Ushtria, tërhiqet Qeveria

Aktuale May 03, 2018 - 07:47
Lexoni më shumë detaje

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) nuk e ka dërguar në Qeveri Draftligjin për Ushtrinë deri më 30 prill të këtij viti, ashtu siç kishte premtuar. Zyrtarë të kësaj Ministrie kanë ndryshuar qëndrim, duke thënë se ushtria do të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shkruan sot Gazeta "Zëri

Pavarësisht se qysh në muajin janar të këtij viti Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) kishte paralajmëruar se Projektligji për Ushtrinë do t’i përcillej Qeverisë deri më 30 prill 2018, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zyrtarë nga MFSK-ja i kanë thënë gazetës Zëri se pakon e draftligjeve ua kanë dërguar dy dikastereve të tjera, Ministrisë së Financave e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe po presin deklarimin e tyre.

Por përderisa nga Ministria e Financave kanë deklaruar se janë duke e shqyrtuar kërkesën e MFSK-së dhe brenda afateve ligjore do të dalin me një përgjigje, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka thënë për Zërin se MIE-ja ka dhënë opinionin e saj qysh më 30 prill.

Në anën tjetër, MFSK-ja tashmë ka filluar të ndryshojë qëndrim, duke pohuar se ushtria do të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare tash e sa kohë, porse problem në tërë këtë mes mbetet Lista Serbe, e cila vazhdon të jetë kundër bërjes së ushtrisë.

Për të ardhur deri te ndryshimet kushtetuese pos 2/3 të votave të shumicës shqiptare nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë.

Ramadani: Do të arrijmë ta avancojmë kapacitetin e FSK-së

Burim Ramadani, zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se draftligji nuk është dërguar në Qeveri, pasi draftligjet tashmë u janë dërguar dy ministrive të tjera, asaj të Financave dhe asaj të Integrimit Evropian.

“Prej të dyja ministrive presim deklarata, njëra për koston buxhetore dhe tjetra për harmonizimin me ligjet e BE-së. Pastaj procedohet në Qeveri”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Me këtë rast Ramadani ka bërë të ditur se synimi i Ministrisë dhe i Qeverisë në tërësi është që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Sigurisht që synimi ynë kryesor është që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese, në mënyrë që edhe të ndryshohet emri i FSK-së, edhe ta maksimalizojë mbështetjen e të gjitha komuniteteve në Kuvend. Ndërsa pjesa tjetër e aspekteve ligjore do t’i avancojë kapacitetet e FSK-së dhe do ta avancojë misionin e FSK-së”, ka shtuar ai.  

Por dihet që deri më tash Lista Serbe është deklaruar kundër ushtrisë, rrjedhimisht kundër ndryshimeve kushtetuese.

Që të votohen ndryshimet kushtetuese sipas Ramadanit nuk duket e lehtë, porse kjo nuk e dekurajon Qeverinë që të angazhohet edhe më tutje në këtë drejtim.

Hoxha: Më 30 prill MIE-ja ka dhënë opinionin për Projektligjin e Ushtrisë

Pavarësisht asaj që nga MFSK-ja kanë deklaruar se janë duke pritur përgjigje, edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka bërë të ditur për “Zërin” se tashmë është dhënë opinioni sa i përket kësaj çështjeje.

“Ministria e Integrimit ka pranuar kërkesën për ta dhënë opinionin lidhur me këtë projektligj shumë të rëndësishëm dhe atë e kemi dhënë më datën 30 prill 2018. Sa i përket Ministrisë që unë drejtoj, nuk ka asnjë dilemë lidhur me këtë çështje dhe e kemi trajtuar këtë kërkesë për opinion me prioritetin më të lartë sepse e konsideroj një çështje tejet jetike për vendin”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo më tej ka thënë se MIE-ja tashmë nuk ka kurrfarë obligimi sa i përket kësaj çështjeje.

“Ne tashmë kemi dhënë opinionin e përputhshmërisë në Acqui të BE-së dhe në këtë pikë ne nuk kemi më obligime në këtë drejtim”, ka theksuar drejtuesja e MIE-së.  

Ndërkaq, sa i përket kësaj çështjeje nga Ministria e Financave kanë njoftuar se tashmë janë duke e shqyrtuar kërkesën e MFSK-së.

“Ministria e Financave ka pranuar kërkesën e MFSK-së për dhënien e opinionit për vlerësimin e ndikimit buxhetor për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura. Ne jemi duke shqyrtuar koston e këtij projektligji dhe brenda afateve ligjore të parapara me Udhëzimin Administrativ do t’i japim përgjigjen MFSK-së në lidhje me koston e Projektligjit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.

Shala: Institucionet po dakordohen me faktorin ndërkombëtar

E mosdërgimi i Projektligjit të Ushtrisë në Qeveri sipas Haxhi Shalës, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka të bëjë me koordinimin e institucioneve me faktorin ndërkombëtar.

“Besoj që Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë afatet, edhe ne si Komision presim që sa më shpejt të na sillet ligji apo ndryshimet kushtetuese, pa marrë parasysh cili version, cilido qoftë. Unë besoj që Qeveria është duke u koordinuar me faktorin ndërkombëtar, për këtë arsye nuk mund të thuhet që ka vonesa”, ka deklaruar ai.

Por sipas tij, është e rëndësishme që projektligji të procedohet para muajit qershor, rrjedhimisht në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Quni: Kosova ka marrë disa porosi për ushtrinë nga ndërkombëtarët

Kurse Anton Quni, ish-komandant i UÇK-së, njëherësh deputet i LDK-së, ka thënë se Kosova ka marrë disa porosi nga autoritetet më të larta shtetërore dhe politiko-ushtarake (SHBA-ja dhe NATO-ja) sa i përket çështjes së ushtrisë.

“Transformimin e FSK-së në FAK autoritetet e Kosovës ta bëjnë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë. Krijimi i FAK-ut të bëhet në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Askush nuk ka të drejtë të vendosë veto në formimin e FAK-ut”, ka potencuar ai.

Prandaj, sipas Qunit, çdo opsion i cili i rrezikon marrëdhëniet e mira me partnerët strategjikë është drejtpërdrejt rrezikim i sigurisë nacionale.

Sveçla: Mosdërgimi i Projektligjit për Ushtrinë s’paraqet befasi

Xhelal Sveçla, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së (nga LVV-ja), ka vlerësuar se mosdërgimi i Projektligjit për Ushtrinë në Qeveri nuk është veprim i befasishëm.

“Nuk pritet më shumë prej tyre, pavarësisht deklaratave të tyre. Realisht vendime të mëdha nuk janë duke u bërë. Vendime të mëdha vetëm në dëm të Kosovës priten prej kësaj Qeverie. Kështu që nuk kemi pritur më mirë”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Sveçla ka thënë se si Komisioni për Mbikëqyrjen e FSK-së do të ushtrojë presion të vazhdueshëm për bërjen e ushtrisë.

“Si Komision do të bëjmë presion të vazhdueshëm që kjo të shtyhet përpara, meqenëse është e papranueshme”, ka shtuar ai.