LDK-ja kërkon kompromis të dhimbshëm nga Vetëvendosja
Foto: Laura Hasani

LDK-ja kërkon kompromis të dhimbshëm nga Vetëvendosja

Aktuale dhjetor 06, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Sot janë bërë dy muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, ende nuk ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në. Derisa nga Vetëvendosja kanë thënë se për presidentin nuk duhet të flitet njëherë, nga LDK-ja këmbëngulin se kjo pozitë duhet t’u takojë atyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Fluks i frikshëm i ikjes së mjekëve nga Kosova

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vazhdon të insistojë se marrëveshja me Vetëvendosjen duhet të jetë e baraspeshuar. Zyrtarët e këtij subjekti thonë se me marrëveshjen finale LDK-së duhet t’i takojë pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. Vetëm kësisoj, sipas LDK-së, mund të vihet deri te marrëveshja përfundimtare për formimin e qeverisë së ardhshme. Në të kundërtën, po që se Vetëvendosja nuk do që t’i japë këto dy pozita, sipas zyrtarëve të LDK-së, Vetëvendosja mund ta japë postin e kryeministrit dhe ta mbajë për vete pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe atë të presidentit. LVV-ja, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të bëjë kompromis, qoftë edhe të dhimbshëm, për ta mundësuar formimin e institucioneve të reja. Por nga Vetëvendosja kanë thënë disa herë se për presidentin mund të flitet vetëm kur të vijë koha e zgjedhjes së tij. Sidoqoftë, nga LVV-ja shprehen të bindur se do të ketë marrëveshje me LDK-në.

LDK: Vetëvendosja ka përgjegjësi që të mos i shtyjë afatet kohore

Besa Gaxherri, e cila ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete e legjislaturës së shtatë nga LDK-ja, ka thënë se zyrtarët e këtij subjekti kanë pritur që marrëveshja me Vetëvendosjen të kryhej shumë më herët, me më shumë mirëkuptim. Deklaratat e disa zyrtarëve të LVV-së se presidenti nuk duhet të hyjë në kuadër të marrëveshjes finale, sipas saj, nuk i kontribuojnë situatës. Ndaj deklarimet e tilla ajo i ka cilësuar patetike. “Eksponentë të caktuar thonë se presidenti nuk duhet të hyjë në këtë marrëveshje, kjo është shumë patetike dhe e papranueshme, për arsye se nëse nuk zgjidhet tash marrëveshja edhe për presidentin ne pas një viti e gjysmë do ta kemi të njëjtën situatë dhe do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Për të ardhur deri te zgjidhja dhe te formimi i qeverisë, sipas Gaxherrit, partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, duhet të bëjë kompromis, qoftë edhe të dhimbshëm. “LVV-ja ka përgjegjësi që të mos i shtyjë afatet kohore për të bërë kompromis, ndonjëherë edhe të dhimbshëm, kjo është përgjegjësia e të parit për ta udhëhequr vendin. LVV-ja si parti e parë do ta ketë kryeministrin, të gjitha postet e tjera janë jorelevante karshi postit të kryeministrit”, ka shtuar ajo.

Nëse Vetëvendosja nuk pajtohet ta japë presidentin dhe kryekuvendarin, sipas saj, ekziston edhe një opsion tjetër, ai për ndërrim të pozitave.

“Nëse Vetëvendosja nuk pajtohet për t’ia dhënë presidentin dhe kryetarin e Kuvendit LDK-së, le t’i marrë vetë dhe të na e japë neve kryeministrin. Kjo është shumë e lehtë. Por ne nuk duam ta neglizhojmë procesin, sepse nuk kemi kohë për të humbur”, ka potencuar Besa Gaxherri. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ajo është shprehur optimiste se ka hapësirë që marrëveshja të ndodhë brenda këtij viti. Në të kundërtën, siç Gaxherri ka thënë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të sërishme. “Dua të besoj që do të ketë marrëveshje, që të dyja partitë t’i thërrasin ndërgjegjes. Nuk ka nevojë të humbet kohë. Cilido subjekt që nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, atëherë duhet ta marrë përgjegjësinë, se zgjidhje tjetër nuk ka, duhet shkuar në zgjedhje për t’i komplikuar më shumë gjërat”, është shprehur ajo.

LVV: Negociatat do të përfundojnë me marrëveshje

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se takimi i fundit mes dy liderëve të partive përkatëse ka qenë vetëm pikënisja e negociatave për formimin e qeverisë së re, në të cilat do të diskutohet edhe çështja e pozitave.

Haki Abazi, i cili i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet nga LVV-ja, ka thënë se aktualisht ka një bazë pozitive rreth dakordimit për planin e dy partive. “E mira është që ka një bazë të shëndoshë të dakordimit të plotë të programit qeverisës dhe sigurisht që publiku ka pasur frikë pas zvarritjes së rezultateve nga KQZ-ja dhe ka pritur që marrëveshja ndërmjet dy subjekteve politike LVV - LDK të nënshkruhet menjëherë. Por unë mendoj që duhet t’i lihet hapësirë procesit të negociatave, i cili unë jam i bindur se do të përfundojë me marrëveshje”, është shprehur Abazi.

Mirëpo LVV-ja e LDK-ja po vazhdojnë të mos gjejnë dakordim rreth postit të presidentit.

Para pak ditësh nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se rreth pozitës së presidentit mund të diskutohet vetëm kur të vijë koha e zgjedhjes së tij. Njëjtë pati pohuar edhe nënkryetarja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila pati thënë se zgjedhjet e 6 tetorit ka qenë për parlament e qeveri, jo për president. “Nuk është diskutuar asnjëherë dhe as nuk diskutohet. Nuk kemi garuar për president, por për kuvend dhe qeveri. Posti i presidentit nuk është partiak”, qe shprehur ajo para pak ditësh.

Ambasadori gjerman takon Mustafën, flet për negociatat LVV - LDK

Një ditë pasi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kërkoi formim sa më të shpejtë të qeverisë, takoi liderin e LDK-së Isa Mustafën. Gjatë së enjtes LDK-ja lëshoi një njoftim, ku bëri të ditur se në takimin mes Heldtit dhe Mustafës është diskutuar edhe rreth negociatave me LVV-në. “Kryetari Mustafa e falënderoi ambasadorin Heldt për bashkëpunimin dhe për përkrahjen e vazhdueshme që ia ka dhënë Gjermania Kosovës në të gjitha proceset. Po ashtu kryetari Mustafa e njoftoi Heldtin për rrjedhën e bisedimeve me LVV-në drejt formimit të koalicionit bashkëqeverisës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, të mërkurën Heldt bëri thirrje për krijim sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në anën tjetër, derisa ka folur rreth përpjekjeve të LVV-së e të LDK-së për formimin e qeverisë së re, politologu Belul Beqaj ka thënë se asnjë koalicion tjetër pos atij LVV - LDK nuk do të paraqiste vullnetin e qytetarëve. “Votuesit për herë të parë kanë filluar ta ndajnë ‘shapin prej sheqerit’. Prandaj problemi nuk është se a ka alternativë tjetër pos koalicionit LVV - LDK, por çdo koalicion tjetër nuk reflekton vullnetin politik të qytetarëve që zgjodhën ndryshimin”, ka deklaruar ai.

Derisa ka komentuar kërkesën e LDK-së për ta marrë postin e presidentit, Beqaj ka thënë se kjo pozitë nuk reflekton vullnetin politik të qytetarëve. //ZERI