SBASHK-u jep një paralajmërim të madh: Kaq mund të zgjasë greva

Aktuale January 23, 2019 - 19:09
Lexo Detajet

Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në gjithë Kosovën, të cilët po kërkojnë ngritjen e koeficientit.

Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës në arsim do të kompensohen.

Megjithatë Ymer Ymeri nga SBASHK-u ka thënë se institucionet nuk duhet të dalin me deklarata të tilla.

“Mendoj që institucionet duhet të kursehen nga deklaratat për fillimin ose kompensimin e orëve sepse ende jemi në grevë. Besoj që kemi nevojë që të zhvillojmë dialog dhe ta gjejmë formën se si ta ndërprejmë grevën e jo të bisedojmë sot për zëvendësimin e orëve të humbura kur ende sot jemi në grevë dhe nuk dihet sa do të zgjasë greva”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Ndoshta greva do të zgjasë edhe me muaj prandaj nuk duhet institucionet të kërkojnë që të zëvendësohen ditët e humbura”.

Ymeri ka treguar edhe arsyet se pse SBASHK-u nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë dhe e ka vazhduar grevën.

“Oferta e Qeverisë është rritja prej 0.2 duke iu shtuar çdo koeficienti të punonjësve të arsimit parauniversitar pa i përfshirë çerdhet, punëtorët teknikë/administrativë dhe Universitetin – shuma e përgjithshme e kësaj oferte është 10-12 milionë euro”.

“Diferenca e ngritjes mes sektorëve të tjerë dhe arsimit është shumë e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse anëtarësia jonë e ka refuzuar këtë ofertë”.

“Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Maqedoninë, paga e mësimdhënësit në Shqipëri dhe paga e ministrit është në raport 1 me 1.2 derisa në Kosovë raporti është 1 me 5”.

“Paga e mësimdhënësve mund të jetë më e madhe në Kosovë se në Shqipër por pagat duhet t’i krahasojmë brenda shtetit të Kosovës pra duhet t’i krahasojmë pagat në arsim me pagat në sektorët e tjerë”.

“Sipas Entit Statistikor të Kosovës, paga mesatare në vitin 2017 në sektorin privat dhe publik ka qenë 528 euro derisa paga e arsimtarit ka qenë nën pagën mesatare në Kosovë”.

“Qeveria gjithmonë thotë se arsimi është prioritet por në bazë të shpërblimit që ju jep del se nuk është prioritet”.

Ai ka thënë se greva në arsim është mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të një shkolle në Deçan.

“Deklaratat që nxënësit dhe arsimtarët janë në shkollë është e vërtetë por nxënësit janë në shkollë me dëshirën e tyre derisa mësimdhënësit janë duke bërë grevë”.

Ymer Ymeri nga SBASHK ka thënë se si pasojë e grevës po dëmtohen nxënësit por sipas tij për këtë gjë nuk është përgjegjës SBASHK-u.

“Nga 30.000 grevistë që janë në greve që tetë ditë shumica e tyre janë prindër dhe fëmijët e tyre janë në shkolla publike dhe sot edhe fëmijët e tyre janë në shtëpi”.

“Nëse fëmijët e askujt tjetër grevistëve iu dhimbsen fëmijët e tyre”.

“Mësimdhënësit ndjejnë dhimbje se po shkojnë në shkollë dhe nuk po mbajnë mësim por këtë situatë e kanë sjellë institucionet e Kosovës”.

“Kosto buxhetore e këtij viti, pa e përfshirë ofertën e fundit ka qenë 90 milionë euro, nëse 84.000 të punësuarve në arsim ndajmë proporcionalisht i bie secilit ka 100 euro derisa 80-90 % të punëtorëve të arsimit kanë pasë ngritje të koeficientit 0 që do të thotë se sektorët tjerë janë favorizuar më shumë”.

“Jemi në radhitje mes koeficientit 1 dhe 2, kemi kërkuar të kalojmë në koeficientët 2 dhe 3”.

“Nuk kemi kërkuar rritje të pagave por kemi kërkuar rritje të koeficientit. Le të ulet vlera e koeficientit, le të ngritet koeficienti dhe le të na vendosni te koeficienti 4, le të na dhënë të njëjtën rrogë”.

“Tërhiqe Ligjin, mos i rrit pagat atëherë greva ndërpritet dhe mësimi fillon”.

Problemi është që ligji bëhet për një kohë të gjatë dhe sektori i arsimit po mbetet në fund të rangimit, nuk është problemi i rritjes së pagave – nuk po kërkojmë të rriten pagat, po kërkojmë rangimin e mësimdhënësve në vendin e merituar”.