Serbët mbajnë peng urën dhe definimin e kufirit

Aktuale January 15, 2018 - 07:51

BE-ja ka financuar mbi 3.5 milionë euro për dy projekte, revitalizimin e urës së Ibrit dhe zonën e këmbësorëve në rrugën “Mbreti Petër I” në veri të Mitrovicës, por ato mbahen peng nga strukturat komunale të veriut. Përveçqë ka pezulluar punimet, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, refuzon të nënshkruajë memorandumin për definimin e kufirit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përfundojë dy projektet e saj, të filluara në gushtin e vitit 2016, për të cilat ka investuar mbi 3.5 milionë euro, pasi strukturat komunale të Mitrovicës së Veriut nuk lejojnë përfundimin e punimeve në revitalizimin e urës dhe ndërtimin e zonës së këmbësorëve në pjesën veriore të urës.

LEXO EDHE: Java vendimtare e Speciales

Ka kaluar një vit qëkur Frederica Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, kishte mbërritur në Mitrovicë për ta hapur urën për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, por për shkak të kundërshtimeve të autoriteteve të Komunës serbe të Mitrovicës së Veriut projekti për hapjen e urës nuk ishte jetësuar, shkruan tutje "Zëri"

BE-ja ka investuar paralelisht në dy projekte në Mitrovicë për revitalizimin e urës kryesore të Ibrit 1.45 milion euro dhe për ndërtimin e zonës së këmbësorëve në veri të urës, në rrugën “Mbreti Peter I”, 2.13 milionë euro.

Derisa projekti i parë, sa i përket pjesës jugore qëmoti ka përfunduar, punimet në projektin e dytë janë ndërprerë krejtësisht për shkak të obstruksioneve të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Bashkimi Evropian (BE) ka investuar një varg projektesh në Mitrovicë, në veri dhe në jug, por dy projekte, të cilat janë ekzistencialisht të rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës, të pjesës jugore dhe të asaj veriore dhe të cilat synojnë bashkimin e qytetit të ndarë që nga paslufta, revitalizimi i urës kryesore të Ibrit dhe shndërrimi i rrugës “Mbreti Petër I” në veri të urës në zonë të këmbësorëve vazhdojnë të mbesin peng i obstruksioneve të autoriteteve komunale në veri, në veçanti të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Rakiq ka deklaruar shumë herë se ura do të hapet atëherë kur të përfundojë projekti i ndërtimit të zonës së këmbësorëve në veri të urës, ndërsa në ndërkohë ka urdhëruar që punët të ndërpriten me arsyetimin se nuk ka siguri.

Ura, për të cilën janë investuar miliona euro, ishte paraparë të hapej në janarin e vitit 2017, por për shkak të murit të ndërtuar nga serbët, shembjes së tij dhe ngecjeve në realizimin e projektit tjetër të BE-së, ndërtimin i zonës së këmbësorëve ishte shtyrë.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, i tha “Zërit” se ura e Ibrit zor se do të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve edhe në vitin 2018, për shkak se këtë nuk e dëshiron kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

“Rakiq është ai që e pengon hapjen e urës. Ai ka urdhëruar që punimet të ndërpriten sepse dëshiron ta zvarrisë projektin, në mënyrë që ura të mos hapet për qarkullim të automjeteve nga jugu në veri dhe anasjelltas. Një herë është përpjekur dhe ka bërë një mur të lartë për ta ndarë veriun nga jugu, ndërsa tani nuk lejon të kryhen punët në pjesën veriore për zonën e këmbësorëve. Po shihet qartë se as BE-ja nuk po mund të bëjë asgjë për t’i vazhduar punët në përfundimin e projektit sa i përket pjesës veriore, respektivisht për ndërtimin e zonës së këmbësorëve”, ka thënë Mujka.

Ndërkohë nga Zyra e BE-së në Prishtinë ka informacione se projekti do të përfundojë në këtë vit, kur edhe parashikohet që ura përfundimisht do të hapet.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, shprehet se pikërisht Rakiq është njeriu që po e pengon edhe definimin e kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel.

“Rakiqi kërkon që katër fshatra shqiptare t’i jepen Komunës Veriore. Ai insiston që edhe gjithë rrjedha e lumit Ibër t’i takojë veriut të Mitrovicës. Ai ka bllokuar procesin e caktimit të kufirit, pasi nuk ka asnjë mundësi që katër fshatrat e Mitrovicës t’i jepen Mitrovicës së Veriut, duke përfshirë edhe Suhadollin. Ne insistojmë që kufiri të definohet sipas Pakos së Ahtisaarit dhe nga ky pozicion nuk lëkundemi”, ka thënë Mujka.

Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, insiston që fshatrat shqiptare: Suhadolli, Gushavci, Vinarci dhe Vidimiriqit t’i takojnë Mitrovicës së veriut.

Rakiq të paktën insiston që Suhadolli të ndahet në dy pjesë, në pjesën veriore dhe në pjesën jugore.

Sipas tij, KQZ-ja ka bërë një ndarje të tillë në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal kur qytetarët shqiptarë të Suhadollit i ka futur në listat e votuesve në jug të Mitrovicës, ndërsa ata serbë në listat e votuesve në veri të Mitrovicës.

"Jemi të gatshëm të bisedojmë për këtë çështje dhe nuk ka asnjë problem që nuk mund ta zgjidhim. Pres që kryetari Bahtiri, në bashkëpunim me ministritë në Prishtinë, të gjejnë zgjidhje të përhershme lidhur me këtë", ka thënë Rakiq.