Bashkëpartiakët e sfidojnë Veselin
FOTO: Laura Hasani

Bashkëpartiakët e sfidojnë Veselin

Aktuale July 01, 2019 - 07:45
Lexoni detajet
Image

Me vendimin e Kadri Veselit për largim nga detyra zyrtare të bashkëpartiakëve që kanë aktakuza nuk po pajtohen disa nga themeluesit e PDK-së. Sami Lushtaku e Sokol Bashota vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre si krerë të PDK-së në Skenderaj e në Klinë ndonëse kanë të ngritura aktakuza. Njohës të çështjeve politike në vend konsiderojnë se me këtë vendim kryetari i PDK-së po has në rezistencë nga njerëz të krahut të Hashim Thaçit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur të sfidohet nga disa bashkëpartiakë të tij për vendimin që ka marrë për t’i larguar nga pozitat zyrtare anëtarët e partisë të cilët kanë probleme me ligjin. Ndonëse pothuajse është bërë gjysmë muaji që Veseli ka liruar nga detyra partiake dhe institucionale zyrtarët e partisë që kanë aktakuza, jo të gjithë anëtarët e PDK-së e kanë përfillur këtë vendim.

Në Skenderaj e në Klinë ende vazhdojnë të qëndrojnë në krye të degëve të PDK-së Sami Lushtaku e Sokol Bashota. Lushtaku ka vuajtur dënim me 7 vjet burg për krime lufte dhe për të njëjtën çështje ai ende ka një aktakuzë të ngritur nga EULEX-i, pasi ishte arratisur nga QKUK-ja gjatë kohës sa vuante dënimin. Mirëpo ai deklaron se as Kadri Veseli dhe as Hashim Thaçi nuk mund ta largojnë prej Partisë Demokratike të Kosovës, një gjë të tillë Lushtaku thotë se do ta bëjë kur të dojë vetë dhe jo për hir të reformave të Veselit.

LEXO EDHE: Shukri Buja hyn nën shënjestrën e Speciales

Në një njoftim me shkrim Sami Lushtaku është shprehur se nuk është ai që duhet të largohet nga partia, por disa anëtarë të tjerë, që sipas tij kontrollojnë drejtësinë e bizneset në Kosovë. Edhe Sokol Bashota në fund të majit të këtij viti është dënuar nga gjykata me 6 muaj burgim me kusht dhe një mijë euro gjobë për “Deklarim të rrejshëm të pasurisë”. Por ndonëse është i dënuar, ai është shprehur se nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga Veseli për lirim të detyrës.

Beqa: Vendimi i Veselit i kategorizon aktakuzat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, është shprehur për gazetën “Zëri” se Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, ndonëse kanë aktakuza, nuk i kanë të llojit të aktakuzave të cilave Veseli u ka shpallur luftë.

“Vendimi i kryetarit Veseli ka qenë i qartë dhe ka bërë kategorizime për të cilat aktakuza bëhet fjalë, domethënë për rastin kur ka të bëjë me ‘Korrupsion’, ‘Nepotizëm’ dhe me ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Sa u përket personave në fjalë, unë nuk kam informatë që kanë aktakuzë për këto kategori të veprave të cilat i ka përmendur zoti Veseli në vendimin e tij”, ka thënë Beqa.

Beqa nuk e pranon se ka pasur kundërshtime brenda partisë për vendimin e Veselit, megjithatë ai thotë se qëndrimet e partisë duhet të respektohen nga të gjithë.

“Unë nuk kam parë ndonjë kundërshtim brenda partisë për këtë vendim. Edhe zoti Lushtaku, edhe zoti Bashota janë njerëz me besueshmëri në shoqëri dhe në parti, por në të njëjtën kohë vendimet që merren në parti përmes kryetarit të partisë duhet të respektohen nga të gjithë, sepse nuk bëhen për individë të caktuar, por për të gjithë e në interes të shoqërisë dhe të zhvillimit kolektiv”, ka thënë Beqa.

Opozita: Veselin po e sfidon krahu i Thaçit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për “Zërin” ka deklaruar se vendimi i Veselit ka hasur në rezistencë të madhe nga vetë themeluesit e PDK-së. Rugova thotë se ky vendim është bërë sa për ta shpërlarë veten, pasi që, siç shprehet ai, kapja e shtetit identifikohet me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me liderin e saj.

“Ky vendim është vetëm një farsë që ka hasur në rezistencë të fuqishme edhe nga hisedarët kryesorë të PDK-së, të cilët i kanë sjellë vota partisë. Veseli po tenton që me një trik politik dhe kozmetik thjesht të shpërlahet për korrupsionin dhe zhvatjen që i ka bërë jo vetëm pasurisë publike, por edhe për krijimin e imazhit të keq të Kosovës me qeverisjen e PDK-së që nga 2008-a”, ka potencuar ai.

Rugova thekson se me vendimin e fundit që ka marrë Kadri Veseli po sfidohet nga persona që sipas tij identifikohen me Hashim Thaçin. “Të gjithë këta njerëz që kanë marrë shumë vota dhe janë ngritur qoftë në nivel lokal ose qendror dhe që po e sfidojnë haptas Kadri Veselin janë njerëz të cilët identifikohen me Hashim Thaçin. Prandaj Veseli ende nuk ka mundur të instalohet si lider i vërtetë i Partisë Demokratike, sepse dihet që ende hija e Hashim Thaçit është prezente dhe është e fuqishme brenda PDK-së”, ka deklaruar Rugova.

Abazi: PDK-ja nuk mund të reformohet pjesërisht

Analisti politik Haki Abazi ka thënë për “Zërin” se vendimi i Veselit nuk po arrin t’i prekë të gjithë anëtarët e PDK-së që kanë probleme me ligjin. Kësisoj Abazi potencon se kjo parti nuk mund t’i bëjë reformat në formë të pjesërishme, pasi që, siç thotë ai, PDK-ja është parti që brenda vetes ka shumë njerëz me të kaluar kriminale.

“PDK-ja nuk mund të reformohet pjesërisht ose duke larë mëkate me largimin e disa individëve, që po ashtu e kanë për qëllim të pastrohen para ligjit përderisa kjo parti kontrollon institucionet gjyqësore. Nuk ka gjyqësi të pavarur, por ka tentim të amnistisë së krimit. Kjo ndërmarrje pothuaj despotike e Veselit do të shënojë rënien e lidershipit të PDK-së në varrin që u ka hapur partive tjera për një kohë të gjatë”, ka theksuar Abazi.

Kësisoj Abazi thekson se vendimi i Veselit nuk duhet të merret seriozisht. Duke përmendur rastin “Pronto”, Abazi ka thënë se protagonistë të krimit e të korrupsionit janë vetë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët për 20 vjet me radhë kanë kapur shtetin dhe nuk kanë lejuar që të sundojë demokracia./ZERI