Përpjekja franko-gjermane për ta rinisur dialogun

Përpjekja franko-gjermane për ta rinisur dialogun

Aktuale April 17, 2019 - 08:03
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj më 29 prill 2019 pritet të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Berlin të Gjermanisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse asnjëri prej dy krerëve institucionalë deri më tash nuk ka bërë të ditur se për çka saktësisht do të diskutohet në takimet e Berlinit, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i dialogut do të jetë temë e pashmangshme e takimeve të fundprillit në kryeqendrën gjermane.

LEXO EDHE: BE-ja rindez ‘luftën’ politike në Kosovë

Sipas tyre, shtetet e BE-së do të bëjnë sërish edhe një përpjekje për ta rinisur procesin e negociatave Kosovë - Serbi, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Gjithashtu ata vlerësojnë se Gjermania, e cila bashkë me Francën janë organizatore të Samitit, do t’ia bëjë të qartë presidentit Hashim Thaçi se ideja për korrigjim të kufijve nuk mund të jetësohet.

Në anën tjetër, derisa përfaqësuesit e koalicionit qeverisës mbeten optimistë se në Berlin nuk do të hapet tema e kufijve, zyrtarë të opozitës thonë që para se të vazhdohet me dialogun vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Isufi: Në Berlin mund të diskutohet për dialogun, por jo për kufijtë

Gjersa ka folur rreth Samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është nder për Republikën e Kosovës të marrë pjesë në një organizim të tillë.

Megjithëkëtë, shefi i ekzekutivit nuk ka treguar nëse në Berlin do të diskutohet rreth çështjes së negociatave ose arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale mes Kosovës e Serbisë. P

orse ka pohuar se ky samit, që do të drejtohet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, mund të jetë një mundësi e Kosovës për të lëvizur para sa u përket vizave.

“Është një nder që në emër të Kosovës e përfaqësojmë Kosovën në këtë takim. Është një takim me peshë dhe është mirë që ky takim do të drejtohet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. Takimi i 29 prillit është një mundësi që të ecim përpara edhe me liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Haradinaj para pak ditësh.

Ndërkaq Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, partisë që drejton kryeministri, ka thënë se në Samitin e Berlinit mund të flitet për vazhdimin e dialogut, por jo edhe për korrigjim të kufijve.

“Duke e ditur qëndrimin e kancelares Merkel dhe të Gjermanisë, po ashtu angazhimin e atyre që e dinë rrezikshmërinë e një teme të tillë, nuk besoj që mund të bisedohet për ndryshim kufijsh. Më shumë sigurisht do të diskutohet për çështjen e dialogut, se si të mundë të fillojë ky proces”, ka deklaruar Isufi.

Avdyli: Zgjedhje, para dialogut

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për rinisje të dialogut, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka konsideruar se negociatat Kosovë - Serbi duhet të rifillojnë vetëm pasi në Kosovë të organizohen zgjedhjet e parakohshme. Kjo pasi sipas tij udhëheqësit e tanishëm të dialogut nuk janë të legjitimuar për ta drejtuar këtë proces.

“Tani në dialog është një palë kosovare jolegjitime, nuk është palë që ka vullnetin e shumicës shqiptare. Mendoj që tani për tani ky jolegjitimitet politik është i dëmshëm edhe për mbarëvajtjen e dialogut, por edhe për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje politike të mundshme që mund të derivohet nga ky dialog. Në këtë drejtim mendoj që zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e duhur”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Avdylit, procesi i dialogut deri më tash është përcjellë me shumë paqartësi dhe ka qenë shumë jotransparent. Ndërkohë, teksa ka komentuar deklaratat e presidentit për korrigjim kufijsh, deputeti i LDK-së ka thënë se ky subjekt do të angazhohet të mos lejojë të ndodhë diçka që nuk është në interes të Kosovës.

Ai ka thënë se as presidenti, as kryeministri nuk kanë bërë të ditur se për çka do të diskutohet në Samitin e Berlinit, ndonëse në medie në vazhdimësi është përfolur që tema kyçe do të jetë çështja e dialogut.

Dialogu, temë e pashmangshme në Berlin

Perparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se synimi i Samitit gjermano-frank është që ta trasojë rrugën për rinisjen e negociatave Kosovë - Serbi.

“Qëllimi i tij është t’i krijojë parakushtet që të vazhdojë dialogu, i cili ka stagnuar ditëve të fundit. Por jo për qëllim të fundit të ketë një marrëveshje, pasi që e dimë se marrëveshja duhet të arrihet mes Kosovës e Serbisë, nëpërmjet BE-së, meqë Rezoluta e OKB-së e ka paraparë që dialogu të zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, përkatësisht Brukselit. Prandaj mendoj që qëllimi i takimeve është të krijohet atmosfera e nevojshme dhe e mjaftueshme që të vazhdojë dialogu”, ka deklaruar ai.

Së këndejmi Kryeziu ka vlerësuar se procesi i bisedimeve Kosovë - Serbi si temë e diskutimit në Berlin nuk mund të shmanget në asnjë rrethanë.

“Pa asnjë dyshim është e pashmangshme tema e dialogut në cilindo takim të këtij rangu, sidomos kur në atë takim do të jenë edhe presidenti i vendit, gjithashtu edhe kryeministri, si dhe do të jenë krerët e shteteve kryesore të BE-së”, ka nënvizuar ai.

Edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka konsideruar se në këtë samit do të vazhdojë kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për t’i kthyer në tavolinë të dyja palët.

“Mendoj që fokusi kryesor ose kërkesa kryesore ndaj Kosovës do të jetë që ta pezullojë taksën, në mënyrë që Serbia të kthehet në dialog, pasi taksa është kusht i Serbisë. “Nuk e di nëse do të ketë ndonjë propozim konkret nga Franca dhe Gjermania për një marrëveshje konkrete, por më shumë do të jetë një përpjekje e radhës që ky samit të shfrytëzohet që të dyja palët të kthehen në tavolinë pa kushte ose edhe Kosova ta shqyrtojë edhe një herë pezullimin e taksës”, ka theksuar ajo.

Gjermania do ta përsërisë qëndrimin kundër lëvizjes së kufijve

Në Samitin e Berlinit Gjermania do ta përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj, tashmë të njohur, kundër lëvizjes së kufijve. Kështu ka vlerësuar Perparim Kryeziu, i cili ka thënë se sikurse palës kosovare, edhe asaj serbe do t’i bëhet e qartë se një opsion i tillë nuk është i duhuri për ta arritur marrëveshjen.

“Jam shumë i sigurt që e njëjta qasje do t’i rikujtohet presidentit Thaçi, sikurse Serbisë, por edhe sikurse shteteve të tjera, duke përfshirë këtu edhe vetë Francën, e cila deri më tash ka pasur një qëndrim pak më neutral dhe jodrejtpërdrejt të qartë sikurse e ka thënë Gjermania sa i përket kësaj çështjeje”, ka theksuar Kryeziu.

Ndërkohë Haxholli ka thënë se zgjidhje për marrëveshjen Kosovë - Serbi nuk është as plani gjerman, i cili kohët e fundit ka qarkulluar në medie.

“Ne e kemi parë se ka qarkulluar nëpër medie plani gjerman i Merkelit, që thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte një asociacion me kompetenca shtesë dhe një njohje jo e pavarësisë, por një njohje nga Serbia e realitetit në terren. Mendoj që ky propozim nuk i konvenon Kosovës, nëse është një propozim që ende qëndron, pasi që Asociacioni me Kompetenca Ekzekutive është njëjtë i rrezikshëm sa ideja e korrigjimit të kufijve”, ka theksuar ajo, duke shtuar se presidenti dhe kryeministri duhet të paraqiten sa më të unifikuar në Berlin.