Pacolli optimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Pacolli optimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Aktuale tetor 11, 2018 - 18:51
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është shprehur optimist në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Pacolli ka bërë të ditur se diplomatët kosovarë vazhdimisht kanë lobuar për këtë anëtarësim, gjë që ka vazhduar edhe gjatë qëndrimit të tij në Jerevan të Armenisë, në kuadër të Konferencës së Frankofonisë.

“Jemi takuar me shumë shefa të shteteve të ndryshme, me Kryeministrin e Kanadasë, kemi lobuar për votë në nëntor. Kemi biseduar me të gjitha shtetet, pa marrë parasysh a na kanë njohur apo jo, për votën e nëntorit në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Unë nuk besoj që ka një shtet në botë që nuk e di se Kosova është në agjendën e Samitit Ndërkombëtar të INTERPOL-it këtë vit. Të gjithë e dinë dhe mund t’ju them se kemi arsye të jemi të inkurajuar që do të kemi sukses në nëntor”.

Kryediplomati kosovar bëri të ditur se Serbia vazhdimisht ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Nuk është një proces i lehtë. Ju e dini që Serbia kundërlobon. Serbia me bllokun tjetër që s’na kanë njohur ende vazhdimisht kundërlobojnë. Edhe sot ishte një situate ‘deja vu’, ku ne jemi duke lobuar, ndërsa në dhomën tjetër është Serbia që lobon kundër anëtarësimit tonë në INTERPOL”.