Kosova dobëson Shqipërinë

Sport September 18, 2018 - 14:03
Detajet

Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar rënie të madhe kohëve të fundit. Shqipëria e sotme dallon shumë prej Shqipërisë së vitit 2016, kur kishte marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Evropian, shkruan zeri.info

Pas atij suksesi historik Kuqezinjtë kishin dështuar ta kalonin grupin kualifikues, duke mos arritur në botërorin “Rusia 2018”. Por, ky dështim kishte hasur në mirëkuptim për shkak të prezencës së kundërshtarëve tepër të fortë në grup, siç ishin Spanja ose Italia. Mirëpo pas asaj kampanje kualifikuese, në përpjekje për të shënuar ngritje, nën drejtimin e Christian Panuccit veç çka ka pësuar rënie të madhe.

Panucci nuk po arrin të gjejë stabilitet taktik, duke i përdorur nëntë skema të ndryshme brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Në ndërkohë, atmosfera në skuadër është mjaft e brishtë, saqë dyshohet se një grup i konsiderueshëm i lojtarëve nuk duan ta shohin me sy pasardhësin e Gianni De Biasit, i cili po bën përpjekje të sjellë në skuadër freskime, por as këtë nuk po ia del ta bëjë, në të cilin proces problem i ka paraqitur anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Kosova tani po garon në të gjitha kualifikimet ndërkombëtare, derisa vazhdimisht po angazhon lojtarë të rinj që bëjnë karrierë jashtë vendit, të cilët e kishin Shqipërinë si opsion thuajse të vetëm në kohën e izolimit të Kosovës. “Kosova? Normal që ka ndikuar, sepse do të kishim më shumë alternativa”, ka deklaruar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Shqipëria po garon në Ligën C, kurse Kosova në Ligën D, në kompeticionin e Ligës së Kombeve.

“Shqiponjat” e kanë një fitore dhe një humbje në grupin e tyre me Skocinë dhe me Izraelin, të cilin synojnë ta kalojnë. Kurse Kosova është e para në grupin e vet me Ishujt Faro, Azerbajxhanin dhe Maltën.

“Kosova po ecën mirë. Nuk i kam parë ndeshjet, por i ka marrë katër pikë me një fitore si vendase dhe një barazim si mysafire. Është pretendente kryesore e grupit të saj dhe do të shkojë edhe në stadium kur të kem mundësi për ta parë”, ka potencuar Duka, i cili flet edhe për ambiciet e Shqipërisë. “Dua të besoj në fitoren e dy ndeshjeve tona të radhës. Ne pretendojmë të dalim të parët në grup”, ka nënvizuar Duka./Zëri