Kusari-Lila: Rrëzimin e Qeverisë do ta mbështesin edhe deputetët e pozitës
FOTO: Laura Hasani

Kusari-Lila: Rrëzimin e Qeverisë do ta mbështesin edhe deputetët e pozitës

Aktuale June 10, 2019 - 07:51
Lexoni detajet
Image

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur e bindur se iniciativa e opozitës për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” do të jetë e suksesshme, pasi kjo do të përkrahet edhe nga disa deputetë të pozitës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lista e dështimeve të qeverisë “Haradinaj” është e gjatë dhe kësisoj ka shumë arsye që Qeveria të ndërrohet. Kështu vlerëson deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila në një intervistë për gazetën “Zëri” është shprehur optimiste se mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë do të jetë efektiv. Ajo pret që kësaj nisme t’i bashkohen edhe deputetë të pozitës, të cilët janë të pakënaqur me veprimet e Qeverisë aktuale.

LEXO EDHE: Opozita: Zgjedhjet në nëntor

Kusari pranon se edhe pse kanë disa mospajtime me deputetin tjetër të partisë Ilir Dedën, ekziston pajtim i plotë brenda Alternativës për të votuar pro rrëzimit të Qeverisë. Por në rast të mocionit të suksesshëm Kusari-Lila pohon se nuk kanë vendosur se me cilën parti do të bëjnë koalicion, ndonëse gjatë kësaj legjislature Alternativa ka pasur koordinim të mirë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Alternativa bashkëpunon me të tria partitë opozitare, me LDK-në, LVV-në dhe me PSD-në. Kohëve të fundit kemi pasur përafrim me LVV-në, por gjithashtu në vazhdimësi koordinim edhe me partitë tjera. Ende nuk ka ndonjë vendim final për koalicion të mundshëm me partitë opozitare”, ka deklaruar Kusari-Lila në intervistën për “Zërin".

Qeveria do të bjerë me votat e deputetëve në pushtet

Zëri: Së fundmi kemi parë një iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me partitë tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” përmes mocionit të votëbesimit në Kuvend. A jeni optimiste se do të ketë sukses kjo nismë?

Kusari-Lila: Unë besoj se nisma e opozitës do të duhej të ishte kohë më parë e prezantuar, pasi shumë herët qeveria “Haradinaj” ka dëshmuar se nuk e ka as kapacitetin dhe as mundësinë të qeverisë si duhet me vendin. Besoj se do të ketë sukses dhe atë jo vetëm se partitë e opozitës e duan rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, por largimin e saj e duan edhe disa deputetë të pozitës. Mosmarrëveshjet në mes të palëve në qeverisje kanë qenë shumë të mëdha gjatë gjithë periudhës së Qeverisë.

Zëri: A ka pajtueshmëri brenda Alternativës për ta votuar mocionin?

Kusari-Lila: Po, Alternativa e mbështet rrëzimin e Qeverisë dhe rrjedhimisht edhe kemi dhënë nënshkrimin për mocionin e mosbesimit për të rrëzuar qeverinë “Haradinaj”.

Zëri: Si opozitë a keni ndonjë strategji se si do të arrini t’i siguroni votat për mocion kur aktualisht e dimë që nuk i keni numrat e nevojshëm?

Kusari-Lila: Siç e përmenda në fillim, jam shumë e bindur se do të ketë edhe deputetë të pozitës të cilët do të mbështesin këtë mocion për arsye tjera ndoshta nga opozita, por gjithsesi për qëllimin e njëjtë, rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

Qeveria u formua dhe mund të rrëzohet me votat e Listës Serbe

Zëri: A ka ndonjë parti votat e së cilës nuk duhet të pranohen për ta rrëzuar Qeverinë?

Kusari-Lila: Nuk është përcaktuar saktë dhe në mënyrë të prerë se votat e cilëve deputetë nuk do të pranohen. Por mendoj se argumenti dhe morali i përcaktimit të votës në këtë rast nuk do të duhej të ishte dominues, pasi flasim për të njëjtën Qeveri, e cila për t’u votuar priti me orë të tëra Listën Serbe të kthehej nga Beogradi për ta votuar. Andaj të përcaktojë opozita votat e kujt nuk i duhen nuk më duket standard i duhur për rrëzimin e kësaj Qeverie.

Lista e gjatë e dështimeve të Qeverisë

Zëri: Pse sipas jush duhet të ndërrohet Qeveria? Cilat janë dështimet dhe të arriturat e saj?

Kusari-Lila: Fatkeqësisht për Kosovën kjo Qeveri është e stërmbushur me dështime. Aq shumë skandale dhe dështime e kanë karakterizuar qeverisjen “Haradinaj”, sa duhet listë e gjatë e emërimit të atyre dështimeve. Prej fillimit të vendimeve, sikur rritja e pagës për kryeministrin dhe për bashkëpunëtorët, te mungesa e çfarëdo koordinimi në mes të partive në pushtet për vendimmarrje, te madhësia e Qeverisë, tek emërimet e zëvendësministrave, të këshilltarëve e të koordinatorëve, tejkalimi i shpenzimeve dhe rritja enorme e tyre, falja e borxheve pa ligj e procedurë, mungesa e çfarëdo progresi në procesin e liberalizimit të vizave pavarësisht premtimeve të mëdha, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, rritja e nepotizmit dhe mbrojtja publike e favoreve në bazë të interesit politik etj. Lista e dështimeve është e gjatë dhe vazhdon ende, saqë edhe nëse rastësisht mund të ketë pasur ndonjë sukses të vetmuar humbet në këtë listë të dëmeve që ua kanë bërë vendit.

Zëri: Deputetë të PSD-së kanë theksuar se kanë një plan për t’i dhënë fund Qeverisë brenda gjashtë muajve, a do ta mbështesnit një të tillë?

Kusari-Lila: Mendoj se nuk kemi kohë të presim gjashtë muaj, duhet vepruar sa ma parë. Ajo çfarë vlen të përmendet është se koha për rrëzimin e kësaj Qeverie moti ka skaduar. Çdo ditë e re që këta janë në pushtet është humbje për vendin.

Përafrimi me Vetëvendosjen

Zëri: Në rast të zgjedhjeve të parakohshme me cilën nga tri partitë opozitare (LDK, LVV, PSD) Alternativa do të jetë më e prirë për koalicion?

Kusari-Lila: Alternativa bashkëpunon me të tria partitë opozitare, me LDK-në, LVV-në dhe me PSD-në. Kohëve të fundit kemi pasur përafrim me LVV-në, por gjithashtu në vazhdimësi koordinim edhe me partitë tjera. Ende nuk ka ndonjë vendim final për koalicion të mundshëm me partitë opozitare.

Zëri: Ka kohë që me deputetin tjetër të partisë suaj, Ilir Dedën, nuk i keni bashkërenduar qëndrimet. Çka ka ndikuar që të zbehen raportet mes jush dhe si qëndrojnë raportet tuaja aktualisht?

Kusari-Lila: Ilir Deda ka prezantuar qëndrim ndryshe nga forumet e partisë në disa tema kyçe për vendin. Ndërsa tema e cila ka shkaktuar këtë tërheqje të Ilirit nga aktivitetet e partisë është vendimi për mospjesëmarrje në ekipin negociator dhe mosmbështetja e grupit të kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj. Kryesia e Alternativës ka vendosur të mos e mbështesë këtë format pa përfshirjen e dy partive më të mëdha opozitare.

Thaçi në luftë për ta mbajtur veten në skenën politike

Zëri: Si po i shihni deklaratat dhe diskursin e presidentit Hashim Thaçi për prekjen e kufijve? A i konsideroni të rrezikshme idetë e tilla?

Kusari-Lila: Presidenti Hashim Thaçi tashmë një vit luan me një temë shumë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin. Idetë e tij janë vetëm sa për të mbajtur atë aktiv në skenën politike dhe për të ngritur peshën e vendimmarrjes, të cilën ai dëshiron ta ketë në Kosovë dhe në Ballkan. Fatmirësisht faktori politik në Kosovë dhe disa vende kyçe të Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermania, nuk ia mbështetën këtë ide dhe tani ka filluar të flasë për diçka të re, prapë vetëm të lëvizë fokusin nga temat të cilat me të vërtetë janë në interes për t’u diskutuar për vendin.

Zëri: Ka kohë që Serbia e ka kushtëzuar rinisjen e dialogut me taksën, a duhet që Kosova ta heqë taksën për t’i dhënë mundësi dialogut?

Kusari-Lila: Tanimë jemi në fazën që Kosova assesi nuk duhet të plotësojë kushte të vëna nga Serbia. Nëse është kusht heqja e taksës nga bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë mundësi dialogut, Kosova duhet të vendosë reciprocitet të menjëhershëm me Serbinë. Në këtë mënyrë që Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare të kuptojnë pengesat dhe goditjet e vazhdueshme që Serbia ia jep Kosovës edhe gjatë procesit negociator, edhe jashtë procesit. Kemi të bëjmë me një vend agresor dhe me pjesëmarrësit e njëjtë që ishin aktivë edhe gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit në pozita kyçe. Andaj të veprohet me kushte të tyre është e panevojshme dhe e dëmshme për Kosovën./ZERI