Trevjeçare në klasë të parë

Aktuale December 30, 2018 - 09:18
Lexo detajet
Image

Para 15 vjetësh Shqipdona Hajdaraj u bë një rast i pazakontë në fshatin Klladernicë të komunës së Skenderajt. Ende pa i mbushur katër vjet ajo filloi klasën e parë, ndërsa si 16-vjeçare Shqipdona ka filluar studimet në universitet, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shqipdona Hajdaraj ishte vetëm trevjeçare kur ka filluar klasën e parë në shkollën “Migjeni”, në fshatin Klladernicë të komunës së Skenderajt. Edhe pse shumë e vogël ajo i kishte lënë lodrat e saj në shtëpi për të filluar një rrugëtim të ri.

Shkas për këtë rast u bë motra e Shqipdonës, e cila ishte dy vjet më e madhe e nga e cila nuk pranonte të ndahej. Prindërit e saj u detyruan që t’i dërgojnë dy vajzat bashkë në shkollë, fillimisht në ciklin parashkollor e më pas edhe në klasën e parë.

LEXO EDHE: Fizikani kosovar që i gjeti gabime Ajnshtajnit

Shqipdona thotë se fillimi i shkollimit në moshë kaq të re ka qenë i vështirë, pasi ajo kishte probleme me gjumin dhe me ecjen. Probleme ajo kishte edhe gjatë lojërave me fëmijët e tjerë, për shkak se fizikisht ishte e pafuqishme kundrejt atyre që ishin dy vjet më të mëdhenj se ajo. Por vështirësitë nuk e kanë ndaluar atë që të vazhdojë shkollimin për vitet në vijim.

Ajo për “Zërin” ka rrëfyer rreth sfidave me të cilat ishte ballafaquar gjatë shkollimit.

2-vjeçare hyn në parashkollor

Shqipdona ka treguar arsyen pse ajo ka filluar shkollimin në një moshë kaq të re.

“Unë në parashkollor kam hyrë në moshën dy vjeçe e gjysmë dhe në dhjetor i kam bërë tri vjet. Faktikisht nuk ka qenë e lehtë për mua. Ne kemi qenë dy motra. Motra më e madhe i ka pasur pesë vjet dhe unë nuk kam mundur të qëndroj pa të. Pas kësaj babai e ka lutur mësuesen që edhe unë të shkoj në shkollë me motrën time, ndonëse ende nuk i kam pasur as tre vjet”, ka rrëfyer Shqipdona për gazetën “Zërin”.

Dilema për pranimin e saj në shkollë në këtë moshë kanë pasur mësuesit e saj, të cilët fillimisht nuk kanë dashur ta pranojnë atë.

“Klasën e parë e kam filluar në moshën tre vjeçe e gjysmë. Mësuesit e kanë pasur të vështirë të më pranojnë, por pas insistimit të prindërve ata kanë pranuar. Kur kam filluar klasën e parë kam pasur shumë probleme me gjumin dhe kam qëndruar vazhdimisht duke fjetur në klasë. Ata e kanë vërejtur këtë gjë dhe e kanë lajmëruar babanë tim, duke i thënë se nuk duan të më pranojnë”, ka rrëfyer tutje ajo.

Ecja dhe gjumi ishin sfidat kryesore

Ecja dhe gjumi kanë qenë sfidat kryesore me të cilat është përballur Shqipdona si trevjeçare në atë kohë. Ajo thotë që pavarësisht moshës mësuesit nuk e kanë anashkaluar dhe janë marrë me të.

“Në atë kohë e kam pasur problem ecjen dhe gjumin, shpeshherë kam fjetur në shkollë. Mësuesit kanë pasur konsideratë për mua. Ata mësues që e kanë ditur se unë jam më e re në krahasim me nxënësit e tjerë janë sjellë shumë mirë me mua e më kanë përkrahur vazhdimisht dhe këtë gjë janë munduar ta transmetojnë edhe te të tjerët, që unë jam e vogël, porse kam sukses të mirë”, ka rrëfyer tutje ajo.

Madje Shqipdona rrëfen se si një herë në klasë përgjatë orëve e ka zënë gjumi e ku nuk është zgjuar nga askush derisa ka përfunduar mësimi.

“Një herë tjetër kam fjetur në klasë shumë. Mësuesja ka kërkuar që të mos më zgjojnë për shkak se kam qenë edhe më e vogël, mandej kur jam zgjuar kam filluar t’i nxjerr fletoret për të shkruar, por mësimi kishte pasur përfunduar gjatë kohës sa unë isha duke fjetur”, ka rrëfyer ajo.

Rast tjetër interesant që Shqipdona ka treguar ka qenë edhe mësimi për bashkësitë në klasën e dytë e për shkak se nuk ka pasur nxënës me moshë të njëjtë me të ajo kishte mbetur vetëm.

“Kur kemi qenë në klasën e dytë ne kemi mësuar për bashkësinë. Mësuesja na ka treguar që bashkësitë ndahen me elemente të përbashkëta dhe si shembull ka marrë moshën. Në klasë ajo i ka ndarë në grupe nxënësit me moshë të njëjtë dhe unë mbeta e vetme, pasi të gjithë kanë qenë më të mëdhenj se unë. Ai moment ka qenë shumë i vështirë për mua si fëmijë, ku edhe kam qarë”, ka treguar ajo.

Vështirësi ajo ka pasur edhe gjatë lojërave me fëmijët e tjerë, të cilët fizikisht kanë qenë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se ajo. “Në parashkollor e kam pasur shumë të vështirë të luaj me nxënësit e tjerë. Si trivjeçare unë kam qenë shumë e pafuqishme dhe shpesh më kanë rrëzuar e gjëra të ngjashme. Fizikisht kam qenë shumë më e vogël sesa ata dhe është vërejtur shumë”, ka treguar ajo.

18-vjeçare, studente e vitit të dytë në fakultet

Tani Shqipdona ka mbushur 18 vjet dhe është duke ndjekur studimet në vitin e dytë në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukimit. E për raportet e saj me studentët e me profesorët Shqipdona thotë se janë korrekte.

“Studimet i kam filluar në moshën 16-vjeçare. Jo të gjithë profesorët e dinë se jam në moshë më të re sesa gjenerata ime. Tani kam filluar të tregoj më shumë për rastin tim. Në vitin e parë e ka ditur vetëm një profesoreshë, e cila është sjellë shumë mirë me mua. Edhe studentët më kanë pritur shumë mirë. Fillimisht janë befasuar dhe u është dukur shumë interesant, por më pas e kanë pranuar këtë gjë”, ka rrëfyer ajo.

E për nxënësit e tjerë që janë në pozitë të njëjtë me Shqipdonën trevjeçare ajo ka pasur një mesazh.

“Mendoj që mosha nuk e përcakton pjekurinë e njeriut. Njeriu nuk rritet me moshë, asnjëherë. Thonë që çdo moshë i ka kënaqësitë e zakonet e veta. Unë nuk kam pasur fëmijëri si fëmijët tjerë. Kur kam filluar fakultetin asnjë student nuk e ka dalluar që jam dy vjet më e vogël se studentët tjerë. Mundohem të japë më të mirën prej vetes që një ditë ta përfundoj fakultetin dhe të punoj në profesionin, të cilin e kam zgjedhur me shumë qejf”, përfundon rrëfimi i Shqipdonës.

 

 

 

Image
Dëftesat ku tregohet se në cilin vit dhe në cilen moshë Shqipdona e ka përfunduar shkollën fillore dhe atë të mesme