Bekaj: Shpresoj që në Mitrovicë të kalojmë në raundin tjetër në Europa Leagues

Sport July 12, 2018 - 13:03

Portieri Visar Bekaj nuk pati shumë punë në ndeshjen e mbrëmshme pasi lojtarët e CS Fola Esch nuk ishin të rrezikshëm, ndërkohë që mbrojtja e FC Prishtinës ishte e sigurt dhe në gatishmëri për çdo rast.

Ai e ka konsideruar barazimin 0:0 si një rezultat të favorshëm për prishtinasit para lojës së kthimit, që luhet në Mitrovicë.

“Besoj që u ndamë mirë edhe pse kemi mundur t’i shfrytëzonim disa raste në fund që na u dha mundësia. E them që ishte ndeshje e mirë, të dy skuadrat luajtën kujdesshëm duke tentuar ta ruanin portën pa pranuar gol e pastaj të bënin diçka më shumë përpara. Unë jam i kënaqur, është rezultat i kënaqshëm dhe shpresoj se në Mitrovicë do ta kalojmë raundin, sepse na duhet fitorja gjithqysh”, u shpreh portieri prishtinas për uebfaqen zyrtare të klubit. /Zëri/