Legjislatura më pasive që nga paslufta
Foto: Laura Hasani

Legjislatura më pasive që nga paslufta

Aktuale April 17, 2019 - 08:06
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Legjislatura e gjashtë vlerësohet si më e dobëta në krahasim me ato parapraket, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Legjislatura aktuale vlerësohet si më e dobëta që nga paslufta e këndej, pasi shumë ligje nuk po arrijnë të miratohen në Kuvend që nga viti 2017. Mungesa e kuorumit, mungesa e koordinimit mes grupeve parlamentare dhe mosmbajtja e seancave të rregullta janë disa nga problemet që kanë përcjellë punën e legjislaturës së gjashtë.

LEXO EDHE: Përpjekja franko-gjermane për ta rinisur dialogun

Në të gjeturat e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thuhet se për vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka përmbushur 42% të agjendës së tij legjislative, shkruan më tuje Gazeta "Zëri". 

Gjatë këtij viti Kuvendi ka miratuar vetëm 18 ligje, derisa në agjendën e këtij viti i ka për shqyrtim 133 projektligje.

Deputetë nga partitë opozitare kanë thënë për “Zërin” se koalicioni qeverisës është në kolaps të plotë dhe se nuk po ka mundësi të votojë as për agjenda të rëndësishme për vendin.

Në anën tjetër njohës të çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se edhe numri i madh i seancave të jashtëzakonshme që janë mbajtur gjatë këtij viti ka ndikuar të mos votohen disa nga pikat e mbetura që nga viti 2017.

Legjislatura më e dobët, koalicioni qeverisës pa fuqi

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, derisa e ka quajtur këtë legjislaturë si më të dobëtën, ka thënë për “Zërin” se koalicioni qeverisës është në kolaps të plotë.

“Kjo Qeveri nuk e ka shumicën. Këta partnerë të koalicionit janë në kolaps të plotë politik e institucional dhe mund të konsiderohet se është një nga legjislaturat më pasive të Kuvendit që nga legjislatura e parë. Për mbarëvajtjen dhe për respektimin e Rregullores së Punës së Kuvendit është përgjegjës kryetari i Kuvendit me kryesinë, po ashtu edhe koalicioni qeverisës”, ka thënë ai.

Sipas tij, problem serioz për partnerët e koalicionit është edhe ajo që ata nuk po mund të kalojnë as disa borde të institucioneve dhe të agjencive të rëndësishme në vend.

“Kjo legjislaturë tregon edhe situatën e përgjithshme politike në vend, për pamundësitë e këtij koalicioni qeverisës që t’i shtyjë agjendat e udhëheqjes së vendit tutje, sepse nuk i kanë numrat. Në mungesë të kuorumit janë grumbulluar pika të rendit të ditës nga disa seanca të kaluar. Këta partnerë të koalicionit kanë edhe probleme serioze. Ata nuk po mund t’i kalojnë as bordet e caktuara për institucione të pavarura dhe për agjenci të rëndësishme”, ka thënë ai.

Rugova ka thënë më tej se LDK-ja do të japë kontributin e saj vetëm në ligjet, të cilat janë të rëndësishme për vendin e në veçanti ato që kanë të bëjnë me agjendën evropiane dhe me sundimin e rendit e të ligjit.

Mospjesëmarrja në votime i dëmton qytetarët

Deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se mospjesëmarrja në votime dhe mosmiratimi i ligjeve i dëmton qytetarët e vendit.

“Çështja e pjesëmarrjes në votime është çështje e vendimeve politike. Ne si PSD marrim çdoherë pjesë në votim si për pro, kundër ose abstenim, varësisht prej çështjeve që janë për votim dhe prej qëndrimeve tona politike. Mospjesëmarrja e dëmton në përgjithësi edhe qytetarin, duke mos miratuar ligje të cilat ndoshta ndikojnë edhe drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së tyre”, ka thënë ajo.

Pantina ka thënë më tej se për të pasur mbarëvajtje më të mirë të punës së Kuvendit seancat duhet të jenë të rregullta dhe të thirren të enjten.

“Kuvendi duhet ta kthejë punën normale duke thirrur seanca çdo javë, çdo të enjte, ashtu siç ka qenë praktika e mëhershme, sepse deputetët pastaj e dinë, e kanë të përcaktuar ditën e enjte për të marrë pjesë në seanca. Gjatë ditëve të tjera mund të mbajnë aktivitetet tjera siç janë mbledhjet e komisionit, takimet me elektorat e pjesëmarrjet në tryeza të ndryshme. Pra për të siguruar një mbarëvajtje më të mirë të punës së Kuvendit seancat duhet të jenë të rregullta”, ka thënë ajo.

Haliti: Duhet të bëhet një marrëveshje mes grupeve parlamentare

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk është hera e parë që në Kuvend nuk votohen pikat e rendit të ditës. Sipas tij, tani është duke u punuar që projektligjet të kalojnë në lexim të parë e më pastaj nëse ka vullnet do të votohen.

“Tani për tani ne jemi duke punuar në lexim të parë, kur t’i kalojmë të gjitha pastaj votohen dhe besoj se do të ketë vullnet për t'i votuar. Nëse nuk ka vullnet nuk do të ndryshojë gjendja”, ka thënë ai.

Haliti ka thënë se të gjitha grupet parlamentare duhet të lidhin një marrëveshje që të kalohen pikat, të cilat janë me interes për qytetarët.

Sfidë për Kuvendin që ta përmbushë agjendën e vitit 2019

Gjatë këtij viti Kuvendi i Kosovës do të ketë në agjendë shqyrtimin e 133 projektligjeve. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës Agnesa Haxhiu.

Ajo ka thënë se gjatë sesionit pranveror Kuvendi ka miratuar vetëm 18 ligje, derisa do të jetë sfidë përmbushja e agjendës së këtij viti.

“Që nga fillimi i sesionit të ri pranveror Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 18 ligje, ndërkaq në procedurë për votim në lexim të dytë janë edhe 13 projektligje të tjera, por për shkak të mungesës së kuorumit procesi i votimit për to është përsëritur disa herë dhe pa rezultat. Edhe pse jemi në mes të muajit prill Kuvendi ende nuk e ka miratuar planprogramin e punës për vitin 2019, por duke u bazuar në programin legjislativ të Qeverisë, si dhe të projektligjeve që janë bartur nga viti i kaluar Kuvendi do të ketë për shqyrtim 133 projektligje, të cilat do të jetë shumë sfidë për Kuvendin që të përmbushet një agjendë e tillë, për shkak të bllokadës në të cilën gjendet”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se për shkak të mungesës së kuorumit për t’i votuar rezolutat dhe rekomandimet e nxjerra, si dhe për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare asnjë nga debatet e mbajtura gjatë këtij viti nuk ka përfunduar.

Sipas saj, numri i madh i seancave të jashtëzakonshme ka ndikuar edhe në lënien anash të pikave të papërfunduara që nga viti 2017.

“Numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë (janar - prill) ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash, që kanë mbetur të papërfunduara nga muaji tetor i vitit 2017. Vetëm katër seanca plenare janë mbajtur për këtë periudhë kohore dhe për pasojë Kuvendi aktualisht i ka të hapura gjashtë seanca me gjithsej 56 pika të rendit të ditës. Prej tyre 30 pika janë shqyrtim i projektligjeve, në shqyrtim në parim ose në shqyrtim të dytë”, ka thënë ajo më tej.