Osmani: Shkëndija ka forcë për ta kaluar Rosenborgun

Sport August 29, 2018 - 14:37

Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani dhe sulmuesi Besart Ibraimi kanë folur para mediave për pritjet nga ndeshja e të enjtes me Rosenborgun.

Kuqezinjtë të enjten kanë para vetes ndeshjen më të rëndësishme në historinë e klubit, kur skuadra do të diskutojë hyrjen në grupet e UEFA Europa League.

Shkëndija u mund 3:1 nga kampioni i Norvegjisë, Rosenborgu në takimin e parë të play offit, ndërsa tani ekipi ka nevojë për fitore 2:0 për të prekur suksesin më të madh në histori.

“Ne në skuadër sigurisht se jemi optimistë dhe jemi të bindur se negativa nga ndeshja e parë me Rosenborgun mund të anulohet. Shkëndija ka forcë për ta kaluar skuadrën e Rosenborgut dhe të hyjë në grupet e UEFA Europa League. Jemi të gatshëm për gjithçka, do luajmë të marrim më të mirën, por ekipi besoj është gati edhe për vazhdime apo edhe penalti”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.

Kuqezinjtë janë vendosur sot në Shkup dhe nga ora 20:00 në stadiumin “Filipi i Dytë” do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore para ndeshjes të së enjtes me Rosenborgun që në program është në orën 20:15.

Ndërkohë skuadra e Rosenborgut ka arritur në Shkup dhe në orën 19:00 do të ushtrojë në stadiumin “Filipi i Dytë”. Paraprakisht nga ora 18:30 kanë paralajmëruar takim me mediat.