Akademia e pazakontë e Bilbaos

Sport November 01, 2018 - 11:45
Detajet

Athletic Bilbao është njëri prej klubeve më të pazakonta në botën e futbollit. Ekipi spanjoll përbëhet kryesisht nga baza vendore. 85% e ekipit momental të Bilbaos është i ndërtuar nga lojtarët e akademisë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Qyteti i fjetur i Lezamas është 10 kilometra larg Bilbaos dhe është shtëpia e vetëm 2.400 njerëzve, por ai gjithashtu akomodon njërin prej klubeve më të pazakonta në botën e futbollit, Athletic Bilbaon. Vetëm 14 vjet pasi që ishte themeluar Athletic ishte akuzuar për shkak të lojtarëve të huaj në Kupën e Mbretit të vitit 1911, kështu që ata vendosën të merrnin vetëm lojtarë që kanë lindur në rajonin bask ose që janë rritur aty. Pas më shumë se një shekulli ky rregull qëndron akoma dhe klubi bask është njëri prej tre klubeve që s’ka rënë kurrë nga kategoria e parë e futbollit spanjoll së bashku me Barcelonën dhe Real Madridin.

Besimi i klubit në talentet lokale fillon në fushën e tyre stërvitore në Lezama, që ishte hapur në vitin 1971 dhe tani është nikoqire e ekipit të parë, ekipeve të femrave dhe ekipet e tyre të akademisë. Në Lezama janë tetë fusha, një gjimnaz, një sallë e konferencave dhe një qendër shëndetësore, por është harku ikonë, i cili ishte zhvendosur nga stadiumi i vjetër “San Mames”, që të jep ndjenjën e një institucioni të madh. “Ky klub i futbollit bëhet pjesë e identitetit tonë që prej momentit kur lindim”, thotë Jon Solaun, i cili ka luajtur për klubin dhe tani drejton ekipin U-16. “Çdo djalë që lind në një rreze prej 60 kilometrash prej këtu pritet me tullumbace dhe me dhurata të Athleticos. Repartet e maternitetit janë të lyera kuqebardh. Unë jam lindur në Bilbao, veshja e kësaj fanelle dhe përfaqësimi i klubit është gjithçka për mua. E di se djemtë e ndiejnë të njëjtën krenari. Ne të gjithë ndihemi si pjesë e një historie këtu, si një familje. Është e mrekullueshme për fëmijët këtu që të jenë afër dhe të shikojnë njëri-tjetrin derisa rriten nëpër kategori si njerëz dhe si lojtarë. Kur një fëmijë i Lezamas arrin të vishet me të kuqe dhe të bardha në ‘San Mames’ ne të gjithë e ndiejmë një lloj triumfi”, shprehet ai.

Gjatë pesë vjetëve të fundit së paku dy lojtarë të akademisë janë promovuar në ekipin e parë, që është një lloj krenarie për drejtorin sportiv, Jose Amorrortu. “85% e ekipit të parë kanë ardhur përmes kësaj akademie dhe mesatarja e qëndrimit këtu para shkuarjes në ekipin e parë është shtatë vjet. Ne i marrin ata si djem të rinj dhe i kalisim. Këto shifra janë vetëm si pasojë e punës sonë”, thotë Amorrortu.

Amorrortu ka luajtur për Athleticon, madje e ka përfaqësuar klubin ndaj Juventusit në finalen e Kupës Uefa të vitit 1977, para se të marrë drejtimin e ekipit të të rinjve dhe ekipin e parë, kështu që ai e kupton më mirë se çdokush tjetër kulturën e klubit. “Ne kemi një ekip prej 20 skautësh rreth zonës së Biscayt dhe gjithashtu i kemi 150 klube simotra në regjion që monitorojnë progresin e të rinjve dhe i dërgojnë ata në Lezama nëse mendojnë që ata e kanë kualitetin e duhur për të luajtur këtu. Ne u besojmë trajnerëve dhe klubeve lokale në zhvillimin e fëmijëve aq shumë, saqë ne nuk e fillojmë programin tonë të akademisë deri në ekipin U-10. Vetëm në vitin e kaluar ne kishim 1500 9-vjeçar që u stërvitën këtu. Nuk është e vështirë që të gjesh lojtarë”, thotë ai.

Amorrortu thotë se trajnerët e tij duan të shohin lojtarët me aftësi të provuara. “Ne duam të dimë se si mendojnë ata dhe si i marrin vendimet në fushë dhe pastaj të shohim se si sillen jashtë saj. Fëmijët duhet të kenë rol dhe përgjegjësi sapo të hyjnë në ndërtesë, qoftë në klasifikimin e fanellave, në pastrimin e dhomave të zhveshjes e bartjes së pajisjeve. Ka një listë për këtë. Kam punuar në Atletico Madrid dhe në disa klube të tjera elitare, por askush nuk e ka këtë që kemi ne. Ne kemi një kulturë këtu, një identitet. Është puna jonë që të krijojmë njerëz të mirë ashtu si lojtarë të mirë dhe askush nuk e bën këtë gjë si ne. Familja është gjithçka për baskët dhe ne duam të bëjmë gjënë e duhur për njerëzit tanë. Nuk ka krenari më të madhe për një djalë sesa të luajë futboll për këtë klub”, shprehet Amorrortu.

Ish-reprezentuesi spanjoll hyn në zyrën e tij dhe kthehet me disa letra në dorë. “Është e rëndësishme që ata të mësojnë më shumë për jetën sesa për futbollin. Karrierat janë të shkurta dhe ata janë vetë një ndërhyrje e ashpër larg përfundimit. Ekipi ynë i tretë është i përbërë nga 21 fëmijë të moshave 18 dhe 19-vjeçare, 13 prej tyre janë duke studiuar në universitete. Por, ne nuk i detyrojmë për asgjë, ne thjesht i inkurajojmë vlerat e mira. Sidomos në lojën e sotme dhe në shoqëri djemtë tanë janë një shembull”, shton ai.

Ekipi i parë e ka kompletuar stërvitjen e tyre dhe ka shkuar në shtëpi, kështu që tani të rinjtë e kanë shansin të stërviten para kodrave piktoreske baske. Standardi është i jashtëzakonshëm. “Shumë teknik. Ne promovomë teknikën, teknikën, teknikën”, thotë Amorrortu.

Të rinjtë qarkullojë topin prapa dhe me prekje të ndryshme, derisa trajnerët vazhdimisht ua kujtojnë atyre tri çështje kyçe: “Qëndrimin: mbani shpinën drejt derisa lakoni gjunjët; Vizionin: shikoni rreth e rrotull për hapësirë dhe lojtarë; dhe ndryshimin e ritmit e të drejtimit”.

Gjatë 30 minutave të punës teknike rëndësia e strategjisë dhe formës i mësohet secilit individ. Serioziteti aty është pjesë përbërëse dhe standardet janë shumë të larta, kështu që dy ekipe U-14 të painteresuara përjashtohen nga stërvitja, urdhërohen të qëndrojnë anash dhe të shikojnë duart e tyre prapa shpinës. “Çdo individ këtu duhet të jetë përfaqësues i klubit dhe i njerëzve. Sapo një fëmije t’i duket e thjeshtë, atij duhet t’i kujtohet që ka të tjerë që duan të zënë vendin e tij. Kjo është natyra e lojës dhe ne duhet të kujdesemi edhe për edukimin sportiv. Shoqëria po ndryshon dhe modeli i profesionistit nuk është si ai para 20 vjetësh. Ne punojmë shumë që t’i mbajmë djemtë e përqendruar, por ka momente të vështira. Sidoqoftë, ata tentojnë të arrijnë një moshë kur e kuptojnë që paratë nuk mund të blejnë atë qe ne kemi në Athletico. Këtu është vendi ku puna e madhe e të gjithëve shpërblehet. Ky nuk është si klubet tjera. Ne stërvitemi krah skuadrës së parë dhe trajneri kujdeset që të mos ketë barriera mes tyre. Ata do të ndalen dhe do të flasin me fëmijët kur kalojnë dhe ata gjithmonë e ndjekin zhvillimin dhe rritjen e tyre”, deklaron trajneri i ekipit U-18, Iban Fuentes. “Ne të gjithë po e jetojmë ëndrrën. Çdo person në këtë kompleks e ka biletën sezonale. Nëse ekipi i parë luan jashtë fëmijët stërviten dhe pastaj shkojnë në shtëpi dhe veshin pizhamet e tyre të Athleticos për të parë ndeshjen me familjen. Trajnerët e kanë një pikë takimi në qytet ku i shikojnë ndeshjet së bashku. Ne të gjithë jemi pjesëtarë të familjes së Athleticos dhe kemi kulturën dhe identitetin tonë”, përfundon Fuentes./Zëri