Çnjohje po, taksë jo!

Aktuale January 21, 2019 - 08:12
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Serbia po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, përderisa vazhdimin e dialogut në Bruksel po e kushtëzon me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave të tyre. Analistët politikë në vend vlerësojnë se derisa po vazhdon një lobim i tillë i shtetit serb, atëherë dialogu në mes të dyja vendeve është i pakuptimtë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zyrtarët serbë po refuzojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel me përfaqësuesit politikë të Kosovës pa e hequr taksën prej 100% ndaj mallrave të tyre, mirëpo nuk po ndalin fushatën e egër ndaj shtetit më të ri në Evropë. Dhe për veprime të tilla sipas analistëve politikë askush nga ndërkombëtarët nuk po e kritikon Serbinë, derisa Kosovës po i kërkojnë urgjentisht ta shfuqizojë taksën 100%.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ditë më parë ka njoftuar se edhe një shtet i ri e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, duke përmendur Republikën e Palauit. Madje sipas tij, presidenti i Palauit sot do të takohet në Beograd me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, të cilit do t’ia konfirmojë tërheqjen e njohjes së Kosovës.

LEXO EDHE: Nesër takimi për heqjen e taksës

Përpos fushatës së egër diplomatike, Serbia po vazhdon t’u bëjë presion edhe pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po i merr me orë të tëra në pyetje në vendkalimet kufitare.  

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, e cila udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, konfirmojnë se Serbia me çdo kusht po mundohet ta pengojë Kosovën. Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë i kanë deklaruar gazetës “Zëri” se derisa po vazhdon një lobim i tillë i shtetit serb edhe dialogu në mes të dyja vendeve që synohet të vazhdojë në Bruksel është i pakuptimtë.

MPJ: Daçiqi, gënjeshtar

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ka thënë për “Zërin” se Serbia po mundohet ta krijojë një opinion të rrejshëm për Kosovën në botë.

“Synimet e Serbisë janë që përmes fushatës propagandistike, pra përmes asaj që e quan ajo ‘çnjohje’ të bëjë një presion mbi Kosovën dhe përmes kësaj synon të krijojë një opinion të rrejshëm në botë kinse Kosova ka ende probleme të pazgjidhura, të cilat lidhen me pavarësinë e saj. Ajo po e përdor këtë presion në proces të dialogut, por edhe si një levë në raport me Bashkimin Evropian për të arritur përfitime për vete”, ka thënë ai.

Haxholli vlerëson se Serbia me çdo kusht po tenton ta pengojë Kosovën në proceset e saj.

“Serbia përdor edhe forma të tjera të kundërshtimit të Kosovës në të gjitha instancat, ta zëmë arrestimin e pjesëtarëve serbë të FSK-së, idenë e saj që përmes Rusisë të provojë t’i adresojë çështjet që lidhen me njohjen e pavarësisë së Kosovës, nota proteste dhe shkresat që ua çon vendeve lidhur me aktivitete e veprime shtetërore dhe diplomatike të Kosovës. Pra Serbia po shfrytëzon çdo formë dhe çdo instrument me synimin që të ushtrojë presion mbi Kosovën”, ka thënë ai.

Haxholli e ka mohuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se Republika e Palauit e ka tërhequr njohjen e Kosovës.

“As nuk kemi marrë një kërkesë të tillë e as nuk presim të marrim, siç nuk kemi marrë as edhe nga vendet tjera për të cilat pretendon Serbia, sepse duke qenë se njohjet që i kemi marrë janë të pakthyeshme, të parevokueshme, vullnetlira nga 116 vendet dhe presim edhe njohje të reja. Besoj se nuk ekziston opsioni që ndonjë shtet tani për hatër të Serbisë të bëjë ndonjë shkresë zyrtare në adresë të Kosovës, në të cilën do të theksohej se ne e revokojmë njohjen”, ka potencuar ai.

Kjo ngase një gjë e tillë do të prodhonte një skandal diplomatik në kundërshtim me praktikën dhe me Ligjin Ndërkombëtar, si dhe do të nënkuptonte një situatë joserioze për imazhin e cilitdo vend që bën një gjë të tillë.

Hoti: Serbia s’po dëshiron marrëveshje përfundimtare me Kosovën

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se lobimi i fuqishëm i shtetit serb dëshmon se këta nuk dëshirojnë të arrijnë marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

“Angazhimi i fuqishëm i Serbisë në diplomacinë ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës për tërheqjen e njohjeve është shenjë se ajo nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje për njohje të shtetit të Kosovës, por për zhbërje të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Hoti vlerëson se Kosova duhet të punojë me partnerët e saj me qëllim që ta forcojë shtetësinë e Kosovës. “Duhet të punojmë shumë bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë për ta fuqizuar shtetësinë e Kosovës. Duhet të punojmë shumë që në dialogun me Serbinë të jemi të qartë se çfarë dëshirojmë dhe të jemi unikë si shtet”, ka potencuar ai.

Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” që përderisa fushata lobuese e Serbisë do të vazhdojë Kosova do t’i përgjigjet shtetit serb në të njëjtën formë.

“Ne e kemi parë në vazhdimësi gjithë fushatën të cilën e ka bërë shteti i Serbisë kundër Kosovës në arën ndërkombëtare, qoftë në procesin e njohjeve, por edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Serbia po i shfrytëzon të gjitha lidhjet që i ka, në mënyrë që shtetin e Kosovës ta bëjë jofunksional, prandaj karshi këtyre veprimeve shteti i Kosovës ka ndërmarrë masën 100% taksë ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës”, ka thënë ajo.

Kadrijaj vlerëson se do të duhej që Kosova t’i përgjigjet në të njëjtën formë shtetit serb deri kur kjo të ndalë fushatën agresive kundrejt Kosovës. “Duhet që t’i përgjigjemi në çdo veprim të cilin e bën Serbia karshi proceseve të Kosovës. Ne jemi shtet dhe do të vazhdojmë të sillemi si shtet, prandaj Serbisë do t’i përgjigjemi me reciprocitet”, ka thënë ajo.

Cakolli: Dialogu me Serbinë, i pakuptimtë

Kurse Eugen Cakolli, nga KDI-ja, vlerëson se përderisa po vazhdon lobimi nga shteti serb kundër Kosovës, atëherë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pakuptimtë. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duheshin ta bënin të qartë se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe është kundërpërgjigje ndaj këtij lobimi.

“Deklarimet e ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, se Serbia do ta ndalojë fushatën vetëm atëherë kur SHBA-ja do ta ndalojë fushatën e tyre për njohje të Kosovës dëshmojnë se dialogu është i pakuptimtë të vazhdohet me një qasje të tillë”, ka thënë Cakolli për “Zërin”, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të lobojnë te shtetet kryesore të BE-së për ta arsyetuar vazhdimin e aplikimit të taksës ndaj produkteve serbe.

Sipas Cakollit, taksa 100% ndaj mallrave serbe duhet të arsyetohet me lobimin agresiv të Serbisë. Ndërsa negocimin me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, Cakolli e sheh si shkaktar kryesor që i ka krijuar hapësirë Serbisë që të lobojë negativisht për Kosovën.

“Është tejet e gabuar nga institucionet e vendit që të vazhdojnë të negociojnë dhe të dialogojnë për çështje të brendshme të Kosovës, të cilat i kanë dhënë mundësi Serbisë të ketë në dorë një kartë të tillë të tërheqjes së njohjeve mbi pretekstin se çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe kjo pritet të zgjidhet në kuadër të dialogut përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai. /ZERI