Shkencëtari 18-vjeçar i Kamenicës

Aktuale December 30, 2018 - 11:08
Lexo detajet
Image

Ndonëse është vetëm 18-vjeçar, talenti i tij në robotikë nuk e ka ndalur Gëzim Morinën që të krijojë rreth 100 projekte elektronike e robotike. Me të hyrë në shtëpinë e Gëzimit është e pamundur të mos e dish se cila është dhoma e shkencëtarit të ri të fshatit Topanicë të Kamenicës. E mbuluar me pajisje të mbetura teknike, dera e dhomës së 18-vjeçarit vërehej lehtë, ndërsa dhoma brenda i ngjante një laboratori të elektronikës, shkruan gazeta "Zëri".

Me letra e me materiale tjera ricikluese Gëzim Morina, i cili vijon studimet në vitin e parë në UBT, ka një vullnet të jashtëzakonshëm për krijimin e pajisjeve robotike. Ai ka rrëfyer për gazetën se si i ka lindur ideja për robotikë.

LEXO EDHE: Trevjeçare në klasë të parë

“Ideja më ka lindur para 5 ose 6 vjetëve nga librat e shkollës, kur e kam bërë edhe punimin e parë, që ka qenë krijimi i një qarku të thjeshtë. Aty më ka lindur ideja dhe jam inspiruar shumë nga drita që është ndezur, gjë që më ka shtyrë edhe më shumë për të hulumtuar në këtë drejtim. Prej atij momenti kur e bëra qarkun e thjeshtë, që ishte punimi im i parë, fillova edhe me shumë punime të tjera”, ka thënë ai.

Me sy që i shndrisin e me një modesti të ëmbël ai flet për pajisjet që ka krijuar.

“Projekti që ndihem më së shumti krenar për të është ky robot i vogël, që është i ndërtuar i gjithi me letër, përpos elektromotorit, i cili është prej hekuri. E kam bërë edhe komandën me të cilën e komandoj unë pajisjen prej distancës. Roboti mundet të ecën para dhe mbrapa”, ka thënë ai.

Distanca prej së cilës mund t’i kontrollojë Gëzimi pajisjet e tij është 10 metra.

“Kam edhe projekte të tjera. Një robot gati se të njëjtë, i cili është kryesisht i ndërtuar nga letra dhe është në formë të merimangës, vihet në lëvizje prej një eletromotori dhe nga distanca prej 10 metrash e kontrolloj”, ka rrëfyer më tutje 18-vjeçari.

Në mesin e 100 pajisjeve Gëzim Morina ka krijuar edhe lojëra atraktive, të cilat i fascinojnë edhe shokët e tij, që e vizitojnë atë shumë shpesh. Vetura robotike, fluturake robotike e drita interesante gjenden në të gjitha pjesët e dhomës së tij.

E po ashtu edhe ndriçimi në dhomën e tij bëhet në një formë interesante. Me dy të rrahura të duarve drita në dhomë i ndriçon pajisjet që Gëzimi ka krijuar.

Ai me një nostalgji tregon për mirënjohjet që ka marrë për projektet e tij ndër vite.

Ndonëse e përfaqësoi shkollën e tij të Kamenicës, ku vijoi mësimet në krijimin e pajisjeve robotike, Gëzimi u shpërblye edhe me mirënjohje për këto krijime.

Mirëpo më e veçanta për të është pjesëmarrja e vitit të kaluar në Amerikë, ku në mesin e qindra pjesëmarrësve ai e përfaqësoi Kosovën.

“Kam mirënjohje për prezantimin e eksperimenteve elektrike që e kam bërë në Kamenicë, aty kam pasur edhe shumë shikues, që janë interesuar për punën time dhe kanë ardhur për t’i parë këto punime. Po ashtu një mirënjohje e kam nga shkolla e mesme, ku kam vijuar mësimet për kreativitetin dhe suksesin e treguar aty. Ndërsa ajo që e vlerësoj më shumë është certifikatë, që e kam marrë vitin e kaluar në Amerikë, ku kam qenë me disa studentë për gara të robotikës, që janë mbajtur në Uashington dhe aty kam qenë pjesë e atij grupi që e përfaqësuam Kosovën në gara të robotikës”, ka rrëfyer ai.

Ndërsa tani 18-vjeçari po punon në një projekt më të madh, i cili është edhe më i kushtueshëm dhe i duhen mjete më të mëdha financiare.

Gëzimi, që deri më tani të gjitha punimet i ka bërë me ndihmën e familjes, thotë që e kanë vizituar shumë politikanë e krerë institucionalë, mirëpo vetëm zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka ndihmuar financiarisht atë.

Pacolli ia ka paguar atij vitin e parë në kolegjin UBT, në drejtimin Mekatronikë.

“Njëherë përnjëherë nga Komuna nuk kam pasur ndonjë ndihmë për mjete financiare, por përveçqë kanë ardhur shumë përfaqësues të institucioneve për të parë punën time, i vetmi që më ka dalë në ndihmë dhe e ka mbajtur premtimin ka qenë Behgjet Pacolli, i cili më ka mundësuar që t’i vazhdoj studimet, duke më paguar vitin e parë”, ka theksuar ai.

Mirëpo Gëzim Morinës i mbeten edhe dy vjet për ta paguar kolegjin, gjë që e vështirëson krijimin e pajisjeve të reja. Ndonëse ato kërkojnë talentë, por mbi të gjitha kërkojnë edhe mjete financiare, të cilat ai thekson se e ka mjaft të vështirë t’i sigurojë.

“Për të ndërtuar pajisje për robotikë duhen mjete shumë të mira dhe unë nuk i kam ato mjete që përdoren për ndërtimin e një roboti profesional, por punoj me mjete që riciklohen me letër e dru, pra kryesisht me mjete që mund të manovrohet lehtë me to. Të gjitha këto punime i kam bërë me mjete financiare të familjes sime”, ka rrëfyer ai.

Ai thotë se një ditë shpreson që mund të bëhet ligjërues për brezat e rinj që janë të interesuar për robotikë. “Mendoj se po, mund edhe t’u ligjëroj një ditë të rinjve se si të arrijnë diçka nga asgjë”, ka thënë ai.

Krejt në fund Gëzim Morina pati një dhuratë për gazetën “Zëri”, ku në një pajisje të cilën e kishte ndërtuar ai u shfaq emri i gazetës, që kontrollohej me një telekomandë.