Java vendimtare e Speciales

Aktuale January 15, 2018 - 07:42

Të mërkurën do të bëhet e qartë se çka do të ndodhë tutje me Gjykatën Speciale, meqë në rend dite të Kryesisë së Kuvendit ndër të tjera është edhe procedimi i Projektligjit për Shfuqizimin e Gjykatës. Deputetët të cilët kishin mbledhur 43 nënshkrime për ta kërkuar zhbërjen e Speciales thonë se do ta mbështesin Projektligjin për Zhbërjen e Dhomave të Specializuara po qe se ai arrin të shkojë në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Java e tretë e janarit pritet ta përcaktojë fatin e Gjykatës Speciale. Pas dy ditësh (të mërkurën), kur edhe pritet të mblidhet Kryesia e Kuvendit, do të bëhet e qartë se çka do të ndodhë tutje me Gjykatën Speciale, meqë në rend dite ndër të tjera është edhe procedimi i Projektligjit për Shfuqizimin e Gjykatës.

Pavarësisht kësaj, nga Kryesia e Kuvendit nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj çështjeje, me arsyetimin se ende nuk e dinë saktë se çka përmban rendi i ditës, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkohë, deputetët të cilët kishin mbledhur 43 nënshkrime për ta kërkuar zhbërjen e Speciales (22 dhjetor) thonë se do ta mbështesin Projektligjin për Zhbërjen e Dhomave të Specializuara po qe se ai arrin të shkojë në Kuvend.

Megjithatë, pas lëkundjes të qëndrimeve të liderëve institucionalë së fundmi (ku kryeparlamentari Kadri Veseli tha se nuk mund të ndalet Specialja) njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë duhet të bëhet e qartë se kjo iniciativë është e dështuar.

Në të kundërtën, sipas tyre, secili veprim drejt zhbërjes së kësaj Gjykate do të sjellë pasoja të pariparueshme për Republikën e Kosovës.

Haliti: Qëndrimet e PDK-së i jep kryetari

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nuk ka dhënë ndonjë informacion sa i përket mbledhjes së ardhshme të Kryesisë, e cila pritet të mbahet pas dy ditësh.

Përkundrazi, ai ka thënë se ende nuk e ka parë rendin e ditës, ani pse nga dokumenti që tashmë është publikuar në medie shihet që pjesë e rendit pritet të jetë edhe shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Unë s’e kam marrë akoma ftesën për mbledhje, as rendin e ditës”, ka deklaruar shkurt ai. Ndërkohë i pyetur rreth qëndrimeve të ndryshme brenda partisë karshi kësaj çështjeje, Haliti ka thënë se qëndrimin final e jep lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

“Qëndrimet e PDK-së i jep kryetari dhe deputetët e kanë të drejtën për t’u deklaruar se askush nuk ua ndalon të deklarohen”, ka thënë Haliti.

Selmanaj: Kryesia obligohet ta nxjerrë në rend dite kërkesën për shfuqizim

Ndërkaq Rasim Selmanaj, deputet i AAK-së (pjesë e grupit që nënshkroi për shfuqizimin e Gjykatës), ka thënë se Kryesia e Kuvendit e ka për detyrë që kërkesën e 43 deputetëve ta vërë në rend të ditës.

“Ne kemi bërë kërkesën, i kemi mbledhur nënshkrimet, tash varet prej Kryesisë së Kuvendit. Kryesia është e obligueshme ta nxjerrë në rend dite, të shohim”, ka theksuar ai.

As Time Kadriaj nga AAK-ja, e cila po ashtu ka nënshkruar nismën, nuk ka dhënë detaje lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me këtë nismë, megjithatë ka thënë se është detyrë e Kryesisë që këtë çështje ta shqyrtojë në mbledhje.

Megjithatë, Kadriaj nuk është shprehur e vendosur nëse kjo nismë do të finalizohet.

“Është nismë e deputetëve dhe varet se a do të votohet apo jo”, ka potencuar ajo gjatë bisedës.   

Beqa: Nëse shkon në Kuvend do ta mbështes nënshkrimin e 22 dhjetorit

Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa (pjesë e grupit “43”), ka thënë se PDK-ja ende nuk është mbledhur për të diskutuar rreth asaj se si të veprohet me Gjykatën Speciale.

“Më 22 dhjetor kanë qenë qëndrimet tona ato që kanë qenë si deputetë, qëndrimet e reja ne do t’i marrim pasi ta marrë vendimin Kryesia. Ne si PDK ende nuk jemi mbledhur për ta diskutuar këtë çështje, as si grup parlamentar. Në momentin që marrim një qëndrim zyrtar, do ta respektoj qëndrimin”, është shprehur ai për “Zërin”.

Beqa tutje ka thënë se ndonëse nuk ka qenë ai që ka iniciuar nismën për shfuqizimin e Speciales po qe se do të shkojë në Kuvend kjo çështje, ai do të qëndrojë prapa qëndrimit të 22 dhjetorit.

“Megjithatë, nëse do të dalë në Parlament unë do ta mbështes nënshkrimin që e kam bërë më 22 dhjetor, nëse nuk kemi ndonjë qëndrim tjetër paraprakisht”, ka shtuar ai.

Gazeta ka provuar gjatë ditës së djeshme të kontaktojë edhe me iniciuesin e kësaj nisme Nait Hasanin (emri i të cilit figuron i pari në listën e 43 deputetëve që nënshkruan për shfuqizimin e Speciales), mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur, meqë Hasani gjatë tërë ditës nuk është përgjigjur në telefon.  

Nga ana tjetër, gjatë javës së shkuar në një përgjigje për “Zërin” Ambasada e SHBA-së në Kosovë sërish ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga ideja e zhbërjes së Speciales.  

Kryeziu: E mërkura duhet ta bëjë të qartë se iniciativa për shfuqizimin e Speciales ka dështuar

E sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, pas dy ditësh, kur pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë, duhet të ndërpritet përfundimisht nisma për zhbërjen e Speciales.

“E mërkura ose cilado ditë e parë e mbledhjes së  Kryesisë së Kuvendit dhe vetë Kuvendi i Kosovës duhet ta bëjnë të qartë se kjo iniciativë aventuriere është e dështuar dhe do të ndërpritet”, ka deklaruar Kryeziu për “Zërin”.

Në të kundërtën, siç ai është shprehur, secili veprim i mbajtjes aktive të kësaj iniciative është veprim i dëmshëm dhe me pasoja të pariparueshme në funksionalitetin e shtetit të Kosovës.  

Ndërkohë Arton Demhasaj, njohës i rrethanave politike nga “Çohu”, ka vlerësuar se hyrja e Speciales në rend dite të mbledhjes së Kryesisë mund të bëhet me qëllimin për ta dështuar iniciativën.

“Kjo mund të jetë pjesë e strategjisë dalëse të atyre që kanë iniciuar këtë çështje, për shkak se tash nuk mund të dorëzohen kaq lehtë, por ndoshta ka gjasa që ta fusin në Kuvend që të dështojë aty shfuqizimi i ligjit dhe të mbyllet kjo çështje”, është shprehur ai.

Halitaj: Pavarësisht lëkundjeve s’mund të thuhet që rreziku është tejkaluar

Nga ana tjetër Agron Halitaj, gazetar dhe kryeredaktor i “AktivPress”-it, ka thënë se tendencat për ta futur në rend dite mocionin e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale duhen parë në dy rrafshe: në atë procedurial dhe në atë përmbajtjesor.

“Në rrafshin e parë duhet parë nëse kërkesa që është parashtruar nga deputetët në fund të vitit të kaluar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme ka qenë e afatizuar në kohë. Nëse është tejkaluar afati për shkak të ‘dështimit’ të Kryesisë së Kuvendit, atëherë ajo nuk mund të rishqyrtohet nga ky organ pa u përsëritur”, ka nënvizuar ai.

Kurse, në rrafshin e dytë sipas Halitajt, zhbërja potenciale e Gjykatës Speciale cenon raportet me ndërkombëtarët.

Madje sipas tij nuk mund të thuhet se rreziku për një gjë të tillë tashmë ka kaluar.

“Në rrafshin e dytë, pra në atë përmbajtjesor, shfuqizimi i mundshëm i Ligjit për Specialen tendos marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, jo për shkakun se me këtë akt mund të bllokohet funksionalizimi i Gjykatës, por për shkak të shkeljes së zotimit të dhënë vite më herët se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë evropiane në zbardhjen e krimeve të luftës”, ka përfunduar ai.