Thaçi s’mund ta kthejë procesin e veteranëve në pikën zero

Thaçi s’mund ta kthejë procesin e veteranëve në pikën zero

Aktuale tetor 11, 2018 - 08:04
Lexo tjera detaje
Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka kompetenca që procesin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta kthejë në pikën zero. Një kërkesë e tillë, e cila është bërë nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për ndërhyrjen e Thaçit në këtë proces nuk mund të realizohet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së martë pas një takimi që pati me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të ditur se i kanë kërkuar ta ushtrojë autoritetin e tij që i tërë procesi për listat e veteranëve të kthehet në pikën zero, duke e konsideruar këtë si të vetmen mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta. Mirëpo sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, presidenti i vendit nuk ka kompetenca për ta bërë një gjë të tillë. Ata vlerësojnë se e vetmja formë përmes së cilës presidenti i vendit mund të ndikojë në këtë proces është përmes inicimit për plotësim-ndryshimin e Ligjit lidhur me Veteranët e Luftës. Megjithatë, çdo iniciativë ligjore duke përfshirë këtë të fundit duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës sipas procedurave ligjore për shqyrtim dhe për miratim. Ata theksojnë se Kuvendi i Kosovës është autoriteti, i cili vendos lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve në Kosovë.

Kryetari i OVL-UÇK-së: Procesi i veteranëve do të kthehet në pikën zero

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar për “Zërin” se procesi i veteranëve do të kthehet në pikën zero dhe në bazë të ligjit do të kërkohet përgjegjësi nga secili komandant dhe nga secili veteran e më nuk do të ketë parregullsi të tilla në proces. Sipas tij, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së qysh para tre javësh ka kërkuar që të kthehet në pikën zero dhe gjëra të tilla si kjo e hyrjes në lista të veteranëve të rrejshëm nuk do të ndodhë më. “OVL-UÇK-ja para tri javësh ka kërkuar që të kthehet në pikën zero, jo presidenti ne kemi kërkuar. Ne së pari kemi kërkuar të bëhet ligji për amnisti, të kthehemi në pikën zero edhe të marrë përgjegjësi secili komandant, në bazë të ligjit të marrë përgjegjësi edhe secili veteran i luftës. Ligji nuk duhet të ketë mëshirë hiç këtu. Ne më nuk do të lejojmë të bëhet kështu të hupen vlerat e luftës, se gjithfarë personi ka hyrë në ato lista. Organizata nuk pajtohet me këtë”, ka thënë Gucati.

Kurse Anton Quni, ish-pjesëtar i UÇK-së njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, konsideron që kërkesa e përfaqësuesve të OVL-së së UÇK-së ndaj presidentit Thaçi është e gabuar. “Adresa në të cilën është drejtuar Shoqata e OVL-së mendoj se është e gabuar sepse askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e organeve të drejtësisë”, ka thënë Quni për “Zërin”.
Mirëpo pavarësisht kësaj, deputeti i LDK-së konsideron se procesi i listave të veteranëve të UÇK-së duhet të kthehet në pikën zero. “Unë tani po dëgjoj për këtë kërkesë, por çdoherë kur është kërkuar mendimi im se si mund të zgjidhet kjo çështje qëndrimi im ka qenë që ky proces duhet të rishikohet nga fillimi. Pra, duhet të kthehet në pikën zero”, ka thënë ai.

Halitaj: As presidenti e askush tjetër nuk ka kompetenca të ndërhyjë në procesin e veteranëve

Në anën tjetër Agron Halitaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” që presidenti Thaçi nuk ka kompetencë për të kthyer procesin për rastin e veteranëve në pikën zero. “Presidenti nuk është treguar i sinqertë me përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së kur ata kanë kërkuar nga ai ta shfrytëzojë autoritetin për ta kthyer rastin e veteranëve në pikën zero. Ai është dashur t’u tregojë se nuk ka kompetencë për ta bërë një gjë të tillë. Jo vetëm presidenti, por askush tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një rast i cili është duke u trajtuar në gjykatë”, ka thënë ai.
Sipas tij organi i vetëm që mund të vendosë për këtë proces është gjykata. “Rrjedhimisht, është gjykata ajo që vendos për rastin. Nëse ky organ vërteton se ka pasur shkelje me listat e veteranëve mund t’i dënojë anëtarët e Komisionit për ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe përfituesit të cilët kanë dhënë dëshmi të rrejshme. Në anën tjetër, Kuvendi mund të iniciojë procedurën për shfuqizimin ose plotësim-ndryshimin e ligjit, me synim që të vihet rregullsi në procesin e përfitimeve në emër të angazhimit në luftë”, ka thënë ai.

Miftaraj: Presidenti ka kompetenca të ndryshojë ligjin, por kjo duhet të kalojë përmes Kuvendit

Kurse Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Zërin” se forma e vetme përmes së cilës Thaçi mund të ndikojë në këtë proces është inicimi për plotësim- ndryshimin e Ligjit lidhur me Veteranët. “Kushtetuta e Kosovës, por edhe legjislacioni i aplikueshëm në Kosovë presidentit të Republikës i jep kompetenca lidhur me iniciativat ligjore në fusha të caktuara. Respektivisht, presidenti i Kosovës mund të iniciojë plotësim-ndryshimin e Ligjit lidhur me Veteranët e Luftës, përderisa çdo iniciativë ligjore duke përfshirë këtë të fundit duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës sipas procedurave ligjore për shqyrtim dhe për miratim”, ka thënë ai.
Miftaraj ka theksuar se është Kuvendi i Republikës së Kosovës institucioni, i cili vendos për plotësimin ose për ndryshimin e ligjeve. “Kuvendi i Kosovës është autoriteti i cili vendos lidhur me ndryshimin dhe me plotësimin e ligjeve në Kosovë. Sikurse nuk ka autoritet në Kosovë që mund të ndërhyjë dhe të pengojë procesin gjyqësor, i cili është iniciuar në gjykatë sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale”, ka theksuar tutje ai./ZËRI