Duan ta blejnë komplet Arsenalin

Sport August 08, 2018 - 13:10

Miliarderi amerikan Stan Kroenke po planifikon ta marrë nën kontroll të plotë Arsenalin, të cilin dëshiron ta blejë për 1.8 miliard funte, afro 2 miliardë euro. KSE-ja, kompania e tij, po synon t’ia blejë bashkëpronarit rus Alisher Usmanov aksionet që i posedon. Tifozët nuk janë të pajtimit me këtë blerje

Aksionari i Arsenalit Stan Kroenke pritet ta marrë nën kontroll të plotë klubin nga Londra Veriore si pjesë e marrëveshjes, e cila e vlerëson klubin 1.8 miliard funte, respektivisht afro 2 milionë euro.

Kroenke momentalisht i ka në pronësi 67%  të aksioneve të Arsenalit, ndërsa të martën KSE-ja, kompania e tij, ka njoftuar se është e gatshme për ta blerë komplet klubin.

Kompania i ka ofruar 29,419.64 funte për çdo pjesë, duke e vlerësuar krejt klubin 1.8 miliard funte.

KSE-ja dëshiron ta blejë Arsenalin nga investitori i tij i dytë më i madh, miliarderi ruso-uzbek, Alisher Usmanov.

Usmanov momentalisht i ka në pronësi të tij mbi 30% të aksioneve të ekipit bardhekuq.

Kroenke është “duke luftuar” me Usmanov për ta marrë kontrollin e plotë të Arsenalit me vite të tëra. Usmanov kishte ofruar 1 miliard funte për t’ia blerë biznesmenit amerikan pjesën tjetër të përqindjes në muajin maj të vitit 2017, ofertë e cila ishte refuzuar.

KSE-ja thotë se oferta e tij do të ishte rezultat i hapjes së një epoke të re në historinë e klubit.

“KSE-ja beson se lëvizja në pronësinë private do të sillte përfitime nga pronari i vetëm, i cili do të ishte në gjendje të lëvizte përpara me strategjinë dhe me ambiciet e klubit. KSE-ja është pronar afatgjatë dhe i lidhur ngushtë me klubin”, njofton KSE-ja.

“Ne në KSE po lëvizim përpara me këtë ofertë që të marrim 100% të pronësisë në klub. Ne e vlerësojmë dedikimin e zotëri Usmanov për klubin e Arsenalit, pasi ky është një klub me histori”, ka shtuar Kroenke.

“The Arsenal Supports Trust”, të cilët i përfaqësojnë më shumë se 1,000 tifozë të klubit, të martën kanë thënë se nuk do të donin që Arsenali ta ketë vetëm një pronar dhe se po e ndjekin me kujdes këtë çështje të ndjeshme.

Sipas tyre, nëse privatizohet klubi zëri i tyre nuk do të dëgjohej dhe se nuk do të mundë të ndikonin më në vendimet e klubit.

Kroenke, pasuria e të cilit vlerësohet 8.3 miliardë dollarë sipas “Forbes”, e ka në pronësi edhe klubin e NFL-së, respektivisht futbollit amerikan Los Angeles Rams, por edhe atë të NBA-së, Denver Nuggets.

Ai ishte futur në botën e Arsenalit në vitin 2007, kur i kishte blerë 9,9% të aksioneve nga ITV-ja.

Sezoni i fundit që i ndau rrugët me Arsene Wengerin, i cili e kishte drejtuar klubin për 20 vjet, ishte mjaft i zhgënjyer dhe “Gunners” përfunduan në pozitën e gjashtë në Premierligë, rezultati më i dobët që nga viti 1992.

Unai Emery, ish-trajner i Paris Saint-Germainit, e ka zënë vendin e tij. /Zëri/