Prokurori italian alarmon: Mafia shqiptare, ndër më të fuqishmet dhe më të përhapurat në Evropë
Prokurori i Antimafias italiane, Giuseppe Gatti, ka bërë deklarata të forta lidhur me fuqizimin dhe shtrirjen e organizatave kriminale shqiptare në Evropë, duke i cilësuar ato si ndër grupet më të strukturuara dhe më të rrezikshme në Bashkimin Evropian.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët me SPAK-un, pas operacionit të zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane kundër një grupi të dyshuar për pastrim parash mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Duhet ta themi! Organizatat kriminale shqiptare janë më të konsoliduarat dhe më të përhapurat në të gjithë Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për një fenomen alarmant dhe pjesërisht ende i nënvlerësuar”, deklaroi Gatti, shkruajnë mediat shqiptare.
Sipas tij, për shumë vite grupet shqiptare janë parë si organizata kriminale të nivelit të dytë, të përfshira kryesisht në prostitucion apo emigracion të paligjshëm, por sot ato kanë marrë një rol shumë më të madh në krimin ndërkombëtar.
“Këto grupe për shumë gjatë janë konsideruar si organizata të dorës së dytë, që merreshin me prostitucion apo me emigracionin e paligjshëm. Sot, realiteti na tregon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, të aftë për të marrë një rol kryesor në fushën e narkotrafikut ndërkombëtar. Pra një grup që vepron në të gjithë globin, që ndërvepron me organizatat mafioze më të rëndësishme italiane dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Prokurori italian theksoi se grupet kriminale shqiptare kanë arritur të forcohen përmes kontrollit territorial dhe eliminimit të rivalëve në Shqipëri, përpara se të zgjeronin aktivitetin jashtë vendit.
“Pasi shfarosin grupet rivale, nisën procesin e daljes nga vendi. Kemi një lidhje mes realitetit të organizatave shqiptare të pranishme në Itali dhe marrëdhënieve me ‘shtëpinë’. Në Shqipëri kemi një grup të strukturuar kriminal, brenda të cilit kemi edhe një person që akuzohet në Itali për vrasjen në Bari”, u shpreh Gatti.
Ai bëri gjithashtu një krahasim mes organizatave mafioze italiane dhe grupeve kriminale shqiptare, duke thënë se këto të fundit funksionojnë mbi kode të forta familjare dhe tradicionale.
“Edhe këtu kemi një mafie që bashkon traditën me modernen. Një mafie e lidhur me familjen, me kodet e sjelljes, me Kanunin, që rregullon marrëdhëniet familjare dhe kriminale. Në një pjesë të këtij hetimi, i dyshuari për këtë vrasje justifikon ekzekutimin e tmerrshëm duke thënë se ishin shkelur jo rregullat e një kontrate, por ato të një familjeje”, deklaroi prokurori italian. /klankosova