Gjykata Supreme shfuqizon dispozitën e OAK-ut për humbjen automatike të licencës së avokatit
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar paragrafin 2 të Nenit 61 të Statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës, i cili parashihte humbjen automatike të së drejtës për ushtrimin e avokatisë në rast të mospagesës së obligimeve financiare ndaj Odës.
Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të konfliktit administrativ të iniciuar nga paditësi Nasuf Hasani kundër OAK-ut lidhur me ligjshmërinë e kësaj dispozite statutare.
Sipas Gjykatës Supreme, Ligji për Avokatinë përcakton qartë se avokati e humb të drejtën për ushtrimin e profesionit vetëm nëse, brenda një periudhe prej një viti, nuk i përmbush detyrimet financiare ndaj Odës. Gjykata vlerësoi se ky standard ligjor nuk mund të ndryshohet me akt nënligjor.
Në aktgjykim thuhet se dispozita e Statutit të OAK-ut i jepte Odës kompetencë për të caktuar afate më të shkurtra sesa ato të parapara me ligj, duke krijuar standard juridik më të ashpër dhe në kundërshtim me hierarkinë e akteve juridike.
“Statuti nuk kufizohet vetëm në operacionalizimin e ligjit, por ndryshon përmbajtjen materiale të tij”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata theksoi se kontrolli gjyqësor i akteve nënligjore nuk cenon pavarësinë funksionale të Odës së Avokatëve, por garanton që institucionet të funksionojnë në përputhje me ligjin.
Sipas vendimit, dispozita e shfuqizuar krijonte regjim juridik të pavarur dhe cenonte parimin e sigurisë juridike dhe të ligjshmërisë, pasi parashihte humbjen “automatike” të së drejtës për ushtrimin e avokatisë mbi bazën e një afati të përcaktuar nga vetë Oda. /Zëri