Rama: Këto janë arsyet e stadiumit me kullë

Sport April 29, 2016 - 17:46

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbrojtur ndërtimin e kullës në stadiumin “Arena Kombëtare’.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të territorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbrojti projektin për stadiumin e ri 'Arena Kombëtare', duke dhënë për këtë disa arsye.

Ai e quajti të pakuptimtë debatin e nisur për kundërshtimin e kullës së tij, shkruan Topp Channel.

“Stadiumet me kullë nuk janë shpikje e kësaj kohe dhe nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Do të isha i lumtur sikur të bënim ne të parën kullë, pavarësisht gjithë baltës dhe keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në vitet e para të shekullit të kaluar. Mjafton të shohësh Olimpia Stadion, stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, plot e plot stadiume të gjeneratës së fundit që kanë kullën si element”, u shpreh Rama.

Së dyti, sipas kryeministrit, kulla është kërkuar me ngulm nga arkitekti dhe studioja.

“Kulla është një element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti dhe studioja si elementi ikonik i projektit të stadiumit të ri që reflekton qoftë kulturalisht raportin e arkitektit me traditën në tërësi dhe me ansamblin në fjalë në veçanti dhe i jep stadiumit një shenjë domethënëse dhe tërheqëse si pjesë të veten”, u shpreh ai.

Së fundmi, por jo më pak të rëndësishme, Rama renditi financimin.

“Stadiumi sot vlerësohet 50 milionë euro dhe punimet me siguri mund të kërkojnë edhe financim shtesë. Nga kush i prisni ju që të ndërtojë stadiumin?! Nga qeveria?! Buxheti?! Asnjëherë! E pamundur! Nga federata? E pamundur. E vetmja mundësi është ajo që i drejtohen qeveri shumë më të pasura se e jona, partneriteti publik privat”, u shpreh Rama. /Express