Presidenti i Barçës flet për rikthimin e Neymarit

Sport October 22, 2018 - 16:34
Detajet

Josep María Bartomeu, presidenti i Barcelonës, përgënjeshtron spekulimet e fundit mediatike që flasin pro një rikthimi të mundshëm të “yllit” brazilian, Neymar, në organikën e katalanëve.

Bartomeu bëhet kështu zëri përfaqësues i atyre që kanë mohuar një rikthim të mundshëm të sulmuesit aktual të PSG, kur zhurma mbi këtë çështje është në kulmin e saj.

Pas largimit të sulmuesit 26-vjeçar drejt Parisit, në gusht të 2017-ës, për shifrën marramendëse të 222 milionë eurove, nuk është hera e parë që mediat fantazojnë mbi të ardhmen e tij, por këtë herë u duk sikur kishte diçka më konkrete mbi këtë çështje.Tashmë Bartomeu mohon interesin e klubit për rikthimin e bujshëm, duke shtuar se merkatoja e janarit do të jetë e qetë për Barçën.

“Neymar? U largua pa e kthyer kokën pas dhe ne nuk kemi as qëllimin më të vogël të bëjmë ndonjë lëvizje për të. Për më tepër, në merkaton e janarit mendojmë të mos jemi shumë aktivë, vetëm në rast se trajneri do të kërkojë ndonjë emër specifik. Mund t’i referohemi Barcelonës B, ku ka elementë që mund të integrohen edhe në skuadrën e parë.”

Që pas kalimit në “Parc des Princes”, Neymar ka shfaqur një formë dhe rendiment në ngritje, duke shënuar 39 gola në 41 takime në të gjitha kompeticionet. Në edicionin aktual ka shënuar 11 herë në 11 ndeshjet e zhvilluara. Pavarësisht rendimentit të Neymar shija e hidhur e largimit të tij duket se nuk është kapërdirë ende nga katalanët, me Barotmeun që shton:

“Nuk preferojmë lojtarë që paguajnë klauzolën dhe largohen. Ne jemi për ata futbollistë që e duan këtë skuadër.”