Debutues në Evropë

Sport September 21, 2018 - 12:26

Jogjithmonë futbollistët debutojnë në kampionatet nacionale. Ka prej tyre që e bëjnë hapin e parë në karrierën profesioniste direkt në garat evropiane. Rasti i fundit është ai i Nicolo Zaniolos, i cili debutoi me Romën në Champions kundër Real Madridit. Në të kaluarën kishin ndodhur raste të ngjashme me lojtarë të mëdhenj, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Asnjë minutë e luajtur në Serie A dhe tashmë ftesë në Kombëtare, por mbi të gjitha debutim nga minuta e parë në Ligën e Kampionëve në stadiumin “Santiago Bernabeu” kundër Real Madridit. Kjo është historia e pazakontë e Nicolo Zaniolos. Mesfushori i Romës ka debutuar në futbollin profesionist në Evropë. Mirëpo, ai nuk është lojtari i vetëm që e bën një gjë të tillë. Si 19-vjeçari kishin vepruar edhe disa futbollistë tjerë të njohur.

Nicolo Zaniolo – Roma

Më shumë se humbja nga Real Madridi ka bërë bujë lajmi për debutimin e Zaniolos në futbollin profesionist. Trajneri i Romës, Eusebio di Francesco, e ka zgjedhur mesfushorin e ri për Champions kundër skuadrës që e ka fituar këtë kompeticion në tri edicionet e fundit rresht. Ai luajti 54 minuta dhe e zuri vendin e të larguarit Radja Nainggolan, i cili gjatë verës i është bashkuar Interit.

Cristiano Ronaldo – Sporting Lisbona

Edhe njëri prej futbollistëve më të mirë në botë ka debutuar në Ligën e Kampionëve. Cristiano Ronaldo e kishte nisur karrierën në fazën preliminare të Kupës së Kampionëve në vitin 2002 në fanellën e Sporting Lisbonës në një ndeshje kundër Interit.

Daniele de Rossi – Roma

Daniele de Rossi kishte debutuar në fanellën e Romës si 18 vjeç, pikërisht në Champions League, në një ndeshje me Anderlechtin. Ishte 30 tetori i vitit 2001.

Edoardo Soleri – Roma

Gjithmonë në Romë një tjetër lojtar i ri kishte debutuar në kompeticionin më të rëndësishëm evropian: Edoardo Soleri, i cili në shtator të vitit 2015 e kishte zëvendësuar Florenzin në ndeshjen kundër Bate Borisov.

Filippo Scardina – Roma

“Giallorossi” e lansuar në Europa League edhe Filippo Scardinan, i cili kishte debutuar ndaj CSKA Sofias dhe kishte realizuar edhe gol në fitoren 3:0.

Bryan Cristante – Milan

Sot e vesh fanellën e Romës, por Cristante kishte debutuar në mes profesionistësh në Champions kur luante me Milanin. Në dhjetor të vitit 2011 kishte hyrë në lojë në ndeshjen Viktoria Plzen – Milan.

Marco Benassi – Inter

Edhe Benassi, sot titullar te Fiorentina, kishte debutuar në kompeticionin evropian para atij nacional. Në Europa League në vitin 2012 kishte debutuar në fanellën e Interit, në ndeshjen e humbur me rezultat 0:3 nga Rubin Kazan./Zëri