Vetëvendosja sot tenton shkarkimin e Dërgutit

Aktuale May 03, 2018 - 08:03
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Aida Dërguti sot mund të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit me iniciativë të ish-bashkëpartiakëve të saj, ndonëse para më pak se një viti ishte përzgjedhur në këtë pozitë të lartë në legjislativ pikërisht me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për të kaluar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Dërgutit duhet votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit, vota këto sipas drejtuesve të këtij subjekti politik opozitar i sigurojnë me lehtësi, ndonëse deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për përkrahje nga ndonjë subjekt tjetër politik parlamentar.

Drejtues të koalicionit qeverisës kanë deklaruar për gazetën Zëri se parimisht janë kundër shkarkimit të Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, edhe pse pranojnë se nuk kanë ndonjë qëndrim përfundimtar për këtë çështje.

LEXO EDHE: Ushtria, tërhiqet Qeveria

Përndryshe, përçarja e madhe në Lëvizjen Vetëvendosje u bë e ditur muaj më parë pas publikimit të disa mesazheve në aplikacionin “Viber” mes Dardan Molliqajt dhe Aida Dërgutit, ku kjo e fundit kishte fyer rëndë Albin Kurtin.

Këtu edhe nisi çarja e subjektit më të madh opozitar, nga e cila ikën 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke iu bashkuar Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP) edhe dy kryetarë të komunave të Kosovës: Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qëndron Kastrati i Kamenicës.

Kurteshi: Nëse nuk shkarkohet Dërguti, i drejtohemi Kushtetueses

Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se presin që sot në Kuvend pa ndonjë problem të shkarkohet nënkryetarja Aida Dërguti, pasi Kushtetuta e Kosovës përcakton që këto pozita t’i takojnë tri partive më të mëdha.

“Duke u bazuar në situatën e krijuar, unë besoj që nuk ka nevojë për ndonjë shkarkim sepse edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihet që në Kryesinë e Kuvendit marrin pjesë përfaqësuesit e tri subjekteve më të mëdha parlamentare e që në këtë rast janë Vetëvendosja, LDK-ja dhe PDK-ja. Kështu që kjo është çështje e rregulluar dhe mendoj që do të jetë vetëm një lloj formaliteti që duhet të kalojë pa asnjë problem”, ka thënë Kurteshi.

I pyetur se si do të veprojë Vetëvendosja në rast se nuk arrihen 2/3 e votave për shkarkimin e Dërgutit (ashtu siç edhe e parasheh Rregullorja), Kurteshi ka thënë se në këtë rast LVV-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Salihu: Iniciativa e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit, e pasinqertë

Në anën tjetër Grupi i Deputetëve të Pavarur e konsideron të padrejtë kërkesën e Vetëvendosjes që Aida Dërguti ta lirojë pozitën e nënkryetares.

“Nuk duhet të shkarkohet Aida Dërguti. Kërkesa e Vetëvendosjes është e pasinqertë dhe LVV-ja nuk është dashur fare të merret me këtë çështje për shkak të kontributit që ka dhënë Dërguti në LVV dhe që t’i lihet hapësirë bashkëpunimit mes neve dhe LVV-së”, ka thënë Salil Salihu, deputet nga radhët e GDP-së.

Ai është shprehur i sigurt që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do ta përkrahin këtë nismë të Vetëvendosjes.

“Nuk besoj që deputetët do ta përkrahin këtë nismë të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit”, ka thënë ai për “Zërin”.

PAN-i është kundër shkarkimit të Dërgutit

Drejtues të tri partive në koalicionin qeverisës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nuk janë të pajtimit që Aida Dërguti të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, ndonëse treguan që nuk është marrë ende ndonjë vendim final nëse do të votohet pro apo kundër.

Hajdar Beqa, nga PDK-ja, tha për gazetën “Zëri” se në PDK ende nuk ka një qëndrim të partisë për këtë, por tha se shkarkimi i Dërgutit do të jetë problematik pasi duhen 80 vota për shkarkimin e saj.

Beqa ka shtuar se nëse një deputet ka arritur në atë pozitë nga një parti politike, atëherë është çështje personale nëse dëshiron të japë dorëheqje ose jo.

Kurse Time Kadrijaj, nga AAK-ja, tha se nuk do ta votojë shkarkimin e Dërgutit dhe beson që këtë qëndrim do ta mbajë edhe partia e saj.

“Unë personalisht nuk do ta votoj. Kam një respekt të veçantë për zonjën Dërguti dhe nuk do ta votoj shkarkimin e saj. Mendoj që kështu do të jetë edhe mendimi i Grupit Parlamentar të AAK-së edhe pse ende nuk kemi marrë një vendim”, ka thënë ajo.

Kadrijaj tha se do të ishte e pandershme nëse tani deputetët votojnë pro shkarkimit të Dërgutit.

Enver Hoti, nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se një çështje e tillë nuk do të duhej fare të futej në rend dite.

“Nuk e kemi marrë ndonjë vendim si subjekt, do të konsultohemi, por mendimi im personal është që kjo çështje nuk ishte dashur të ishte as në rend dite”, tha Hoti. 

Hoti beson që nuk do të arrihen votat për shkarkimin e Dërgutit, ndonëse tha që Nisma ende nuk ka marrë një vendim.

“Do ta marrim një vendim, por nuk besoj që do të arrihen votat për shkarkimin e znj. Dërguti”, ka thënë ai.

LDK: Shkarkimi i Dërgutit, çështje mes dy partive tjera

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që shkarkimi i Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares është çështje mes Vetëvendosjes dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur.

Besa Gaxherri, nga ky subjekt politik, i tha “Zërit” se LDK-ja nuk ka marrë ende qëndrim për këtë çështje.