'Dialogu me Serbinë, i pakuptimtë'

Aktuale January 21, 2019 - 12:02
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Serbia po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, përderisa vazhdimin e dialogut në Bruksel po e kushtëzon me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave të tyre. Analistët politikë në vend vlerësojnë se derisa po vazhdon një lobim i tillë i shtetit serb, atëherë dialogu në mes të dyja vendeve është i pakuptimtë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Eugen Cakolli, nga KDI-ja, vlerëson se përderisa po vazhdon lobimi nga shteti serb kundër Kosovës, atëherë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pakuptimtë. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duheshin ta bënin të qartë se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe është kundërpërgjigje ndaj këtij lobimi.

“Deklarimet e ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, se Serbia do ta ndalojë fushatën vetëm atëherë kur SHBA-ja do ta ndalojë fushatën e tyre për njohje të Kosovës dëshmojnë se dialogu është i pakuptimtë të vazhdohet me një qasje të tillë”, ka thënë Cakolli për “Zërin”, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të lobojnë te shtetet kryesore të BE-së për ta arsyetuar vazhdimin e aplikimit të taksës ndaj produkteve serbe..

LEXO EDHE: Çnjohje po, taksë jo!

Sipas Cakollit, taksa 100% ndaj mallrave serbe duhet të arsyetohet me lobimin agresiv të Serbisë. Ndërsa negocimin me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, Cakolli e sheh si shkaktar kryesor që i ka krijuar hapësirë Serbisë që të lobojë negativisht për Kosovën.

“Është tejet e gabuar nga institucionet e vendit që të vazhdojnë të negociojnë dhe të dialogojnë për çështje të brendshme të Kosovës, të cilat i kanë dhënë mundësi Serbisë të ketë në dorë një kartë të tillë të tërheqjes së njohjeve mbi pretekstin se çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe kjo pritet të zgjidhet në kuadër të dialogut përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai./ZERI