrjedhimisht i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020. Gjatë vitit 2020 Presidenca e BE-së do të kalojë te dy vende mike të Kosovës: Kroacia dhe Gjermania. Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive dhe të këtë progres gjatë vitit 2020”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht deklarimeve për përmbushjen e kritereve, Shasha thotë se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Vende anëtare të BE-së në vazhdimësi kanë shfaqur bindjen e tyre se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret, pavarësisht vlerësimit nga ana e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet sa më shpjet të formësohen, me shpresë se qeverisja e ardhshme do të këtë mazhorancën e bollshme parlamentare dhe vullnet politik për të avancuar proceset e ngecura integruese të vendit”, ka përfunduar ai.

Haradinaj vazhdon të besojë se vizat hiqen për Krishtlindje

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj vazhdimisht po deklaron se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave deri në fund të dhjetorit. Gjatë së hënës Haradinaj tha se janë duke punuar rreth çështjes së liberalizimit të vizave, duke shpresuar se lajmin e mirë Kosova do ta marrë para Krishtlindjeve. Sipas Haradinajt, sinjale të tilla ka dhënë edhe vizita e delegacionit të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, i cili vizitoi Kosovën javën e shkuar. “Po punojmë, javën e shkuar kemi pasur delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, shpresoj se do të marrim lajmin e mirë para Krishtlindjeve. Shpresoj, nuk është e konfirmuar, kemi punuar, kemi rënë dakord të mos japim premtime mediale, por po ecim në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Ndonëse një mundësi e tillë është mohuar edhenga Ministria e Integrimeve, njohësi i çështjeve evropiane Demush Shasha tha se gjasat që liberalizimi të vijë për Krishtlindje janë zero. “Dua të besoj që deklaratat e Haradinajt janë të bazuara në vullnetin dhe në dëshirën e tij qëllimmirë që të ndodhë liberalizimi i vizave këtë vit. Sidoqoftë, kjo s’është në përputhje totale me faktet që e rrethojnë çështjen e liberalizimit të vizave”. //ZERI