Në Spitalin e Pejës s’ka CO2 për operacione

Në Spitalin e Pejës s’ka CO2 për operacione

Aktuale July 01, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Spitalet rajonale në Kosovë gjatë këtij viti disa herë janë ballafaquar me mungesë të dyoksidit të karbonit (mbushet barku me gaz, në mënyrë që të shihet më mirë). Ky gaz është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera, shkruan gazeta "Zëri" 

Spitali i Pejës tashmë për më shumë se tre muaj nuk është furnizuar me gazin mjekues, dyoksidin e karbonit (CO2), i cili është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme. Zyrtari për informim në këtë spital, Naim Sahiti, ka thënë për “Zërin” se para tre muajve ka qenë hera e fundit kur janë furnizuar me CO2. E si furnizim në atë kohë ky spital ka marrë vetëm një bocë me dyoksid të karbonit.

LEXO EDHE: Bashkëpartiakët e sfidojnë Veselin

“Sa i përket furnizimit me gazra mjekuese, jemi rregullisht të furnizuar me O2 (oksigjen), si dhe me N2O( gaz oksidol), por CO2 nuk kemi. Furnizimi i fundit me ketë gaz mjekues (1 bocë) ka qenë para 3 muajve. Furnizim të rregullt nuk ka”, ka thënë ai. Derisa ky gaz vlerësohet të jetë i nevojshëm për operacionet që kryhen në spitale, Sahiti ka thënë se nuk ka kontratë me operatorë për furnizim me këtë gaz.

“Ne bëjmë kërkesa për furnizim sepse e kemi të nevojshëm këtë gaz, por përgjigjet në kërkesat tona për furnizim janë se nuk ka kontratë me operatorë për furnizim me këtë gaz. Një operator thuhet se sjell falas këtë gaz, çfarë ka ndodhur një herë tek ne, por furnizim të rregullt nuk ka”, ka thënë ai. Sipas tij, në rastet kur ka ndonjë mungesë të produkteve të domosdoshme ata intervenojnë me buxhetin e Spitalit.

Përveç Spitalit të Pejës, edhe spitalet tjera rajonale gjatë këtij viti e po ashtu edhe gjatë vitit të kaluar janë ballafaquar me mungesë të dyoksidit të karbonit. Mungesë të furnizimit ka pasur disa herë edhe Spitali i Prizrenit, nga i cili kanë deklaruar se tashmë janë furnizuar me CO2.

Kompanitë private mbesin zgjidhje për furnizim me CO2

Gazi mjekues CO2 ka munguar disa herë edhe në Spitalin e Gjakovës.

Drejtori i këtij spitali, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se ky gaz është i nevojshëm për operacionet që bëhen në Repartin e Kirurgjisë dhe në atë të Gjinekologjisë.

“Kemi pasur edhe ne mungesë, por jemi furnizuar me dyoksid të karbonit për salla të operacionit. Për punën me llaparaskopi ai është i nevojshëm. Në fillim ne kemi pasur probleme, ndërsa tani qëndrojmë pak më mirë. Janë operacionet që bëhen në Kirurgji dhe në Gjinekologji të cilat bëhen me shpime me llaparaskopi e për atë është edhe i nevojshëm ai”, ka thënë Asllani.

Për të mos ngecur puna Spitali i Gjakovës ka kërkuar nga kompania që i furnizon me oksigjen që në vend të një boce me oksigjen t’ua sjellin një më dyoksid të karbonit.

“Kompania që na sjell oksigjenin na ka bërë zgjidhje edhe për dyoksidin e karbonit. Ata përmes kontratës në mënyrë të rregullt e sjellin te ne, sikur spitalet tjera që kanë bërë zgjidhje, disa kanë marrë në vende private, neve na ka furnizuar me CO2 kjo kompani, do të thotë kemi bërë zëvendësime me një bocë të oksigjenit, për të mos ngecur puna”, ka thënë Asllani.

Millaku: Produktet mjekuese po mungojnë, gjendja në spitale e keqe

Për mungesën e produkteve mjekuese në spitalet rajonale ka pasur kritika disa herë edhe nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se çështjen e mungesës së produkteve mjekuese e kanë shtruar para ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit, por që sipas saj edhe pavarësisht kësaj gjendja sa i përket furnizimit nuk është e mirë.

“Është e vërtetë që produktet mjekuese ende po vazhdojnë të mungojnë. Edhe këtë ia bëmë pyetje ministrit, po për dallim nga e thëna në të bërë ne jemi duke e parë që ato po mungojnë edhe pse ai tha se kemi filluar dhe jemi duke vazhduar të pajisemi me produkte mjekuese, por gjendja në spitalet tona qëndron keq”, ka thënë ajo.

Millaku është shprehur se nuk pret ndonjë përmirësim të gjendjes në fushën e shëndetësisë, derisa edhe ka kritikuar ministrin Ismaili se po merret më shumë me marketing sesa me shëndetësi.

“Kemi një ministër që gjatë gjithë kohës merret me marketing e gjendja në shëndetësi ende është keq. Nuk do të ketë përmirësim edhe pavarësisht fjalëve të mira që na tha në Komision, ne ende nuk po arrijmë t’i shohim ato të arritura që po na i paraqet përmes konferencave”, ka thënë ajo më tej./ZERI