Modric është në formë jetësore

Sport October 01, 2018 - 13:17
Detajet

Viti 2018 ishte pa dyshim viti i Luka Modricit. 33-vjeçari fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin, kurse më pas e çoi Kroacinë deri në finale të Kupës së Botës dhe e fitoi çmimin “Lojtari më i Mirë i Vitit” nga FIFA. Trajneri i përfaqësueses kroate, Zlatko Dalic, thotë se Modrici është në formën jetësore të tij, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Lëvdatat për Luka Modricin nuk kanë të ndaluar. Pasi e mori çmimin si “Lojtari më i Mirë i Vitit” e gjithë bota e futbollit ka kthyer vëmendjen kah reprezentuesi kroat. Nëse është dikush që e njeh mjaft mirë talentin e mesfushorit kroat, atëherë ai është Zlatko Dalic, trajneri që i nxori në pah aftësitë magjike të Modricit drejt suksesit të Kroacisë në Kupën e Botës. “FIFA.com” sjell një intervistë me Dalicin për të treguar pak më shumë për mesfushorin e Real Madridit.

Çfarë mund të thoni për Luka Modricin dhe rëndësinë e tij në ekipin tuaj?

Ai është kapiteni ynë, lojtari më i rëndësishëm në ekipin tonë dhe ai ka fituar çdo titull të mundshëm me Real Madridin. Ajo që i nevojitej ishte një rezultat i madh me ekipin kombëtar dhe ai e arriti këtë vit kur doli në vendin e dytë në Kupën e Botës. Ai ishte lideri i ekipit, një kapiten i vërtetë, duket gjithçka gjatë gjithë kohës. Ai meriton të gjitha lëvdatat dhe çmimet që i ka marrë. Ai është gjithashtu një person i madh, një profesionist i vërtetë dhe ai është në formën e tij jetësore.

Çfarë mund të thoni për personalitetin e Modricit?

Ai është gjithmonë me këmbë në tokë dhe është gjithmonë i gatshëm për të folur dhe për të dëgjuar se çfarë kanë për të thënë të tjerët. Ai ka një marrëdhënie fantastike me bashkëlojtarët e tij dhe ai është krahu im i djathtë në ekipin kombëtar. Nuk mendoj se mund të jesh një lojtar i madh nëse nuk ke personalitet, nëse nuk sillesh si burrë edhe jashtë fushës. Kjo është arsyeja, për mendimin tim që ai është tipi i lojtarit që tifozët e duan. Ai është një profesionist i vërtetë.

A mendoni se ai e meritoi çmimin “Lojtari më i Mirë i Vitit”?

Pa dyshim. Ai e meritoi plotësisht. Ai ishte lojtari më i mirë në Kupën e Botës për Klube në Abu Dabi dhe më pas ai e fitoi Ligën e Kampionëve dhe e çoi Kroacinë drejt vendin të dytë në Kupën e Botës, ku ai ishte lojtari më i mirë i kompeticionit. Çfarë mund të kërkoni më shumë? E di se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë lojtarët më të mirë në botë, por ky është viti i Luka Modricit.

Çfarë do të thotë çmimi i tij dhe nominimi juaj për “Trajnerin më të Mirë të Vitit” për Kroacinë?

Ne jemi një shtet i vogël, por ne kemi ëndrra të mëdha. Ne kemi një popullsi prej katër milionësh dhe ne kishim dy njerëz të nominuar për çmimin e më të mirëve. Kjo është e pabesueshme dhe mund t’ju them se e gjithë Kroacia është krenare për këtë gjë. Ne i shfaqim talentet dhe aftësitë e njerëzve kroatë dhe duke e përfaqësuar ne e bëjmë vendin tonë krenar.

Ju keni pasur një vit për t’u mbajtur mend, por cili është hapi i ardhshëm për Lukan dhe për Kroacinë?

Ne i shkuam deri në fund dhe do të jetë e vështirë për ta përsëritur sepse ka shumë konkurrencë edhe në botë, edhe në Evropë. Sidoqoftë, ne do të bëjmë më të mirën tonë. Sigurisht ka presion të madh për Kroacinë. Tifozët presin gjithmonë më shumë dhe unë nuk ia kam idenë se si do t’ia dalim dhe ta bëjmë këtë. Sidoqoftë, unë ndiej se ky është një ekip që mund të bëjë shumë mirë edhe në Evropianin e ardhshëm. E di se mund të luajë mirë, të jemi garues dhe t’i japim popullit të Kroacisë një arsye për të festuar përsëri./Zëri