Sport

Kosova në qiellin e shtatë (FOTO)

Kosova në qiellin e shtatë (FOTO)
11 tetor 2018 • 23 : 57 Fotot: Laura Hasani
Image

Përfaqësuesja e Kosovës ka fluturuar në qiellin e shtatë të Grupit 3 në Ligën D të Kombeve. “Dardanët” e kanë përforcuar pozicionin e tyre në vendin e parë me shtatë pikë të tubuara. Zemrat e Kosovës sërish e kënaqën një popull me fitoren e madhe që e shënuan në kryeqendrën e Kosovës ndaj Maltës me rezultat 3:1. Dy golat e Benjamin Kolollit dhe një i Vedat Muriqit e kanë bërë skuadrën verdh e kaltër favorite kryesore në grup, por mjaft të dallueshme në krejt Ligën D, fituesja e së cilës shkon direkt në Evropianin 2020

Kosova është ngritur në qiellin e shtatë. Përfaqësuesja e jonë ka vazhduar me paraqitje fantastike në Ligën e Kombeve duke e shijuar fitoren e dytë, shkruan Zeri.info.

“Dardanët” e kanë mposhtur sonte Maltën me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të xhiros së tretë të Grupit 3 në Ligën D.

Djelmoshat e Bernard Challandes kanë bërë lojë të shkëlqyeshme dhe e kanë merituar plotësisht fitoren pas dominimit ndaj kundërshtarit.

Edon Zhegrova ka bërë lojë fantastike dhe e ka qëlluar shtyllën dy herë.

Atij i mungoi fati dhe nuk mundi ta gjente veten në mesin e realizatorëve.

Por, atë që nuk e bëri talenti kosovar, i cili konsiderohet si “Messi shqiptar”, e bënë shokët e tij.

Benjamin Kololli ka qenë hero i Verdhekaltërve duke realizuar dy gola.

Fillimisht ai shënoi në minutën e 30-të pas një aksioni të bukur të Kosovës, ndërsa golin e dytë, respektivisht të tretin për ekipin e tij e shënoi në minutën e 81-të.

Image

Maltezët kanë barazuar përkohësisht në minutën e 51-të pasi shënoi me kokë Andre Agius.

Por, ky gol veç çka i motivoi më shumë kosovarët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 68-të me golin e Vedat Muriqit, i cili paraprakisht lëshoi një rast të mirë me kokë në pjesën e parë.

Kosova ka pasur edhe raste të tjera me Arbër Zenelin e Milot Rashicën.

Duhet cekur se Malta luajti me një lojtar më pak nga minuta e 70-të pas ndëshkimit me karton të kuq të Michael Mifsud.

Nga ana tjetër, Hekuran Kryeziu është ndëshkuar me karton të verdhë dhe nuk do të mund ta ndihmojë ekipin në ndeshjen e së dielës në Ishujt Faro.

Image

Kosova ka mundur të llogarisë në një përkrahje të jashtëzakonshme nga tifozët e pranishëm në stadium, të udhëhequr nga “Dardanët”. Pas lojës, fitoren e Kosovës e kanë përshëndetur politikanë dhe personalitete të ndryshme të vendit.

Duhet cekur se në minutën e nëntë i tërë stadiumi është ngritur në këmbë për ta nderuar me duartrokitje legjendën e futbollit kosovar, të ndjerin Fadil Vokrri.

Challandes: Kemi dhënë spektakël për tifozët tanë

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes është shprehur mjaft i kënaqur me lojën e ekipit të tij ndaj Maltës, pas fitores 3:1. Ai i është gëzuar karakterit të ekipit, i cili reagoi mirë pas golit të pranuar.

“Pas pjesës së parë iu thash lojtarëve se ishte një pjesë e mirë, por edhe që ishte një pjesë e keqe sepse kishim shumë raste për shënim për ta siguruar fitoren. Golin ia dhuruam kundërshtarit, por lojtarët ishin të qetë dhe ia arritëm të riktheheshim. Ne luajtëm futboll të bukur. Karakteri i lojtarëve ishte në nivel. Kemi dhënë spektakël për tifozët tanë”, u shpreh zvicerani.

Kurse, sulmuesi Vedat Muriqi është shprehur tejet i lumtur me fitoren e Kosovës.

Image

Sipas tij, “Dardanët” janë duke u përmirësuar në çdo ndeshje.

“Jemi duke u forcuar si Kombëtare dhe po tregojmë në çdo ndeshje se jemi ekip i fortë. Ne shënuam tre gola të mirë dhe fituam tri pikë të reja në Grupin D. Nuk ishte me rëndësi goli im, me rëndësi ishte që fituam tri pikë të reja”, ka thënë njëri nga shënuesit e Kosovës.

Në fitoren e mbrëmshme kontribut ka dhënë edhe “motori” i ekipit, i rikthyeri Valon Berisha. Mesfushori i Lazios është shprehur jashtëzakonisht i gëzuar për fitoren dhe që është kthyer përsëri për të luajtur.

“Jam kthyer nga lëndimi, mirëpo ndihem mirë që e kam pasur mundësinë të luaj nga fillimi dhe ta jap maksimumin dhe normalisht fitorja është e rëndësishme”, është shprehur Berisha.

Image

“Ka pasur shumë interesim për ta parë ndeshjen dhe shpresoj që tifozët të jenë krenarë me ne. Unë gjithmonë pres shumë nga vetja dhe besoj që ishte lojë e mirë, por për veten shpresoj që do të kthehem tek forma që e kam pasur dhe sa herë që më jepet mundësia për Kosovën unë e jap maksimumin dhe gjithçka që kam nga vetja e lë në fushë”, ka vazhduar ai.

“Më ka pëlqyer atmosfera edhe kundër Ishujve Faro në stadium dhe kam dashur të jem pjesë e lojës, por lëndimet e bëjnë të veten. Sidoqoftë, ndihem mirë që jam kthyer”, ka përfunduar mesfushori kosovar.

Image

Në anën tjetër, maltezët e kanë pranuar se Kosova ishte më e mirë dhe se e meritoi fitoren, ndërsa për veten kanë thënë se iu mbetet të punojnë më shumë për të ardhmen.

Liga e Kombeve

Liga D – Grupi 3

Kosova – Malta           3:1

Ishujt Faro – Azerbajxhani     0:3

Tabela

1. Kosova                    3          7

2. Azerbajxhani           3          5

3. Ishujt Faro               3          3

4. Malta                       3          1

© zëri.info