Opozita: Zgjedhjet në nëntor
FOTO: Laura Hasani

Opozita: Zgjedhjet në nëntor

Aktuale June 10, 2019 - 07:35
Lexoni detajet
Image

Deputetët e opozitës presin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në nëntor të këtij viti, pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në disa subjekte politike, me ç’rast, siç thonë ata, do të rrëzohet Qeveria “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Subjektet politike opozitare nuk pritet ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend pa përfunduar procesi zgjedhor brendapartiak, në të cilin proces ndodhen aktualisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por edhe partneri i madh i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

LEXO EDHE: Çfarë ndryshimesh përfshin Projektligji i punës dhe ai për lehonat?

Të dy këto parti të mëdha parlamentare janë duke i zhvilluar zgjedhjet e brendshme, të cilat janë karakterizuar me pakënaqësi të ndryshme, madje edhe me përleshje fizike mes anëtarëve të disa degëve partiake, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Javë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur iniciativën për rrëzimin e Qeverisë në bashkërendim me drejtuesit e dy subjekteve tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe Partinë Socialdemokrate, ndonëse kjo e fundit në disa raste e ka përkrahur qeverinë “Haradinaj” në Kuvend.

Sipas opozitës, qeveria “Haradinaj” sa më shpejt duhet të rrëzohet për shkak, siç kanë thënë ata, të skandaleve të shumta. Pakënaqësi me Qeverinë që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj ka edhe partneri i madh i këtij koalicioni (PDK-ja), duke reflektuar kështu në raportet jo të mira të ish-shefit të PDK-së dhe presidentit aktual të vendit Hashim Thaçit me shefin e Qeverisë për çështjen e kufijve me Serbinë dhe taksën 100 për qind ndaj saj.

Deputetët e opozitës kanë thënë për “Zërin” se zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend pritet të ketë në nëntor të këtij viti.

Opozita: Na nevojiten vetëm tri vota

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se brenda këtij muaji pritet të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor në këtë parti, derisa ka thënë se pret që para fillimit të vjeshtës të ngrihet mocioni për rrëzimin e Qeverisë dhe në muajin nëntor vendi të shkojë në zgjedhje.

“LDK-ja iniciativën për bashkëveprim të partive politike për rrëzimin e Qeverisë nuk e lidh me procesin e brendshëm zgjedhor të partisë. Kryetari Mustafa ka takuar dy kryetarët e partive opozitare dhe vetëm se i kemi 58 nënshkrime për mocion. Unë jam shumë optimist që para fillimit të vjeshtës mocioni për rrëzimin e Qeverisë do ta japë efektin e vet, do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Kur shpërbëhet Parlamenti, është limiti ligjor që brenda 45 ditëve të organizohen zgjedhjet e reja. Unë pres që para përfundimit të muajit nëntor Kosova të ketë zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

Rugova ka thënë se kryetari i LDK-së është duke mbajtur takime intensive edhe me partitë në pozitë për rrëzimin e Qeverisë.

Ndërsa deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë për gazetën “Zëri” se do të jetë më mirë që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje.

“Ne kemi filluar diskutimet për rrëzimin e Qeverisë dhe sa më shpejt që kjo të ndodhë është më mirë. Neve na nevojiten edhe 2-3 vota prej deputetëve të partive që janë në pushtet. Në momentin që do të arrijmë t’i kemi votat e mjaftueshme kjo do të procedohet më tutje”, ka thënë ajo.

 Pozita: Opozita s’mund ta rrëzojë Qeverinë

Përndryshe, deklarimeve të opozitës për rrëzim të Qeverisë nuk po u frikësohet partia e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Deputetë të AAK-së disa herë kanë thënë për gazetën “Zëri” se Qeveria do ta çojë mandatin deri në fund, pasi që opozita nuk do të mund ta rrëzojë atë.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se pas zgjedhjeve të brendshme partiake PDK-ja do të jetë edhe më e fortë, por që edhe pavarësisht kësaj nuk pret që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Si PDK jemi në fund të procesit zgjedhor. PDK-ja asnjëherë nuk u është frikësuar zgjedhjeve. Ne që nga viti 2007 të gjitha zgjedhjet i kemi fituar. Për të shkuar në zgjedhje veprimet e opozitës nuk i shoh shumë serioze dhe konsideroj që sa i përket kësaj opozite Qeveria do ta çojë deri në fund mandatin. Ne edhe para zgjedhjeve të PDK-së, edhe pas tyre nuk e kemi problemin për të shkuar në zgjedhje, por vendi është duke ecur në procese të tjera dhe mendoj që në këtë vit institucionet duhet të kenë një unitet nacional dhe duhet të mbyllet procesi negociator mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë ai.

Beqaj ka thënë se edhe pse është e drejtë e opozitës që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, ajo nuk do të mundet ta realizojë një gjë të tillë.

Tahiri: Zgjedhjet, pas zgjedhjeve

Analisti i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, ka thënë për “Zërin” se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme gjatë kohës sa janë duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme në LDK e në PDK. Sipas tij, procedurë për zgjedhje të përgjithshme nuk do të ketë deri në muajin shtator të këtij viti.

“Zgjedhjet e brendshme janë obligim që mbahen çdo katër vjet. Ky është obligim ligjor. Për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është iniciativa qe një vit për 40 nënshkrime, por nuk po e procedojnë kërkesën. Nuk e kanë seriozisht sepse po kërkojnë t’i bëjnë 61 nënshkrime e pastaj ta dërgojnë kërkesën. Para shtatorit nuk ka procedurë për zgjedhje e as për rrëzim të Qeverisë. Asnjë parti nuk është e interesuar për zgjedhje të mirëfillta”, ka thënë ai.

Tahiri nuk është shprehur optimist se zgjedhje të përgjithshme do të ketë edhe pas muajit shtator.

“Proceset po shkojnë mbrapa. Duke marrë parasysh që 60 për qind e Parlamentit na përtërihet në zgjedhje nuk jam shumë optimist, sepse sistemi zgjedhor ka mbetur i vjetër”, ka thënë ai./ZERI