Shukri Buja hyn nën shënjestrën e Speciales
FOTO: Laura Hasani

Shukri Buja hyn nën shënjestrën e Speciales

Aktuale July 01, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, më 17 korrik të këtij viti do të dalë para Prokurorisë së Specializuar në cilësinë e të dyshuarit. Këtë e ka konfirmuar vetë Buja për “Zërin”, ku ka shtuar se nuk pret drejtësi nga kjo gjykatë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë. Ftesën e ka konfirmuar vetë Buja, i cili për “Zërin” ka deklaruar se ndonëse nuk beson se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi për UÇK-në dhe për luftën e saj të drejtë.

 Ai më 17 korrik do të paraqitet para Prokurorisë Speciale.

“Jam i ftuar nga Prokuroria Speciale, paraqitjen do ta kem më 17 korrik në Hagë. Kam pranuar ftesën, e kam konfirmuar pjesëmarrjen në Prokurori. Do ta respektoj këtë dhe do të jem prezent në Gjykatë. Jam ftuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Buja.

LEXO EDHE: Bashkëpartiakët e sfidojnë Veselin

Mirëpo pavarësisht se ka pranuar ftesën, Buja e vlerëson Gjykatën Speciale si gjykatë politike dhe të njëanshme

. “Se sa do të ketë drejtësi mbetet të shihet, mirëpo Gjykata Speciale shihet që është gjykatë politike, e njëanshme dhe do të jetë e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Përderisa nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së kanë paralajmëruar ardhjen e ftesave të reja në korrik të këtij viti, përfaqësues të partive politike dhe analistë vlerësojnë se ndër personat që do të ftohen nga kjo gjykatë mund të jenë edhe liderët aktualë të vendit.

Tahiri: Shpresoj që Specialja të mos jetë vetëm përndjekje politike

I kontaktuar për këtë çështje, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka deklaruar për “Zërin” se ndonëse Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, ajo e qëndron si e pavarur dhe funksionon jashtë territorit të Kosovës. Tahiri ka thënë se shpreson që ajo të jetë e pavarur në punën e saj dhe të sjellë drejtësi për Kosovën.

“Gjykatat janë të pavarura dhe e bëjnë punën e tyre. Nuk ka nevojë për koordinim mes institucioneve qeveritare dhe gjykatave. Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, që vepron jashtë territorit të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk ka nevojë për koordinim për çështje operacionale të punës së tyre, kështu që ne as nuk njoftohemi e as nuk e dimë, sepse nuk është diçka që duhet të ndodhë. Është gjykatë dhe duhet të funksionojë si e pavarur, shpresoj që të jetë e pavarur”, ka thënë ai.

Kësisoj Tahiri shpreson që Gjykata Speciale të mos jetë vetëm përndjekje ndaj individëve të caktuar, por të sjellë edhe drejtësi për Kosovën.

“Gjykata e ka mandatin e saj dhe se pse është funksionale sot, pres që të jetë një gjykatë e cila do të funksionojë mbi parimet e së drejtës dhe të ketë tamam drejtësi, jo vetëm përndjekje politike”, ka shtuar ai.

Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, parti kjo e cila kishte votuar pro formimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015, ka deklaruar për “Zërin” se është ende herët të flitet për punën e këtij organi.

Ai ndër të tjera ka thënë që është i rëndësishëm fakti që 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e kanë votuar këtë gjykatë.

“Gjykata Speciale është votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2015. Konsideroj që nëse 2/3 e përfaqësuesve të Kosovës e kanë votuar këtë gjykatë, është ende herët të themi se çka do të bëjë kjo gjykatë, si do t’i trajtojë këto raste etj. Kam pasur dilema se pse afati i Dhomave të Veçanta të Speciales është shtyrë deri në vitin 2001, kur dihet që lufta ka përfunduar më 12 qershor, por uroj që te kjo gjykatë të mbizotërojë forca e argumentit dhe drejtësia të vihet në vend”, ka potencuar ai.

Abazi: Thaçi në krye të listës së të akuzuarve të Speciales

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, duke e komentuar punën e deritanishme të Gjykatës Speciale, e ka vlerësuar atë si komplekse, por e cila duhet të zbardhë krimet e kryera në Kosovë gjatë dhe pas luftës me Serbinë. Kësisoj, sipas tij, nuk duhet vënë në dyshim lufta e drejtë e UÇK-së, por duhet të hetohen të gjithë ata që e keqpërdorën emrin e saj për përfitime individuale.

“Dhomat Speciale të Gjykatës Ndërkombëtare janë në një veprim të ngadalshëm, por gjithsesi ky është një proces shumë kompleks. Ana komplekse ka të bëjë me atë se nuk është duke u gjykuar lufta e drejtë e UÇK-së, sepse e gjithë bota dhe faktet janë në anën e asaj që quhet luftë e drejtë e shqiptarëve kundër terrorit serb, por ka individë të cilët akuzohen se kanë përdorur emrin dhe emblemën e UÇK-së për të përfituar për vete dhe për grupet e tyre të caktuara”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, është e rëndësishme që Gjykata të hetojë dhe të zbardhë të gjitha vrasjet që janë bërë gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës me Serbinë, në të kundërtën sipas tij u mbetet organeve të tjera të drejtësisë kosovare ta bëjnë këtë.

Ai mes të tjerash ka vlerësuar se edhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, gjendet në krye të listës së të akuzuarve nga ana e Gjykatës Speciale.

“Unë jam i bindur që edhe Thaçi është në krye të listës së të akuzuarve dhe kjo është arsyeja që është duke u ngutur për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë dhe po shpërndan certifikata e mirënjohje, po i viziton njerëzit në shtëpitë e tyre etj. Ai është duke përdorur të gjitha format e mundshme për të ardhur deri te një situatë që nëse ngrihet aktakuza të mos ketë njerëz të cilët do të dëshmojnë ose do ta akuzojnë atë për veprat me të cilat ngarkohet”, ka shtuar ai.

Deri tash ftesa nga Gjykata Speciale kanë pranuar edhe ish-komandantët e tjerë: Rrustem Mustafa (Zona Operative e Llapit), Sokol Dobruna (Gjykata Ushtarake e UÇK-së), Sami Lushtaku (Zona Operative e Drenicës), Nazif Mehmeti (njëri nga komandantët në Zonën Operative të Llapit) etj./ZERI