Kurti nga Gjermania: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane
Foto: Facebook

Kurti nga Gjermania: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Aktuale April 26, 2024 - 22:12

Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe kërcënimeve të Serbisë për braktisjen e organizatës evropiane në rast të hyrjes së Kosovës në takimin e ministrave të Jashtëm më 16 maj.

Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë, ku në votimin e 16 prillit në Strasburg pro ishin 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan, teksa asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.

Kurti ka thënë se Këshilli i Evropës në 75-vjetorin e themelimit duhet të zgjerohet me Kosovën si anëtare e 47-të, pavarësisht kërcënimeve të Serbisë.

“Ne duam të kontribuojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate. Anëtarësimi ynë përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane. Regjimet autoritare e jo-demokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Republika e Kosovës po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Image

Kujtojmë, kryeministri Kurti ka përfunduar sot vizitën në Gjermani, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe deputetë të Bundestagut, ku ka kërkuar mbështetje për anëtarësim në KiE. Ai mori pjesë edhe në ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës.

“Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka përfunduar Kurti shkrimin e tij në Facebook. /Zëri