Librat plot me gabime përmbajtjesore dhe teknike
Njësitë mësimore që nxënësit kosovar mësojnë në klasën e dytë, mësohen në vendet perëndimore në klasën e shtatë, shumicën prej të cilave Kosova i ka pasur model për të ndryshuar Kurrikulën
Nxënësit në shkollat e Kosovës mësojnë se një bashkëmoshatar të tyre mund ta quajnë edhe “idiot”. Shprehje diskriminuese, fyese, nënçmuese, gabime teknike, si dhe njësi mësimore në tekste që nuk përshtaten me moshën e nxënësit janë evidente në librat që janë në përdorim nga klasa e parë deri në të nëntën.
Njësitë mësimore që nxënësit kosovar mësojnë në klasën e dytë, në vendet perëndimore, shumicën prej të cilave Kosova i ka pasur model për të ndryshuar Kurrikulën, mësohen në klasën e shtatë. Tekstet e tilla mësimore janë në përdorim edhe dy vite pas formimit të
Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore. Me 1 tetor të vitit 2015, ky këshill u themelua nga Arsim Bajrami ish ministri i arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) me qëllim të krijimit të një sistemi të përhershëm të cilësisë së teksteve dhe ndërtimit të standardeve. Mirëpo, në vitin e tretë shkollor që ka nisur pas marrjes së vendimit për rishikim të teksteve mësimore, ende ka përmbajtje të panevojshme në libra, gabime teknike, ngarkesë me material, etj.
Një reagim ndaj diskriminimit dhe fyerjes që përdoret në tekste mësimore, të mërkurën është dërguar në Ministrinë e Arsimit. Down Syndrome Kosova ka reaguar dhe kërkuar nga ministri aktual i arsimit Shyqiri Bytyqi të bëhet rishikimi i teksteve ku fëmijët e prekur nga ky sindrom janë cilësuar në një njësi mësimore në tekstin e biologjisë si “idiot”. Sebahate Hajdini- Beqiri drejtoreshë ekzekutive e Down Syndrome Kosova ka thënë se fyerja dhe diskriminimi që iu bëhet në këtë rast nga institucionet e vendit përmes teksteve shkollore është fyerje shumë e rëndë. Ajo ka thënë se në tekstet shkollore fëmijët me këtë sindrom i quajnë ‘Idiot’, si dhe e kufizojnë jetëgjatësinë e tyre.
Hajdini-Beqiri ka kërkuar urgjentisht të ndryshohen tekstet ku ka shprehje fyese dhe diskriminuese ndaj kësaj kategorie. “Në tekstin e biologjisë të klasës së dhjetë dhe njëmbëdhjetë është përdorur term ofendues dhe diskriminues. Aty sindromi down cilësohet si ‘idiotia mongoloide’, kurse thuhet se si karakteristikë personat me sindromën down nuk jetojnë më së shumë se 10 dhe 15 vjet”, ka thënë ajo. Në vend të kësaj shprehje, Hajdini-Beqiri thekson se nxënësve do duhej t’iu bëhej e ditur se personat me sindromwn down kanë një kromozom më shumë se të tjerët, pra gjithsej 47 kromozome.
Ankesat e organizatave, prindërve, por edhe mësimdhënësve për tekstet shkollore dëshmohet se nuk janë marrë për bazë.
Njësitë mësimore që nxënësit kosovar mësojnë në klasën e dytë, mësohen në vendet skandinave në klasën e shtatë
Blerim Mehmeti mësimdhënës në shkollën fillore “Skënderbeu” në komunën e Gjilanit thotë se ka shumë gabime teknike nëpër tekste. Këto gabime teknike, ai thotë se i kanë paraqitur në një raport që ia kanë dërguar Drejtorisë Komunale për Arsim në komunën e Gjilanit.
“Ka pasur gabime edhe në libra të matematikës, edhe në gjuhë shqipe dhe i kemi evidentuar”, thotë ai duke shtuar se këto gabime i kanë dërguar që të procedohen më tutje për t’u përmirësuar.
Mehmeti thotë se ka edhe ngarkesë të teksteve, sidomos në klasën e pestë. Si mësimdhënës i ciklit klasor, ai ka bërë një krahasim ndërmjet teksteve që mësojnë nxënësit kosovar me ato të vendeve skandinave, e që sipas tij rezulton se tekstet me të cilat mësojnë nxënësit kosovar në klasën e dytë, nxënësit në vendet skandinave mësojnë në klasën e shtatë.
“Derisa në vendet skandinave tek në klasën e shtatë fillojnë të mësojnë dy veprimet kryesore matematikore (shumëzim dhe pjesëtim), tek ne fillojnë në fund të gjysmë vjetorit të dytë të klasës së dytë me shumëzim dhe në gjysmë vjetorit të dytë të klasës së tretë fillojnë me pjesëtimin, të cilin e përmendim dhe më herët në klasën e tretë”. Mehmeti vlerëson se këto veprime matematikore janë të komplikuara dhe presion për moshën e nxënësve. “Por, këto i ka paraparë dikush tjetër”, thotë ai në pritje që ankesat që kanë bërë të shqyrtohen.
Ndërsa Bardhyl Syla, drejtor në Drejtorinë komunale për arsim (DKA) në Gjilan thotë se për gabime në tekste shkollore, ankesa të adresuara në Drejtorinë Komunale të Arsimit deri më tani nuk ka, por pranon se ka ankesa për librin e lëndës së biologjisë së klasës së gjashtë, ku sipas tij njësitë mësimore të parapara me planprogram në të shumtën e rasteve nuk janë në tekst. Ai thotë se vërejtjet nga prindërit dhe mësimdhënësit në shumë raste i kanë diskutuar me zyrtarët e MASHT-it.
Syla thotë se rishikimi duhet të bëhet për shkak të kurrikulës së re që është duke u zbatuar tani. “Konsiderojmë se duhen përfshirë të gjitha lëndët mësimore për tu siguruar se jemi në rregull për zbatimin e plotë të Kurrikulës”, thotë Syla për “Zërin”.
Rrahman Jasharaj mësimdhënës me përvojë 32 vjeçare në arsim thotë se në përgjithësi tekstet mësimore duhet rishikuar dhe të zvogëlohet volumi i tyre, pasi që sipas tij janë tepër të ngarkuara me materie. “Për gjuhën shqipe dhe letërsinë janë tema që përsëriten nga viti në vit, sidomos tek gjuha (morfologjia dhe sintaksa) mësohen temat e njëjta edhe në ciklin e ulët, por edhe nga klasa e gjashtë, si dhe janë të vështira disa njësi që mësohen në gjuhë amtare në klasën e gjashtë, e ndërsa ato ishte dashur të jenë në planprogram më vonë, kur fëmija është më i pjekur edhe nga mosha edhe nga dija”.
Si kryetar i SBASHK-ut nga raportimet e mësimdhënëseve ai bënë të ditur se më së shumti prezente janë gabimet teknike.
Komisioni parlamentar për arsim: Nuk janë rishikuar tekstet
Teuta Haxhiu zëvendës kryetare e Komisionit parlamentar për arsim e pranon se tekstet shkollore do duhej të rishikohen, por sipas saj kjo nuk ka ndodhur.
Ajo thotë se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Haxhiu e sheh këtë proces të vonuar. “Kemi shumë tekste që na janë ofruar dhe që kanë gabime madje dhe ofendojnë një grup të caktuar, sikurse kategoria e personave me aftësi të kufizuara, pastaj shkelje e të drejtave të njeriut ndaj komuniteteve të ndryshme”.
Përveç se në komision, Haxhiu ka kërkuar edhe në seancë parlamentare llogari për rishikimin e teksteve. “Përgjigja që kam marrë (nga ish ministri Bajrami) ka qenë se janë shikuar 80 për qind të teksteve, por në bisedë me ekspertët unë kam marrë informacione se tekstet nuk janë rishikuar, si dhe rishikimi i tyre ka qenë krejt formal”.
Ajo vlerëson se është nevojë urgjente rishikimi i teksteve nga njerëz ekspertë të fushës, të cilët nuk janë të ndikuar politikisht. “Për fat të keq në këtë rast janë bërë edhe biznese me tekste”.
Haxhiu thotë se nuk ka nevojë vetëm për rishikim formal të teksteve, por edhe përmbajtjësor. “Është e patolerueshme të ketë gabime të tilla. Profesionalisht, mendoj se ka dhe gabime të tjera. Prandaj jo rishikim formal”, ka thënë Haxhiu.
Ish anëtarët e këshillit japin vërejtje për mësimdhënësit
Anila Statovci ish kryesuese e Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore thotë se ky këshill ka pasur në dispozicion kohë të limituar për të përmirësuar gabimet.
“Në maj të vitit 2016 është dashur të japim patjetër një rezultat sepse shtypshkronjat na bënin problem që nuk mund të sigurojnë shtypin e librave nëse nuk e dorëzojmë versionin përfundimtar deri në maj. Unë isha e interesuar të japim një rezultat duke marrë rrezikun se ndoshta nuk do të jetë shumë proces me themel”, thotë Statovci duke shtuar se si grup ishin dakorduar që më mirë të nisin punën, sesa që ky proces të mos fillonte.
“Brenda grupit ka pasur ekspertë të lëmive të ndryshme. Disa na kanë dhënë fjalë të mëdha dhe nuk kanë bërë asgjë, kështu që krejt këto janë rreziqe që duhet t’i marrësh parasysh edhe duhet të ecësh tutje. Për mua, megjithatë është një e arritur sepse për herë të parë ka filluar të bëhet diçka në krahasim me 12 vitet e mëparshme që vetëm është diskutuar dhe në fund nuk është bërë asgjë”.
Statovci ka thënë se këshilli mbeti i zhgënjyer edhe me mësimdhënësit. Sipas saj janë dërguar formularë nëpër shkolla, të cilat ishin përzgjedhur si mostër për personelin mësimor të cilët kanë treguar rezultate më të mira në trajnime të ndryshme.
“Kemi kërkuar prej tyre na tregoni qe 12 vjet i përdorni këto libra, ku i keni parë ju problemet e këtyre librave. Ka qenë zhgënjyes rezultati që kemi marrë mbrapa, ka qenë kryesisht ultra sipërfaqësor nga ana teknike një “ë” këtu apo një “ë” atje, që dhe ato nuk i kishin pasur mirë si duhet. Megjithatë jemi munduar përkundër asaj që anëtarët e komisionit për fusha të ndryshme të rishikojnë atë që ka qenë e mundur”.
Kjo sipas saj ishte faza emergjente e rishikimit të teksteve. “Periudha vijuese afatgjatë ka pasur të merret me tekstet shkollore komplet të reja në përshtatje me kurrikulën e re. Unë nuk isha më në ministri dhe kjo nuk u realizua asnjëherë”, ka thënë Statovci.
Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës nëse ky këshill është funksional ende.
Kërkohen komisione të reja dhe të gjitha tekstet shkollore t’iu nënshtrohen një recensioni
Sociologu Labinot Konushevci, njohës i çështjeve arsimore në vend thotë se Kosova duke qenë një shoqëri që është ekskomunikuar nga regjimi jugosllav dhe komunist, me pretendime ideologjike dhe mitologjike, për shqiptarët ka prodhuar pasoja të cilat sot vërehen në përmbajtjen e teksteve shkollore, sidomos në ato të fushës së historisë.
“Historia në tekstet shkollore në Kosovë shkruhet bazuar në trashëgiminë e konceptit dogmatik mbi të kaluarën, në mënyrë shumë fragmentare, duke mos arritur të thyejë dhe tejkalojë neokolonializmin dhe si e tillë i mungon qasja multidimenzionale dhe multidisiplinare e cila është në trendin e zhvillimit në shoqëritë moderne”.
Konushevci thekson se duhet të formohen komisione të reja me ekspertë të rinj, vendor dhe ndërkombëtar dhe të gjitha tekstet shkollore t’iu nënshtrohen një recenzioni, në pajtim me ligjin dhe me standardet e trendëve të reja në zhvillim.
Ndërsa lënda ''Edukata Qytetare'', Konushevci thotë se bart tema të panevojshme dhe tepër të ngarkueshme për fëmijët në shkolla. “Nxënësit e shkollave fillore kanë nevojë për një edukim kulturor praktik, që ka të bëjë me komunikimin, me gjuhën, me shkrimin, me sjelljen në mjedisin publik, me sjelljen në familje, në shoqëri dhe me vetveten. Pra, dimensioni human duhet të jetë më prezent e jo të ngarkohen nxënësit me tema globale, për raportet e institucioneve ndërkombëtare, për gjeo-politikat dhe gjeo-strategjitë, për ngjarjet apo personalitetet politike, në sensin e informacioneve”, thotë Konushevci.
Prandaj, ai thotë se një përgjegjësi e bartin edhe autorët e teksteve shkollore sepse tekstet shkollore vetëm po përsëriten, duke mos u ndjekur trendet dhe nevojat e reja, nga autorë të njëjtë të cilët për vite me radhë, sipas tij dominojnë dhe kjo po mundësohet vetëm falë favorizimeve dhe kalkulimeve politike dhe komercialiste.
Edhe pse në vitin 2016 Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore ka bërë të ditur se janë larguar edhe pasaktësitë shkencore, si dhe diskriminime që janë gjetur nëpër tekstet mësimore, nxënësit e Kosovës ende mësojnë me tekste shkollore që përmbajnë gjuhë diskriminuese.
Ky këshill pat njoftuar se tekstet e rishikuara dhe të përmirësuara nga gabimet drejtshkrimore ose përmbajtjesore do të jenë të gatshme për përdorim nga fillimi i vitit të ri shkollor, më 1 shtator 2016.
Mirëpo, në vitin shkollor 2017/ 2018 gabimet përmbajtjesore apo drejtshkrimore po vazhdojnë të raportohen nga prindërit, mësimdhënësit si dhe organizatat për të drejtat e njeriut për shprehjet fyese dhe diskriminuese.
Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHRKS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim –ATRC.