Ngjarja e rëndë në Shkodër, Balla apel grave: Denonconi dhunën

Ngjarja e rëndë në Shkodër, Balla apel grave: Denonconi dhunën

Aktuale May 05, 2024 - 20:35

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur, e shtyrë nga dhuna e bashkëshortit të saj.

Balla, në një reagim në rrjetin social Facebook, ka bërë apel që çdo grua të denoncojë dhunën e çfarëdolloj forme. Sipas tij, dhuna ndaj grave nuk është një çështje private por sipas Ballës, ajo duhet denoncuar publikisht.

“Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, ka shkruar ministri i Balla në Facebook.