Largimi i serbëve nga FSK-ja, metodë për bllokimin e ushtrisë

Aktuale July 10, 2018 - 08:16
Mësoni më shumë shumë detaje

Ka arritur në 40 numri i pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë kërkuar largim nga Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Largimi i tyre po shihet si strategji e Serbisë për pengimin e formimit të ushtrisë së Kosovës.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se largimi i tyre është i organizuar, por se as kjo dhe askush tjetër nuk mund ta pengojë formimin e ushtrisë.

LEXO EDHE: Kurti: ''Pseudoopozitarët'' s’po e rrëzojnë Qeverinë

Në anën tjetër, pala serbe vazhdon të insistojë se Kosova s’mund ta formojë ushtrinë e saj.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se pa 10% të pjesëmarrjes serbe s’mund të formohet ushtria.

Ndërsa Ministria e FSK-së ka deklaruar për Zërin se ndonëse çdo pjesëtar ka të drejtë të largohet nga FSK-ja, largimi i serbëve nuk po bëhet me dëshirë.

Ata thonë se shqetësimi i MFSK-së është se qytetarët s’po mund të vendosin lirshëm.

Thaçi: Largimi i serbëve nga FSK-ja, i organizuar

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se po zhvillohen bisedime me disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kthimin e tyre në këtë Forcë, duke nënvizuar se askush nuk do të mundë ta pengojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Shihet që është një synim i organizuar. Tash për tash nuk mund të them që ka motiv të qartë politik, por autoritetet dhe zyrtarët, eprorët e lartë të FSK-së janë duke i dëgjuar opinionet e secilit veç e veç me mirëkuptimin më të madh që ata të vazhdojnë punën, të luajnë rolin e vet që u takon për vendin e vet. Por një gjë mund ta them, askush as në Kosovë e as jashtë Kosovës nuk mund ta frenojë të drejtën e Kosovës si vend i pavarur e sovran që ta ketë ushtrinë e vet. Kjo punë tanimë është e kryer”, u shpreh Thaçi për “Radio Evropën e Lirë”.

Ndërkaq Ministria e FSK-së në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka deklaruar se deri më tani kanë paraqitur kërkesë për largim 40 pjesëtarë të komunitetit serb.

“Tash për tash nuk kemi të bëjmë me largime. Kemi paraqitje të kërkesave me shkrim për largim nga FSK-ja. Deri më sot numri i atyre pjesëtarëve të FSK-së që kanë paraqitur kërkesa për largim nuk kalon mbi 40”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.

Ndërkaq ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin gjatë ditës së djeshme për “TV Pink” ka deklaruar se nuk ka dhe nuk do të ketë ushtri të Kosovës.

Siç u shpreh ai, themelimin e ushtrisë nuk e lejon as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por ajo s’mund të themelohet as në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Sipas ligjeve të tyre, duhet të jenë 10 për qind serbë për të pasur ushtri. Pse serbi do të shtinte mbi fqinjët e vet, sigurimi i bukës nuk mund të jetë arsye”, tha ai.

Selimi: Thaçi, fajtor për ndikimin e Serbisë në institucionet tona

Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, duke folur për gazetën “Zëri”, ka thënë se Serbisë i është dhënë hapësira që të ndikojë në institucionet e brendshme të Kosovës e këtë hapësirë, siç ka thënë ai, ia ka dhënë presidenti Hashim Thaçi.   

“Këtë rol dhe këtë fuqi të Serbisë për të ndikuar në institucione të Kosovës ia kanë dhënë Serbisë ata që bisedojnë me të, pra Thaçi. Serbia ka përfituar nga të qenët në bisedime me Kosovën për të ndikuar edhe brenda strukturave të sigurisë, edhe brenda Kosovës, në këtë rast brenda FSK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo gjendje nuk duhet të kalohet në qetësi, pasi Serbia po ndërhyn në projekte të përbashkëta të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë.

Kurse Hajrullah Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se largimi i pjesëtarëve serbë të FSK-së është strategji e Serbisë për të përfituar nga bisedimet e fundit me Kosovën.  

“Largimi i 40 pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja është një taktikë që Serbia e përdor në bisedimet përfundimtare me Kosovën, që të fitojë një pjesë të konsideruar të territorit të Kosovës. Në këtë situatë presidenti Vuçiq luan me kartën që t’i provojë të gjitha mënyrat e presionit ndaj Kosovës”, ka thënë ai.