Ekspertja e Këshillit të Evropës kritikon Komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në

Ekspertja e Këshillit të Evropës kritikon Komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në

Aktuale April 26, 2024 - 20:50

Komisioni Parlamentar për Media ka shqyrtuar dhe ka votuar plotësimin-ndryshimin e disa amendamenteve të projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ekspertë nga Këshilli i Evropës i sugjeruan komisionit që të ketë kujdes në disa pika, të cilat mund të mos jenë në harmoni me direktivën e BE-së.

Projektligji më i diskutuar kohët e fundit për Komisionin e Pavarur të Mediave i është nënshtruar një diskutimi tjetër rreth plotësim-ndryshimit të amendamenteve nga Komisioni Parlamentar për Media.

“Ky projektligj është ndoshta më i diskutuari në 10 vitet e fundit, por të jeni të sigurt që do ta bëjnë më të mirën me këtë projektligj, duke e ditur kompleksitetin e fushës së medias, ky është projektligji më i mirë i kohës, për rrethanat në të cilat jemi, është projektligj dukshëm më i avancuar se në shtetet e rajonit, prandaj kemi pasur të angazhuar, ekspertë nga BE dhe ne si komision kemi kërkuar edhe ekspertizë shtesë nga Këshilli i Evropës”, tha Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Media.

Kurse ekspertja e Këshillit të Evropës, Deirde Kevin, e angazhuar nga Komisioni për Media, për të dhënë rekomandimet në përmbajtjen e këtij projektligji, ka thënë se disa pjesë të këtij projektligji nuk do të marrin mbështetje në formën aktuale.

“Ju e keni një ligj që është shumë i mirë në shumë pjesë të kësaj fushe, dhe shumë prej këtyre pikave, pra është shume afër me direktivën ligjore të BE-së. Në qoftë se mendoni ta avanconi, apo përpiqeni ta avanconi, ajo që figuron në këtë projektligj nuk do të marrë mbështetje nga organizatat ndërkombëtare”, tha Deirdre Kevin, eksperte e Këshillit të Evropës. Kevin kërkoi qartësim maksimal të përmbajtjes së amendamenteve. “Ligji duhet ta thotë specifikisht se cilat janë ato përmbajtje të dëmshme”, tha ajo.

“Sa u përket TV-së, të cilat mund tu detyrojmë të ndërpresin transmetimet e tyre, në rast se cenojnë sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës se Kosovës me përmbajtjen e tyre”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së.

Më 7 Mars, 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhanë votën e tyre për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili parasheh licencimin e medieve online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, kur evidentohen shkelje ligjore.

AGK, Këshilli i Mediave të Shkruara, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare e kanë kundërshtuar përmbajtjen e këtij projektligji me arsyen se ndryshimet censurojnë mediet, ndërsa zyrtarët qeveritarë kanë thënë se transparenca në pronësinë e mediave është e lidhur direkt me lirinë e shprehjes dhe bazën e funksionimit të shtetit demokratik.