Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Fluks i frikshëm i ikjes së mjekëve nga Kosova
Foto: Laura Hasani

Fluks i frikshëm i ikjes së mjekëve nga Kosova

Aktuale December 06, 2019 - 07:52
Detajet
Image

Gjermania, Suedia e shtetet tjera të Bashkimit Evropian po vazhdojnë t’ia marrin Kosovës punëtorët shëndetësorë. Së fundmi edhe Katari ka shfaqur interesim t’i rekrutojë mjekët kosovarë. Pasojat e ikjes së mjekëve nga vendi vlerësohet se do të jenë afatgjate, shkruan sot gazeta Zëri.

Qindra mjekë viteve të fundit kanë ikur nga Kosova për ta vazhduar profesionin e tyre në shtetet tjera të Bashkimit Evropian, ku edhe po paguhen më shumë. Fluksi i ikjeve i punëtorëve shëndetësorë vlerësohet të jetë në rritje edhe gjatë këtyre muajve, derisa po shtohet edhe rreziku se Kosova nuk do të ketë mjaftueshëm mjekë në një të ardhme të afërt.

Një nga vajzat, e cila ka kryer shkollën e mjekësisë në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se tani është duke kryer nivelin B1 të kursit të gjermanishtes. E pasi ta përvetësojë gjuhën më mirë ajo synon të shkojë në Gjermani e të punojë si mjeke. Kushtet më të mira të punës e pagat e larta, sipas saj, janë arsyet kryesore që e shtyjnë të kërkojë punë në shtetin gjerman e jo në vend.

Ndonëse nuk ka të dhënë të sakta se sa mjekë kanë lëshuar Kosovën, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se është duke u rritur edhe më shumë numri i mjekëve që po ikin nga Kosova. Ai ka thënë se kërkesat më të shumta për rekrutimin e mjekëve kosovarë vijnë nga Gjermania, por edhe nga shtetet tjera si Suedia. Sipas tij, së fundmi edhe Katari ka kërkuar mjekë nga Kosova. “Kemi parë që vetëm për punëtorët shëndetësorë po hapet rruga për në Gjermani. Duke parë situatën aktuale me të cilën po ballafaqohemi, me të vërtetë kërkesat vetëm janë duke u rritur. Duke u bazuar në disa informacione që janë në Odë të Mjekëve, njerëzit kanë filluar të mërziten nga kjo situatë, nga jostabiliteti për një vend të sigurt të punës e për kushtet që i kanë”, ka thënë ai.

Syla ka thënë tutje se gjeneratat e reja janë të prira më shumë ta vazhdojnë profesionin e tyre në shtetet tjera. “Gjeneratat e reja zakonisht janë të prira të emigrojnë, sepse e kanë parë që të vjetrit nuk kanë mundur të bëjnë diçka. Ne po shohim edhe skandalin me Ligjin e Pagave, atëherë me siguri se edhe mjekët specialistë do ta lëshojnë sistemin publik. Ne jemi në një pikë 7 mjekë në kokë banori dhe ne po rrezikojmë shumë”, ka shtuar ai.

QKUK-ja s’ka mjaftueshëm mjekë

Klinikat në QKUK vazhdimisht janë përballur me mungesë të stafit mjekësor, pavarësisht se në këto klinika gjatë këtij viti ka pasur rekrutim të mjekëve, por ai nuk ka qenë i mjaftueshëm. Një nga klinikat, e cila po përballet qe një kohë me mungesë të personelit mjekësor, është edhe ajo e Neonatologjisë. Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht se ata kanë bërë kërkesa për rekrutimin e 15 infermierëve, kanë marrë vetëm pesë. “Pavarësisht se kemi bërë kërkesën për rekrutim të stafit, kemi rekrutuar vetëm 5 infermierë në klinikë. Kërkesën ne e kemi parashtruar për 15 infermierë, edhe pse nuk janë të mjaftueshëm prapë për shërbime sa më cilësore”, ka thënë ai.

Gojnovci ka treguar se kanë nevojë për më shumë staf mjekësor në sallat operative e në ato klinike, derisa ka thënë se kanë marrë premtime që do të punësojnë më shumë staf në klinikë. “Ka premtime, megjithatë duhet të presim. Ne kemi nevojë për staf për përkujdesje të foshnjave, staf në repartin e sallave operative dhe në sallat klinike”, ka potencuar ai.

Kollçaku: Shëndetësia nuk ka qenë prioritet, pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate

Deputetja Fatmire Kollçaku, e cila është njohëse e fushës së shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë për “Zërin” se me kohë shëndetësia në vend nuk ka qenë prioritet, andaj edhe pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate.“Pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate, duke pasur parasysh se një kohë të gjatë shëndetësia nuk ka qenë prioritet duke pasur parasysh që edhe kur janë bërë punësimet kanë munguar edhe kushtet e punës. Kanë qenë edhe pagat e vogla e po ashtu mjekët nuk kanë pasur mundësi për edukim të vazhdueshëm profesional”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka thënë tutje se është si prioritet që mjekëve t’u rregullohen kushtet e punës, sepse kushtet jo të mira e pamundësia e zhvillimit në karrierë kanë qenë jomotivuese për ta. “Si prioritet është të rregullohen kushtet e punës për mjekët. Pjesëmarrja në konferenca e në trajnime ka qenë pothuajse e pamundur, zakonisht ka qenë e mundur vetëm për një grup të vogël të mjekëve. E gjithë kjo ka qenë jomotivim për mjekët e rinj, duke e parë se nuk ka zhvillim të karrierës, sepse studentët kur i përfundojnë studimet kanë nevojë të vazhdojnë me specializimin”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Time Kadrijaj, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shërbyer si mjeke, ka thënë për gazetën se është e dhimbshme dhe e padrejtë largimi i mjekëve. Sipas saj, me Ligjin e ri për Paga mjekët do të kenë përfitime, të cilat do të jenë të mjaftueshme për ta. “Kjo gjë është e padrejtë dhe e dhimbshme. Mjekët janë përfituesit më të mëdhenj nga Ligji i Pagave. Përfitimet kanë për të qenë më të shumta në Kosovë sesa në Gjermani. Me Ligjin për Paga unë mendoj se pagat janë rritur mbi 100 për qind për mjekët. Secila qeveri duhet të mundohet t’i ndalë kuadrot e saj. Atë çfarë ka mundur ta bëjë Qeveria ka qenë t’i rrisë përfitimet, pra është rritur paga mbi 100 për qind dhe besoj se mjekët kanë përfitime të mjaftueshme”, ka potencuar Kadrijaj. //ZERI