Kërkohet një ''Listë e kuqe'' edhe për shtetasit e Serbisë
Foto: Driton Bublaku

Kërkohet një ''Listë e kuqe'' edhe për shtetasit e Serbisë

Aktuale gusht 15, 2018 - 08:10
Mësoni më shumë detaje

Ibrahim Matoshi, stomatolog nga Gjilani i cili jeton dhe vepron në Gjermani, është arrestuar të hënën nga autoritetet serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Musli Matoshi, vëllai i Ibrahimit, ka deklaruar për gazetën Zërise vëllai i tij është shtetas gjerman dhe pavarësisht kësaj Policia e Serbisë e ka dërguar në burgun e Vranjës.

“Vëllai im pushimet i kalon në Kosovë për 14 vjet. Ai është ndaluar nga autoritetet serbe pa kurrfarë arsyetimi. Ne kemi kontaktuar Policinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, pasi vëllai im është shtetas gjerman”, shprehet Musli Matoshi, duke shtuar se askush nga familjarët ende nuk ka arritur të kontaktojë me Ibrahimin.

LEXO EDHE: Merkel ''vulos'' çështjen e kufijve

Matoshi ka kërkuar nga institucionet që sa më shpejt të angazhohen për lirimin e vëllait të tij, shkruan më tutje "Zëri".

“Kemi nevojë të marrim përgjigje për vëllain tonë, kërkojmë nga institucionet që të marrin hapa në këtë drejtim. Ne kemi tentuar të shkojmë atje dhe na është refuzuar leja për të shkuar, tani Ambasada Gjermane është duke u marrë me mundësinë e lirimit të tij”, ka thënë ai.

Ndërkaq lidhur me këto ndalesa të shtetit serb pala kosovare, konkretisht Ministra e Punëve të Jashtme ka paralajmëruar reciprocitet.

“Në rast se Bashkimi Evropian nuk intervenon që ta detyrojë Serbinë për t’i respektuar marrëveshjet, atëherë Kosova do të vendosë detyrimisht masa reciprociteti”, ka thënë shkurt për “Zërin” Rejhane Vuniqi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Ibrahim Matoshit.

“Me shqetësim e kam marrë lajmin për arrestimin e mjekut gjilanas Ibrahim Matoshi nga policia serbe. Kërkoj lirimin sa më të shpejt të këtij humanisti të madh të Gjilanit dhe t’i kthehet familjes e punës profesionale në Gjermani”, ka shkruar Haziri.

Ambasada Gjermane: Nuk e dimë arsyen e ndalesës

Zyrtarë nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë për gazetën “Zëri” se nuk dihet arsyeja e ndaljes së Ibrahim Matoshit në pikën kufitare Dheu i Bardhë, në Gjilan.

“Arsyeja e ndalesës së qytetarit Ibrahim Matoshi nuk është e njohur për Ambasadën Gjermane në Prishtinë”, kanë thënë zyrtarë të Ambasadës.

Sipas tyre, kjo Ambasadë nuk mund të bëjë asgjë, pasi i arrestuari ndodhet në shtetin e Serbisë, për të cilin veprim është njoftuar ambasada e tyre në Beograd.

“Pasi Ibrahim Matoshi ndodhet në Serbi, Ambasada Gjermane në Prishtinë nuk ka hapësirë veprimi. Ambasada Gjermane në Beograd është e njoftuar lidhur me këtë incident dhe është duke vepruar brenda kuadrit të kompetencave të saj konsullore”.

Kadrijaj: Duhet të ketë reciprocitet ndaj Serbisë

Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shteti serb po mundohet që të krijojë vështirësi në procesin e dialogut Kosovë - Serbi.

“Në dialog janë arritur një mori e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë dhe këto marrëveshje duhet të zbatohen. Serbia në çdo formë po mundohet të krijojë vështirësi në qarkullim dhe në implementim të marrëveshjeve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ndaj kësaj iniciative të shtetit serb edhe pala kosovare duhet të marrë masa reciproke.

“Këto veprime duhet dënohen dhe për këtë çështje duhet të alarmohen të gjitha institucionet tona, duhet të krijohet reciprocitet ndaj të gjitha provokimeve të cilat për shtetin e Kosovës janë të papranueshme”, ka thënë ajo.

Qehaja: Duhet të këtë kushtëzime për Serbinë

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë për gazetën “Zëri” se këto janë provokimet e radhës nga Beogradi zyrtar dhe karshi kësaj nuk duhet të rrihet duarkryq.

“Kjo çështje ishte dashur të diskutohet në bisedat politike Kosovë – Serbi. Ne vazhdimisht ballafaqohemi me obstruksionet e Beogradit zyrtar ndaj institucioneve të Kosovës, qytetarët janë të shqetësuar pasi nuk dihet se kush është në atë ‘Listë të kuqe’  siç po e quajnë, nuk po dihet as kush të do të arrestohet, kjo është një dobësi e politikës sonë që nuk ka arritur të zbulojë përbërjen e asaj liste. Duhet të merren masa duke e kushtëzuar Serbinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të ketë reciprocitet karshi Serbisë, pasi për ta bërë edhe ne një listë duhet që t’i kemi emrat konkretë për ata që e rrezikojnë Kosovën ose që në të kaluarën kanë kryer krime në Kosovë.

“Duhet të ndërmerret një reciprocitet, por për këtë çështje nuk ka të dhëna të mjaftueshme, nuk ka dokumente për krimet e serbëve të caktuar. Dobësia jonë në këtë drejtim është mungesa e dokumentacioneve të duhura, vetëm pasi të gjenden të gjithë emrat e atyre që rrezikojnë Kosovën mund të flitet për reciprocitet”, ka thënë ai.