'Demokracia' e FFK-së

Sport July 04, 2018 - 11:15

Të premten Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do ta mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm, i cili do të ketë rrjedhojë dhe do të japë rezultate siç ka qejf vetë ajo. Për këtë është punuar fort, por pa zhurmë dhe nën hijen e Kampionatit Botëror. Kuvendi është vënë para aktit të kryer – do ta prodhojë Agim Ademin kryetar, përkatësisht pasardhës të Fadil Vokrrit, për të cilën pozitë nuk do të ketë fare garë. Kjo është “demokracia” e FFK-së

Mbajtja e Kampionatit Botëror në Rusi ia ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë punën Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që ta organizojë një kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor për kryetar të ri siç dëshiron vetë ose siç i konvenon asaj, pavarësisht dyshimeve të forta për shkelje statutore që po bëhen në këtë proces.

Kjo pasi opinioni, mediet, por edhe vetë UEFA e FIFA krejt vëmendjen qe disa javë e kanë kah Kupa e Botës, kurse FFK-ja vazhdimisht ka punuar që kuvendin e jashtëzakonshëm ta qesë para aktit të kryer dhe ta thërrasë vetëm sa për adet, sepse rezultatet e këtij kuvendi që do të mbahet të premten tashmë dihen.

Do ta prodhojë Agim Ademin kryetar të ri, pasardhës të Fadil Vokrrit të ndjerë, shkruan sot gazeta Zëri.

Vokrri ka ndërruar jetë më 9 qershor, ndërsa ende pa u kryer ceremonitë mortore për të Lidhjet Rajonale të Gjilanit e Prizrenit i kishin kërkuar Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që ta mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor duke ia dhënë edhe emrin e Agim Ademit si kandidat për kryetar.

Kjo nguti kishte ngjallur habi, por edhe kritika në Kosovë, ku flamuri shtetëror ishte ulur në gjysmështizë për nder të kryetarit të ndjerë, vdekja e të cilit kishte shkaktuar pikëllim të thellë në vend.

Në ndërkohë, si nënkryetar i parë Agim Ademi tashmë kishte nisur të sillet si një kryetar.

Në ndërkohë ai e kishte marrë përkrahjen edhe nga lidhjet rajonale tjera të futbollit kosovar, kurse Komiteti Ekzekutiv e kishte caktuar 6 korrikun si datë të zgjedhjeve në FFK.

Ky njoftim ishte dhënë shumë ditë më parë edhe në uebfaqen e FFK-së. Por, ai është i pari dhe i fundit që është dhënë për krejt këtë proces, gjë që më së miri e tregon edhe nivelin e transparencës.

“Zëri” e ka pasur të pamundur të kërkojë sqarime në FFK, e cila qysh moti ia ka bërë “block” gazetës vetëm pse temat dhe hulumtimet e saj nuk i pëlqejnë dhe nuk i konvenojnë.

Sipas Statutit të FFK-së, delegatët duhet të ftohen 20 ditë para datës së mbajtjes së Kuvendit. Kurse në këtë rast kuvendarëve u janë dërguar ftesat shumë vonë.

Në FFK arsyetohen duke thënë se janë tri lloje të kuvendeve – të rregullt, zgjedhor dhe të jashtëzakonshëm.

Por nuk ka “Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor”, ndonëse në FFK thonë se është i njëjti me “Kuvendin e Jashtëzakonshëm”.

Ndërsa, derisa në FFK nuk japin sqarime të rëndësishme, disa portale kanë zbuluar se Agim Ademi i ka mbledhur pjesën dërrmuese të nënshkrimeve duke ia pamundësuar çdo kandidati tjetër të mundshëm për t’u kandiduar, për çka nevojiten 15 nënshkrime.

Agim Ademi pritet të zgjidhet kryetar i ri i FFK-së për dy vjetët e ardhshme, për ta vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga i ndjeri Fadil Vokrri, pasi në vitin 2020 mbahen zgjedhjet në të gjitha organizatat sportive për ciklin olimpik 2020-2024. /Zëri/