Kurti: Luani i Gllogjanit ishte kthyer në luan të UÇK-së

Kurti: Luani i Gllogjanit ishte kthyer në luan të UÇK-së

Aktuale May 06, 2024 - 13:59

Kryeministri Albin kurti ka kujtuar heroin Luan Hardinaj në 27-vjetorin e rënies.

Kurti ka thënë se gjaku i Luan Haradinajt i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve.

“Deri atë ditë, gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Atë ditë ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë. Në grupin që po i printe Luani ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën. Gjaku i Luan Haradinajt i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve. Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vjet nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar. Lavdi Luan Haradinajt për veprën e tij patriotike mes shokësh dëshmorë të rënë për lirinë e Kosovës!”, shkroi Kurti në Facebook.