Veseli viziton Bajram Rexhepin në spital

Aktuale April 19, 2017 - 21:20

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, po qëndron në orët e mbrëmjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të parë nga afër gjendjen e ish-kryeministrin Bajram Rexhepi, i cili është i shtrirë këtu, pas një sulmi në tru.

Kryeparlamentari Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Curr Gjocaj; ministri Memli Krasniqi dhe disa zyrtarë të tjerë; ka qëndruar në Klinikën e Neurokirurgjisë, ku Rexhepi i është nënshtruar sot një operacioni neurokirurgjik.

Ai ka qëndruar për disa minuta në dhomën e Rexhepit, ndërsa aktualisht është duke biseduar me mjekët rreth gjendjes së bashkëpartiakut të tij, raporton Ekonomia Online.

Veseli dhe Gjocaj pritet të japin një deklaratë për medie.

Bajram Rexhepi më herët ka qenë kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë, detyrë të cilën e ka lënë pas përfshirjes në politikë të Veselit.