Premtohet transparencë në dialog

Aktuale January 23, 2018 - 08:05

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të rifillojë shumë shpejt në Bruksel pas ndërprerjes nga pala serbe javën e kaluar për shkak të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për më tepër, sipas zyrtarëve të ekzekutivit kosovar, dialogu që po zhvillohet mes dy vendeve do të jetë shumë më transparent se ç’ka qenë në të kaluarën.

“Qëndrimi i cili është dhënë qysh në fillim është që dialogu të jetë më transparent në raport me publikun. Kjo nënkupton se për të gjitha temat që do të ketë diskutim do të ketë edhe informim më të shpejtë dhe më të drejtë. Se kur do të zhvillohet faza e re e dialogut është çështje të cilën e cakton Brukseli dhe ende nuk është marrë një vendim, por nuk do të vonohet shumë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të kryeministrit për gazetën Zëri.

Të pyetur se a ka ndonjë datë se kur pritet të ndodhë faza e re e dialogut, ata përsëritën që një gjë e tillë nuk do të vonohet.

LEXO EDHE: Ndarja, pa alternativë

“Nuk do të shkojë shumë gjatë, për shkak të temave mes dy shteteve të cilat po presin shumë gjatë për t’u diskutuar”.

Kusari-Lila: Mungon qasja kreative për zbatimin e marrëveshjeve

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka theksuar për gazetën “Zëri” se shteti serb po e përdor vrasjen e Ivanoviqit për ta dëmtuar Kosovën.

“Serbia është duke e instrumentalizuar edhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit në raport me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ata po mundohen që maksimalisht ta ndryshojnë pozicionin e vet në raport me Kosovën si rrjedhojë e një vrasjeje, e cila më së paku lidhet me Kosovën dhe me institucionet e saj”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila gjithashtu ka thënë se problem tjetër është edhe qasja e këtij dialogu, si dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Serbisë dhe Kosovës.

“Kemi pritur një qasje të re në dialog, por qeveria ‘Haradinaj’ po vazhdon me procedurën e njëjtë. Përpos rastit ‘Ivanoviq’ ajo që më brengos është edhe qëndrimi i palës kosovare dhe mungesa e çfarëdo qasjeje më kreative e më e ndryshme që do të fokusohej në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani mes dy shteteve”, ka shtuar Kusari-Lila.

Abdyli: Shumë paqartësi po e përcjellin dialogun

Edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Abdyli, ka deklaruar për “Zërin” se shumë paqartësi e përcjellin dialogun mes dy vendeve.

“Më shumë se vrasja e Ivanoviqit janë faktorë të tjerë ata të cilët po ndikojnë që ky dialog të mos ketë sukses si: paqartësia e rezultatit të këtij dialogu, afati i kohës së zgjatjes së dialogut, njerëzit të cilët do të jenë bartësit e këtij dialogu, etj. Janë një sërë faktorësh që po e bëjnë këtë proces të mos ketë sukses. Normalisht që vrasja e Ivanoviqit  ka ndikuar në një masë, por është vetëm ndikim i përkohshëm”, ka thënë Abdyli.

Sipas tij, problemet e brendshme që i ka krijuar Qeveria aktuale kanë bërë që dialogu të mos jetë prioritet i Kosovës.

“Dialogu momentalisht nuk është prioritet, pasi ka çështje të tjera që po dalin në pah dhe e kanë tensionuar situatën e vendit, si Demarkacioni e Gjykata Speciale. Dialogu faktikisht nuk ka kuptim në këtë moment”, ka thënë ai.

Të ndryshohet strategjia e dialogut

Ndërsa Jeta Krasniqi, monitoruese e procesit të dialogut në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk duhet të përdoret për pezullim të dialogut mes dy shteteve.

“Ky akt kriminal nuk duhet të përdoret për të pezulluar dialogun Kosovë - Serbi apo për të rritur fuqinë e palëve në kuadër të dialogut. Dialogu nuk duhet të ndërpritet. Këto bisedime duhet të zhvillohen në frymë konstruktive me qëllim të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në tërë rajonin dhe mbi të gjitha për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të palëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Krasniqi

Ajo gjithashtu ka thënë se strategjia e deritashme e dialogut duhet të ndërrohet.

“Formati i dialogut, temat e diskutimit dhe epilogu i këtij procesi duhet të përcaktohen me anë të një diskutimi të gjerë të institucioneve dhe subjekteve politike. Duhet të ndërtohet një strategji shtetërore e Kosovës në këto bisedime mbi bazën e konsensusit politik dhe shoqëror”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, presidenti dhe kryeministri i vendit duhet sa më parë të ftojnë tryezën e liderëve për të iniciuar diskutimet e gjëra rreth qëndrimit të Kosovës në këto bisedime, pritshmërive, temave, formatit të përfaqësimit, afateve kohore dhe epilogut të pritshëm.

“Me anë të dialogut duhet të zhbëhen të gjitha strukturat paralele serbe, të shtrihet autoriteti ligjor i shtetit të Kosovës në tërë territorin e vendit, duke garantuar ulëse në OKB dhe njohjen nga ana e Serbisë. Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja duhet të bëhen garantuese e marrëveshjeve të arritura”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa Imer Mushkolaj, analist politik, thotë se vënia e kushteve do të duhej të jetë prioritet i Kosovës për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu duhet vazhduar, por jo dialog pa kushte. Duhet të dihet saktë se për çka po bisedohet me Serbinë dhe të ketë një afat se kur do të përfundojë e me çka do të përfundojë ky dialog”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, përfundimi i këtij dialogu me njohje reciproke nga dy shtetet do të ishte përfundimi i duhur, në të kundërtën vazhdimi i dialogut është i kotë. 

Ndërsa lidhur me ndikimin e vrasjes së politikanit serb Ivanonoviq në dialogun mes dy shteteve, Mushkolaj tha se Beogradi do të tentojë të shfrytëzojë këtë çështje në favor të saj.

“Vrasja e Ivanoviqit do të mundohet të shfrytëzohet nga shteti serb për poenë politikë, por duhet të jenë liderët kosovarë ata që duhet të insistojnë te Brukseli që dialogu të vazhdojë në një agjendë të qartë dhe në një rrugë të qartë”, ka theksuar Mushkolaj.

Gjithashtu, sipas tij, moszbatimi i marrëveshjeve të deritanishme do të duhej të ishte kusht për Serbinë që të vazhdohet më tej dialogu.