Ministria e Shëndetësisë sërish lë pacientët pa insulina

Ministria e Shëndetësisë sërish lë pacientët pa insulina

Aktuale korrik 10, 2018 - 08:28
Mësoni më shumë shumë detaje

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka tashmë 10 ditë që nuk është furnizuar me insulina. Furnizimi i fundit që Ministria e Shëndetësisë kishte bërë më datën 26 qershor kishte qenë i pamjaftueshëm, andaj disa pacientë tashmë më shumë se një muaj kanë mbetur pa insulina. Derisa disa pacientë u janë drejtuar barnatoreve private për t’i blerë ato, disa të tjerë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike po detyrohen të presin derisa furnizimi të vijë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

I.Sh., rreth të 60-tave, ditën e djeshme ishte duke pritur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të marrë një insulinë, megjithatë edhe pse kishte shkuar në këtë qendër atij i duhej të kthehej në shtëpi, pasi që nuk kishte arritur ta marrë atë.

Ai ka treguar për Zërin se ishte e dyta herë që gjatë kësaj jave kishte shkuar për të kërkuar insulinë, por që nuk kishte marrë.

E për shkak të kushteve jo të mira ekonomike ai nuk do ta blejë atë në barnatore private, andaj edhe do t’i duhet të presë derisa të bëhet furnizimi me insulinë.

LEXO EDHE: Largimi i serbëve nga FSK-ja, metodë për bllokimin e ushtrisë

“Qe dy herë po vij të shoh nëse kanë sjellë insulina, por nuk po ka. Edhe kur po vjen nganjëherë nuk po mundem të marr se nuk po sjellin shumë, e disa prej neve po mbesim pa insulina. T’i kisha pasur kushtet e mira nuk do të kisha pritur derisa t’i sjellin, por do t’i kisha blerë në barnatore. Por po duhet të pres. Nuk po na pyet askush a kemi nevojë ose jo, kur nuk ka po mbesim pa to. Kështu shpesh po vonohen insulinat, s’është hera e parë”, ka thënë ai.

Gazeta Zëri ka mësuar se çmimi i një insuline analoge në barnatore private është rreth gjashtë euro, ndërsa pacientët kanë treguar se ka barnatore që i shesin edhe me çmim 10 euro.

Mungesa të insulinave ka pasur edhe në qendrat e tjera të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Aliu: S’kemi pasur furnizim nga 26 qershori

Fatos Aliu, farmacist i diplomuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF), ka thënë për “Zërin” se që nga data 26 qershor nuk janë furnizuar me insulina.

Sipas tij, përqindja e furnizimit me insulina analoge ka qenë nën 65%.

E si pasojë e mosfurnizimit të mjaftueshëm me insulina ai ka thënë se disa nga qytetarët kanë mbetur pa to e disa që kanë pasur për të marrë më shumë insulina kanë marrë vetëm gjysmën e tyre.

“Insulina që është më e kërkuara nga pacientët është insulina analoge e llojit Novomiks, që ka qenë përqindja e furnizimit afërsisht 52% për këtë periudhë. Pastaj është ajo analoge Neoraped, me të cilën kemi qenë të furnizuar deri në 64% këtë periudhë dhe është insulina Determil, me të cilën jemi furnizuar 38,5%. Këto janë llojet më të kërkuara, ndërsa të tjerat janë përmbushur deri në 100%. Janë insulinat humane që janë më pak të kërkuara, pra që i përdorin më pak pacientët që i kemi në barnatoren qendrore”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se afro 2.000 pacientë kërkojnë insulina, ndërsa siç ka thënë afërisht 25 pacientë në muaj janë raste të reja, të cilat hyjnë në listën e insulinëmarrësve.

Sipas tij, numri më i madh i personave që marrin insulina i takojnë moshës mbi 50 vjeç.

“Zakonisht janë mosha 55 deri në 65 vjeç, megjithatë kemi raste edhe kur pacientët janë fëmijë dhe të rritur. Insulinën nuk e zëvendëson asnjë produkt tjetër që është medicional, kështu që atyre u mbetet ose të presin, gjë që është pak e vështirë pa e përdorur insulinën, ose t’u drejtohen barnatoreve. Ne kërkesat i bëjmë dhe furnizimin kur marrim e shpërndajmë. Është kënaqësi kur e ki produktin dhe ia jep pacientit, e kryen një obligim për të cilin ne edhe paguhemi. Mirëpo, kjo nuk është kompetencë jona”, ka theksuar ai.

Vitet e kaluara furnizimi me insulina ka qenë më i lartë se këtë vit. Kështu së paku është shprehur Aliu.

“Planifikimi bëhet gjashtëmujor, por kërkesa është mujore. Çdo muaj furnizohemi me insulinë, sigurisht kur kanë Ministria të na furnizojnë ne kërkesën e bëjmë çdo muaj. Asnjëherë nuk kemi mundur të marrim sasinë sa e kemi ne të planifikuar si kërkesë mujore, asnjëherë nuk është përmbushur plotësisht. Me insulinë viteve të kaluara furnizimi ka qenë më i mirë. Prej fillimit të këtij viti kemi pasur probleme me furnizim me insulina. Shpresoj që këto probleme së shpejti të kalohen dhe do të rregullohet gjithçka”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyetimi që kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me mungesa të insulinave kanë qenë se u kanë skaduar kontratat.

MSH: Kanë skaduar kontratat

Në anën tjetër, zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën se që nga muaji mars furnizimi me insulina ka qenë më i lartë.

“Në mars ka pasur furnizime me rreth 20.000 njësi insuline analoge, në prill me 14.000 njësi insuline analoge, kurse më 2 maj me 30.000 njësi të insulinës analoge. Insulinë humane ka sasi të mjaftueshme në stokun farmaceutik te MSH-së”, kanë thënë ata. Për mungesën e insulinave kishte pasur ankesa edhe nga anëtarët e Komisionit për Shëndetësi.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, kishte ngritur këtë çështje edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan derisa kishte nevojë për 2.700 insulina aty ishin dhuruar vetëm 1.000.

Furnizimi me insulina këtë vit nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat as në qendrat e mjekësisë familjare në qytetet e tjera.