ZYRTARE: Superliga mbetet pa klubin e madh kosovar!

Sport August 16, 2018 - 14:53
LAJMI I FUNDIT

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nëpërmjet kësaj komunikate njofton opinionin se KB Peja as në afatin shtesë të caktuar nga Bordi i FBK-së nuk ka arritur të sjell dëshmi se i ka kryer obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së.

Më 10 gusht në ora 17:00 ka qenë afati i fundit për regjistrim të klubeve në ligat seniore të të dyja konkurrencave dhe deri në atë datë, KB Peja nuk ka sjell dëshmi se i ka kryer obligimet ndaj dy institucioneve të lartëpërmendura.

Megjithatë në mbledhjen e Bordit të FBK-së të mbajtur më 13 gusht 2018, Bordi pas konstatimit se KB Peja nuk ka i ka përmbushur kriteret për regjistrim për edicionin e ri 2018/19 deri në afatin e caktuar, i njëjti Bord ka vendosur ti jap afat shtesë KB Pejës deri më 15 gusht 2018 në ora 17:00 ti sjell të gjitha dëshmitë e kryerjes së obligimeve ndaj FIBA-s dhe FBK-së.

Por as të mërkurën në ora 17:00 në zyre të FBK-së, KB Peja nuk ka sjell dëshmi se i ka kryer të gjitha obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së në mënyre që skuadra në fjalë të regjistrohet për edicionin e ri garues.

Në këtë mënyrë Bordi i FBK-së konform Propozicioneve të Garave ka marrë vendim që të mos e regjistrojë KB Pejën për edicionin e ri garues, si dhe konform Statutit të FBK-së, anëtarësia e KB Peja në Federatën e Basketbollit të Kosovës do të mbetet e pezulluar derisa të përmbushen të gjitha kushtet për pjesëmarrjen e saj në garat e FBK-së.

Kështu KB Peja suspendohet dhe çregjistrohet nga çdo veprimtari në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

FBK po ashtu dëshiron të sqarojë para opinionit se në vazhdimësi ka komunikuar me KB Peja tash e dy vjet prej se FIBA e ka njoftuar FBK-në për rastet e paraqitura në BAT (Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit) dhe për shqiptimin e BAN-it (ndalesa e regjistrimit të lojtarëve të rinj).

Rastet e KB Peja në BAT:

-          BAT 0719/15 - Mr. Frederick House vs. KB Peja:

-          BAT 0944/16 - ARSIC, AUSTIN & SMITH – PEJA;

-          Si dhe Gjoba e shqiptuar nga FIBA në vlere prej 5,000.00 CHF.

Në letrën e dërguar nga Zyra Ligjore e FIBA-s më 10 prill 2018 tek Federata e Basketbollit të Kosovës, është bërë shumë e qartë se nëse FBK nuk pozicionohet dhe nuk ndërmerr masa për çështjen e KB Peja, atëherë FIBA do të jetë ajo që do të vendos sanksione ndaj FBK-së.

Pas kësaj letre, FBK e ka përgatitur një dokumentacion të cilin e ka nisur tek Zyra Ligjore e FIBA-s, ku ka vërtetuar se i ka përcjell të gjitha emailat e dërguar nga FIBA tek KB Peja, si dhe e ka njoftuar Zyren Ligjore se FBK në vazhdimësi ka kërkuar nga KB Peja që të gjej një zgjidhje dhe mundësi për të kryer obligimet në BAT, apo edhe të bëjë programimin e tyre.

Pas informatave të dërguara nga FBK, Zyra Ligjore e FIBA-s i është përgjigjur FBK-së duke e falënderuar për bashkëpunimin, por në të njëjtën kohë ia ka bërë të ditur se KB Peja nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të përmirësuar situatën dhe kështu edhe një herë FIBA ia ka kujtuar FBK-së se do të jetë ajo që do të sanksionohet nëse KB Peja nuk e bën një gjë të tillë në të ardhmen e afërt.

Po ashtu Zyra Ligjore e FIBA-s ia ka bërë të qartë se nëse KB Peja nuk i kryen obligimet ndaj FIBA-s deri në afatin e regjistrimit të caktuar nga FBK, atëherë do të jetë Federata e Basketbollit të Kosovës që automatikisht do të sanksionohet nga FIBA.

Pas këtij komunikimi ndërmjet Zyrës Ligjore të FIBA-s dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës, anëtarë të kësaj të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës në Qipro sërish kanë biseduar me zyrtar të FIBA-s për çështjen e KB Peja, dhe të njëjtit zyrtar e kanë sugjeruar FBK-në që në Propozicionet e Garave të FBK-së të vendosen kritere të ashpra për regjistrim për klubet në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe faktin se nuk mund të regjistrohen skuadrat që kanë obligime ndaj FIBA-s dhe FBK-së.

Në këtë mënyrë FBK pas konsultimeve me Bordin e FBK-së dhe me klubet e të gjitha rangjeve në ligat seniore i ka miratuar Propozicionet e Garave në të cilat është përfshirë Neni, i cili thotë se nga edicioni 2018-2019, e drejta e garimit e cilitdo anëtar të FBK-së në garat e organizuara nga FBK do ti mohohet nëse klubi ka cfarëdo borxhi të dokumentuar ndaj FIBA-s, FIBA Evropës, apo ndonjë eniteti tjetër përgjegjës për organizimin e garave ndërkombëtare të basketbollit të njohur nga FIBA.

Duhet theksuar se konform mandatit ligjor të Bordit të FBK-së, ky i fundit sot do të hap konkurs për Wildcard për anëtarin e tetë të Superligës së Kosovës, në mënyrë që skuadrës në fjalë t'i jepet kohë e mjaftueshme për përgatitjet për edicionin e ri garues 2018/19, që pritet të startoj më 16 shtator 2018.