Merkel ''vulos'' çështjen e kufijve

Aktuale August 15, 2018 - 07:57
Lexoni më shumë detaje

Disa javë pasi kanë nisur paralajmërimet për korrigjim të kufijve mes Kosovës e Serbisë është deklaruar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me ç’rast ka thënë prerazi se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit është i pacenueshëm dhe se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarata e Merkelit dëshmon qartazi se nuk do të ketë lëvizje të kufijve, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për bashkimin e Luginës me Kosovën.

LEXO EDHE: Raporti për shkëmbimin e territoreve

Zotimet e tilla të Thaçit, bashkë me premtimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për ndarje të serbëve nga shqiptarët e Kosovës, sipas tyre po bëhen me qëllimin e vetëm, që ta përgatisin opinionin për kompromisin i cili do të arrihet në fund të procesit, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, përderisa Thaçi e ka mirëpritur deklaratën e kancelares gjermane, Vuçiq ka thënë se tërë bashkësia perëndimore po e konsideron Kosovën si një territor të pandashëm.

Thaçi mirëpret deklaratën e Merkelit

Një ditë pas deklarimit të Merkelit ka reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me ç’rast ka ftuar vendet e BE-së që ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë.  

“E përshëndes deklaratën e kancelares Angela Merkel rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendet mosnjohëse dhe Serbinë ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit Thaçi, ka thënë për Zërin se deklarata e fundit e kancelares gjermane përputhet në plotësi me qëndrimin e institucioneve të Kosovës.

“Deklarata e kancelares gjermane Merkel lidhur me respektimin e integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor është krejtësisht në përputhje me qëndrimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës ka propozuar ‘korrigjimin e kufirit’ me Serbinë në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të bashkohen me Kosovën”, ka deklaruar Çollaku në një prononcim për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se të gjitha shtetet anëtare të BE-së, para së gjithash SHBA-ja, mbështesin njëzëri arritjen e një marrëveshjeje paqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Brishtësia e funksionimit si shtet e Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund ta mbajë peng të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe arritjen potenciale të  marrëveshjes paqësore me Serbinë, qoftë edhe në kuadër të opsionit të korrigjimit të kufirit”, ka nënvizuar ai.

Pavarësisht deklaratës së Merkelit, e cila ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan, Çollaku ka thënë se nuk ka kurrfarë rreziku që Kosova t’i cenojë raportet me shtetet mike.

Vuçiq: Bota perëndimore e konsideron Kosovën territor të pandashëm

Në anën tjetër, teksa ka komentuar deklaratën e kancelares gjermane presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Perëndimi e konsideron Kosovën si një vend sovran dhe me territor të pandarë.

“Ajo na ka kufizuar që Kosova të jetë e ndarë nga Serbia. E gjithë bota perëndimore e konsideron Kosovën si një territor të pandashëm që i përket shqiptarëve në Prishtinë. Nga këndvështrimi i tyre kjo punë ka marrë fund”, ka deklaruar Vuçiq.

Qëndrimin e Merkelit e ka mirëpritur edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ditëve të fundit ka pasur replika të ashpra me presidentin Thaçi sa i përket çështjes së kufijve.

“Kjo është përgjigjja e merituar ndaj përpjekjeve të Beogradit dhe të argatëve të tij në Prishtinë për krijimin e ‘Serbisë së Madhe’ dhe për copëtimin e ri të Kosovës”, ka deklaruar Berisha.

Hoti: Pres të ndalen personat që po promovojnë idenë për ndryshim të kufijve

Ndërkaq teksa ka komentuar deklaratën e kancelares Merkel, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se e ka mirëpritur një deklaratë të tillë nga ana e Gjermanisë.

E kam mirëpritur deklarimin e qartë të kancelares Merkel kundër ndryshimit të kufijve. Pres që pas këtij deklarimi, si dhe të deklarimeve të disa qeverive të tjera, të ndalen personat në Kosovë e në Serbi që po promovojnë këtë ide, të cilat pa dyshim se po e bëjnë në mënyrë të koordinuar”, ka deklaruar Hoti.

Gjatë një bisede për “Zërin” ai ka thënë se kjo ide e ka nxjerrë në pah pasigurinë politike të krejt Ballkanit Perëndimor.

“Kjo pa dyshim se do t’i shtyjë proceset eurointegruese të rajonit, por do të ndikojë edhe në përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, duke e rënduar jetën e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Haliti: Për territore mund të diskutohet vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

Kurse deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka vlerësuar se nuk mund të flitet për çështjen e kufijve përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Problemi i shkëmbimit të territoreve dhe ndërtimi i shteteve njënacionale nuk ekziston në Evropë dhe qëndrimet e Grupit të Kontaktit janë ato që kanë qenë dhe nuk kanë ndryshuar. Tani unë mendoj që gjithçka mund të bisedohet, por çështjet e mëdha siç është ndërrimi i territoreve, kanë pasoja për të dyja palët. Këto do të duhej të vinin në shprehje pasi të njihej pavarësia e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pasi marrëveshjet ndërkombëtare duhet të kalojnë në Kuvend për miratim, idetë e tilla bien në ujë, duke u nisur nga qëndrimet që aktualisht ka spektri politik.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Arben Fetoshi ka konsideruar se me deklarimet e fundit dy presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, po e përgatisin opinionin publik për një kompromis që pritet të ndodhë.

“Në këtë fazë të dy presidentët po dialogojnë përmes opinionit publik në funksion të marrëveshjes finale. Diskursi i Vuçiqit ka të bëjë me përgatitjen e opinionit dhe synimin për një kompromis të ri, ndërkohë që Thaçi e ka lansuar idenë e korrigjimit të kufirit si kundërmasë ndaj tendencës serbe për autonomi në veri”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht diskursit aktual të të dy presidentëve, sipas Fetoshit sfida kryesore e marrëveshjes finale do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Përndryshe, të gjithë e dinë se aktualisht s’mund të preken kufijtë për shkak të efektit zinxhiror dhe këtë së fundmi e bëri të qartë edhe kancelarja Merkel”, ka potencuar ai.