Ndarja, pa alternativë

Aktuale January 23, 2018 - 07:55

Deputetja Shqipe Pantina thotë se nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet partiake të së dielës pasi s’është pajtuar që Albin Kurti të jetë kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”. Ajo thotë se nëse Glauk Konjufca dhe Shpend Ahmeti nuk gjejnë zgjidhje, atëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e formimit të një subjekti të ri politik nga të pakënaqurit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët nuk e përkrahin zgjedhjen e Albin Kurtit për kryetar të partisë, po presin nëse Shpend Ahmeti dhe Glauk Konjufca do të arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet dhe ndasitë që e kanë përfshirë këtë subjekt politik, në të kundërtën nuk e përjashtojnë mundësinë e ndarjes përfundimtare.

LEXO EDHE: Zhbërja e Speciales në dorë të kryeministrit

Deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti janë përzgjedhur nga Kryesia e lëvizjes “Vetëvendosje” për të negociuar ndërmjet dy “grupeve” brenda Lëvizjes pas shpërfaqjes së mospajtimeve të brendshme, shkruan tutje "Zëri".

Albin Kurti është zgjedhur të dielën kryetar i ri i lëvizjes “Vetëvendosje” me votat e mbi 10 mijë anëtarëve, krahas mbi 31 mijë sa janë gjithsej, përderisa zgjedhjen e tij e kanë bojkotuar të pakënaqurit e lëvizjes “Vetëvendosje” në krye me Visar Ymerin, Dardan Molliqajn, Dardan Sejdiun, Dukagjin Goranin, Shqipe Pantinën, etj.

Pantina: S’e përjashtoj mundësinë e formimit të partisë së re

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, e cila më herët ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake, ka deklaruar dje për gazetën “Zëri” se në zgjedhjet partiake të së dielës nuk kanë dalë të gjithë ata që mendojnë se Kurti s’është i duhuri për partinë.

“Unë nuk kam marrë pjesë. Ka pasur një kandidat të vetëm dhe të gjithë ata që vetëm kanë guxuar ta kritikojnë z. Kurtin ndaj tyre është bërë një fushatë e jashtëzakonshme deri në etiketimin si armiq. Kështu që ata që kanë menduar ndryshe dhe nuk kanë besuar se zgjidhja më e mirë momentalisht për “Vetëvendosjen” është Kurti kryetar nuk kanë dalë fare për të votuar”, ka thënë ajo për “Zërin”.  

Pantina thotë se të dorëhequrit po presin propozimin e Shpend Ahmetit dhe të Glauk Konjufcës për zgjidhje të problemit e pastaj të vendosin nëse do t’i ndajnë rrugët me “Vetëvendosjen” apo jo.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë dy anëtarët, Shpend Ahmeti dhe Glauk Konjufca, janë propozuar që të përpiqen të gjejnë një propozim për zgjidhje. Kështu që unë personalisht po pres se cili do të jetë propozimi i tyre, nëse do të ketë një zgjidhje të pranueshme dhe pastaj edhe unë dhe secili deputet apo anëtar i Kryesisë që ka dhënë dorëheqje nga pozitat do të vendosë se çfarë të bëjë nëse do të qëndrojë në ‘Vetëvendosje’ apo jo. Pastaj duhet të ulemi dhe të bisedojmë me njëri-tjetrin dhe të vendosin nëse rrugëtimin tonë politik në të ardhmen do ta bëjmë bashkë, apo do ta bëjmë ndaras”, tha Pantina.

Ajo nuk është treguar optimiste që problemet në “Vetëvendosje” do të zgjidhen.

“Mbledhja e fundit e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar më ka dhënë pak shpresa se mund të ketë një zgjidhje”, tha ajo.  

Pantina pas këtyre ngjarjeve nuk ka përjashtuar mundësinë e formimit të një partie të re bashkë me grupin që tashmë kanë dhënë dorëheqje. “Jo, nuk e përjashtoj”, përfundoi ajo.  

Kurteshi: Në LVV ka demokraci, e respektojmë mendimin ndryshe

Në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, në lidhje me injorimin e zgjedhjeve nga ish-anëtarët e Kryesisë tha se e respektojnë mendimin e secilit dhe është normale që një numër i caktuar i anëtarëve nuk e duan Kurtin kryetar.

“Në lëvizjen ‘Vetëvendosje’ pranohet edhe mendimi kundër dhe kjo është në rregull. Nuk mendoj që do të duhej që të gjithë anëtarët e ‘Vetëvendosjes’ ta votonin të njëjtin njeri, ka dikush që është kundër. LVV-ja e respekton vullnetin dhe mendimin e secilit prej nesh. Nuk pajtohemi 100% mes vete dhe kjo është krejt normale”, ka thënë ai.

Por Kurteshi tha se ka pritur një numër më të madh të anëtarëve (qytetarë) që do t’i bashkoheshin votimit.

Por, sipas tij, nëse bëhet krahasim me zgjedhjet e brendshme paraprake në “Vetëvendosje” del që këtë herë numri i atyre që votuan është shumë më i madh.

“Është obligim moral i secilit anëtar të dalë në zgjedhje, por tek ne në përgjithësi as për zgjedhje lokale e parlamentare nuk dalin. Mendoj që ajo që është me rëndësi është se numri i atyre që kanë dalë ka qenë më i madh se herën e kaluar. Kjo që ka ndodhur dëshmon dhe legjitimon Albin Kurtin si kryetar të Lëvizjes”,  ka thënë Kurteshi.

Analistët: “Vetëvendosja” po ndahet, vendimtare pozicionimi i elektoratit

Rasim Alija, hulumtues në Institutin Demokracia për Zhvillim (D4D), duke folur për zgjedhjet e brendshme të lëvizjes “Vetëvendosje” që u mbajtën të dielën (më 21 janar), tha se kanë shfaqur qartë përçarjen dhe procesin jodemokratik.

Sipas tij, është e kotë të pretendohet për zgjedhje me kritere demokratike dhe garë të hapur, duke qenë e pranishme klima e deklaratave kundërshtuese, akuzat e kundërakuzat e ndërsjella.  

Alija konsideron që fati i “Vetëvendosjes” përfundimisht do të jetë ndarja, por vendimtare do të jetë pozicionimi i elektoratit të partisë. (Kujtojmë se nga 31.530 anëtarë sa ka gjithsej ky subjekt politik vetëm 10.606 shfrytëzuan të drejtën e votës).

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ përfundimisht ka gjasa të ndahet. Çështjet se sa do të mundë të fitonin elektorat të dyja degët e LVV-së në zgjedhjet e ardhshme, a do të mundë ta prodhonte kjo ndarje një rritje të krahut të shkëputur në elektorat, cilat figura do të mbesin me liderin aktual e mbi të gjitha a do të qeverisnin së bashku të dyja kampet nëse do të ndaheshin janë përcaktuese në zgjedhjet e ardhshme dhe do të mundë ta ndryshonin edhe skenën politike”, ka thënë Alija.  

Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në lëvizjen “Vetëvendosje” tashmë ka fraksione të qarta dhe s’ka unitet, por më e keqja është që nuk ka vullnet të tejkalohet kjo gjendje.

Ai tha se mospjesëmarrja e anëtarëve që ditë më parë kanë dhënë dorëheqje nga strukturat udhëheqëse të partisë flet shumë për ndarjen e cila do të ndodhë në “Vetëvendosje”.

“Po të merrnin pjesë në votim edhe grupi i ashtuquajtur anti-Kurti procesi do të ishte më demokratik. Por, sidoqoftë edhe ky proces që është i paraparë dhe një anëtar-një votë është demokratik. Por nga 30% të pjesëmarrjes flet se në ‘Vetëvendosje’ diçka është tronditur seriozisht nga brenda dhe ka dallime të mëdha”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se ngjarjet e fundit në “Vetëvendosje” kanë dëmtuar shumë punën që me vite të tëra këta anëtarë kanë bërë për ta fuqizuar, pasi kjo përçarje ndodhi pikërisht në momentin kur partia u fuqizua më së shumti.